Shqipëria është kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara për tu vizituar nga turistët e huaj. Sipas INSTAT, këtë vit 7.2 milion turistë të huaj kanë hyrë në territorin Shqiptar dhe 800 mijë të tjerë shtetas shqitarë kanë dalë jashtë territorit. Operatorja turistike, Jetmira Hoxha tha në Report Tv se, përvec qyteteve bregdetare, fluks turistësh ka pasur edhe në destinacionet historike siç janë Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, për të cilat vizitorët e huaj janë kuriozë për të shkuarën e Shqipërisë.

“Ky sezon turistik ka qenë ndër më të suksesshmit për Shqipërinë, vizitorët e huaj kanë preferuar destinacionet historike më së shumti, pa lënë pas Sarandën dhe Durrësin. Pushuesit preferojnë të njihen me historinë e vendit tonë, ndaj vizitojnë Krujën, BunkArt 1 dhe BunkArt 2, Apolloninë dhe Butrintin. Ndonëse prisnim që sezoni të mbyllej me shtatorin, akoma ka prenontime deri në muajin nëntor”.

Sa i takon tendencës në rritje të shqiptarëve për të pushuar jashtë vendit, operatorja turistike thotë se edhe këtë sezon turistik ishin besnikë të Turqisë

“Sipas raportimeve të INSTAT, destinacioni i preferuar për shqiptarët mbetet Turqia. Antalia dhe Bodrumi kanë qenë ndër vendet më të vizituarat nga pushuesit shqiptarë, të ndjekura nga Greqia, Spanja, Italia dhe destinacione të largëta, por gjithmonë duke i qëndruar besnikë pushimeve me duar në xhepa. Shqiptarët më së shumti preferojnë Turqinë sepse janë më komodë, pasi çdo gjë është e përfshirë në çmimet e paketave turistike. Trend i shqiptarëve për të pushuar jashtë Shqipërisë ka ardhur në rritje. Vit pas viti njerëzit preferojnë të pushojnë qoftë në fundjavë apo në pushimet verore jashtë”