Vitin e kaluar numri i të punësuarve në sektorin privat kaloi për herë të parë atë të të punësuarve në bujqësi. Sot Shqipëria ka për herë të parë më shumë të punësuar në biznese se sa në fshat. Respektivisht, 501 mijë vetë të punësuar në bizneset private dhe 456 mijë vetë të punësuar në bujqësi.
Papunësia
Të gjitha këto vlerësime dalin nga shifrat e përpunuara dhe të publikuara dje nga INSTAT. Sipas tyre, norma e papunësisë ka shënuar sërish rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas të dhënave të raportuara dje nga Instituti i Statistikave. Në tremujorin e katërt 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13.4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë si për meshkujt dhe për femrat ka rënë me 0.8 pikë përqindje. Edhe në raport me tremujorin e mëparshëm, papunësia ka rënë me 0.2 pikë përqindje.
Në fund të 2017-ës papunësia zbriti për herë të parë në nivelet para krizës. Aktualisht papunësia është 13.4 për qind, nga 13.8 për qind që ishte në 2009-ën. Në shifra absolute, janë rreth 3.000 të papunë më pak se vjet. Ky është i teti tremujor radhazi që papunësia shënon rënie në Shqipëri.
Kategoritë
Sipas INSTAT-it, shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 13.7% dhe për femrat është 12.9%. Shkalla e papunësisë për femrat është 0.8 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.
Kurse shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 24.6%. Në terma vjetorë, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2017 është 3.5 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e tretë 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar rënie prej 1.4 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 10.5%. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rritje të lehtë prej 0.1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë u rrit me 0.1 pikë përqindje.
Punësimi
Në fund të vitit 2017 shkalla e punësimit në vend arriti në 58.2%, duke vijuar rritjen për të pestin tremujor rresht. Shkalla e punësimit për meshkujt është 65.6%, ndërsa për femrat 50.8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2.8 pikë përqindje dhe për femrat me 1.2 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 34.9%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2017, shkalla e punësimit është 69.4%.
Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2016 në tremujorin e katërt të vitit 2017, është 4.3%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 8.4% në sektorin e shërbimeve dhe 7.3% në sektorin e industrisë. Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1.5%.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2017, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart shënoi një rritje prej 0.9%. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë me 4.5%, ndërsa në sektorët shërbimeve dhe bujqësi është në thuajse të njëjtin nivel.
s.k/Shqiptarja.com