/ATSH/- Në muajin prill 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 miliardë lekëve, duke u ulur me 10 % në krahasim me muajin prill 2014 dhe 7,8 % në krahasim me mars 2015.
Sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statisitkave, INSTAT mbi tregtinë e jashtme në muajin prill 2015 importet e mallrave arritën vlerën 43 miliard lekë, duke u ulur me 2 % në krahasim me prill 2014 dhe 2,2 % në krahasim me mars 2015.
Defiçiti tregtar i këtij muaji është 23 miliard lekë, duke u rritur me 6,5 % krahasuar me prillin e 2014-ës dhe 3,3 % në krahasim me marsin e 2015.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,7 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,0 %), Greqia (7,9 %), Turqia (6,6 %) dhe Kina (6,6 %). Në prill 2015 eksportet drejt vendeve të BE-së janë ulur 25,3 %, krahasuar me një vit më parë, duke zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej.
Peshën më të madhe të eksporteve drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 67,9 %, Spanja me 6,3 % dhe Greqia me 5,6 % të eksporteve gjithsej. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2014 janë: Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania. Ndërsa, vendet me të cilët ka pasur ulje të eksporteve janë: Spanja, Kroacia dhe Italia.
Eksportet, drejt Kosovës dhe Kinës, në Prill 2015 krahasuar me një vit më parë, janë rritur duke zënë respektivisht 13,4 % dhe 4,0 % të eksporteve gjithsej, ndërsa eksportet drejt Turqisë janë ulur duke zënë
2,7 % të eksporteve gjithsej.
Sipas INSTAT-it, në muajin prill importet nga vendet e BE-së janë rritur 3,7 %, krahasuar me muajn prill 2014, duke zënë 63,6 % të importeve gjithsej. Peshën më të madhe të importeve nga vendet e BE-së e zënë: Italia me 49,6 %, Greqia me 15,5 % dhe Gjermania me 9,5 %. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me muajin prill 2014 janë: Spanja dhe Italia.
Ndërsa vendet me të cilët ka pasur ulje më të madhe janë: Greqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar. Importet, në muajin prill 2015 krahasuar me një vit më parë, nga Turqia dhe Kina janë rritur duke zënë respektivisht 8,5 % dhe 7,8 % të importeve gjithsej, ndërsa importet nga Kosova janë ulur duke zënë 1,2 % të importeve gjithsej. /