Nga ana tjetër, sipërfaqja e caktuar për këto leje ndërtimi, në qarkun Tiranë, është 147,028 m2. Ajo që shquhet më shumë, nga këto të dhëna të publikuara nga INSTAT-i, është se gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2013, qarku i Tiranës ka rezultuar me numrin më të vogël të lejeve për ndërtesa të reja, duke pasur parasysh se në këtë qark ndodhet edhe kryeqytetit i vendit, i cili ka aktivitetin më të madh ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë, sipërfaqja totale, që rezulton nga lejet e ndërtimit për ndërtesat e reja në qarkun e Tiranës, është më e madhja në të gjithë vendi.
NE 3-MUJORIN E 3 TE 2013 NUMRI I LEJEVE U RRIT ME 150 %
Në bazë të të dhënave të INSTAT-it, lejet e miratura për ndërtesa banimi zënë 61,4% të totalit të lejeve, ndërsa ato për ndërtesat jo rezidente zënë 38,6 %. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2013, totali i lejeve të ndërtimit të miratuara është rritur me 150,5%. Ndërsa, krahasuar me 3-mujorin paraardhës, gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2013, totali i lejeve të ndërtimit të miratuara është rritur me 129,6%.
Statistikat tregojnë se 99,9% e lejeve të ndërtimit e zënë ndërtesat. Nga ana tjetër, në kuadrin e lejeve të miratuara për ndërtesat sipas klientëve, gjatë periudhës korrik-shtator të vitit 2013, 96.4% të tyre e zënë klientët privatë. Ndërsa përsa i përket lejeve të miratuara për punime inxhinierike sipas klientëve, klientët shtetërorë zënë 95,8% të tyre.
NE KUKES U DHANE 27 LEJE NDERTIMI
Një tjetër e dhënë interesante është numri i lejeve të ndërtimit që janë miratuar në qarkun e Kukësit. Sipas të dhënave të INSTAT-it për 3-mujorin e tretë të vitit 2013, ky qark rezulton me numrin më të madh te lejeve të ndërtimit të miratuara në krahasim me të gjithë qarqet e tjera. Pra, për qarkun e Kukësit janë dhënë 27 leje ndërtimi nga 88 leje që janë dhënë në të gjithë vendin. Në kuadër të sipërfaqes që përfaqësojnë këto leje, të dhëna në qarkun e Kukësit, ato kapin shifrën 14,104 m2.
Në këtë prizëm, qarku i Kukësit renditet i treti në vend. Dy qarqet ku janë dhënë leje ndërtimi, të cilat të gjitha bashkë rezultojnë me sipërfaqen më të madhe, duke filluar nga 3-mujori i tretë i vitit 2012 e deri në 3-mujorin e tretë të vitit 2013, janë ato të Tiranës dhe të Vlorës. Nga ana tjetër gjatë kësaj përiudhe 1-vjeçare të lartpërmendur, në qarqet e Beratit, Dibrës dhe Lezhës nuk është miratuar as edhe një leje ndërtimi, nëse u përmbahemi statistikave të INSTAT-it
PËRPLASJET MES PUSHTETIT VENDOR DHE QENDROR
Gjatë viteve të fundit, ndërmjet pushtetit vendor edhe qendror ka pasur përplasje të shpeshta për sa u përket miratimit të lejeve të ndërtimit, kur këto kanë pasur përfaqësues të forcave të ndryshme politike, duke rezultuar në bllokime, sidomos në zona të rëndësishme ekonomike, siç është kryeqyteti.
(Në foto: Tabela me lejet e ndërtimit)
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)