TIRANE - Në muajin Qershor 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 22 miliardë lekë, duke u rritur me 8,2 % në krahasim me Qershorin 2013, por në ulje në masën 11,3 % në krahasim me Majin 2014, njofton Instituti i Statistikave.

Rritje më të madhe vjetore ka patur në eksportet e grupeve: “Tekstile dhe këpucë” me 24,1 %, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 23,9 % dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 14,1 %.
 
Ulje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 23,7 %.

Sa i përket importit, në Qershor ai arriti vlerën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 17,9 % në krahasim me Qershor 2013 dhe 1,4 % në krahasim me Maj 2014. Rritje më të madhe vjetore ka patur në importet e grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 35,2 %, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 31,8 %, “Produkte kimike dhe plastike” me 24,6 % dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 18,9 %.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 26 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme me 27,5 % krahasuar me Qershor 2013 dhe 15,5 % në krahasim me Maj 2014.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65,4 % të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,1 %), Greqia (7,2 %), Turqia (6,5 %) dhe Kina (5,1 %).

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)