Kompanitë e teknologjisë dhe komunikacionit në sektorin e shërbimeve rezultojnë bizneset më inovative në Shqipëri. Sipas raportit të publikuar nga INSTAT për periudhën 2022-2024, gati 68% e kompanive të këtij sektori investuan në produkte të reja, programe, teknologji apo mënyra të reja pune. Pas tyre renditen bizneset financiare dhe të sigurimit, ku 55.1% e ndërmarrjeve rezultuan aktive në inovacion.
Në total, 44.3% e ndërmarrjeve me mbi 10 punonjës ndërmorën aktivitete inovacioni gjatë periudhës 2022-2024, me një rritje të lehtë krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Sipas INSTAT, sektori i shërbimeve rezultoi më aktiv në inovacion se industria. Rreth 46.7% e kompanive të shërbimeve raportuan aktivitete inovative, ndërsa në industri kjo përqindje ishte 41.6%.
Në sektorin industrial, kompanitë e energjisë elektrike, gazit dhe ajrit të kondicionuar rezultuan më aktive në inovacion me 45%, të ndjekura nga industria përpunuese me 43.3%. Raporti tregon se bizneset që investuan në inovacion realizuan 62.1% të totalit të shitjeve neto të ndërmarrjeve të vrojtuara dhe punësuan 57.8% të totalit të të punësuarve.
Një tjetër tregues që bie në sy është investimi në teknologji të reja. Rreth 30.1% e ndërmarrjeve blenë makineri, pajisje apo programe që nuk i kishin përdorur më parë. Ndërkohë, kompanitë e mëdha vijojnë të jenë më aktive në inovacion. Dy në tre ndërmarrje me mbi 250 punonjës zhvilluan aktivitete inovative gjatë kësaj periudhe.
Sipas raportit, u rrit edhe bashkëpunimi mes bizneseve dhe organizatave të tjera për projekte inovative, si dhe aktivitetet kërkimore dhe zhvillimore. Nga ana tjetër, mbështetja publike për bizneset inovative mbetet e ulët. Vetëm 5.1% e ndërmarrjeve aktive në inovacion përfituan financim publik, ndërsa 7.1% përdorën lehtësi fiskale për investimet në inovacion.
Komente









