Sektori i peshkimit e mbylli vitin 2025 me më pak prodhim, edhe pse numri i operatorëve të licencuar u rrit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se zëniet totale të peshkut nga të gjitha kategoritë ujore arritën në 15.153 tonë, 7,9% më pak se në vitin 2024, kur ishin 16.452 tonë.

Akuakultura vijon të japë kontributin më të madh në prodhimin e peshkut, me 6.549 tonë ose 43,2% të totalit, e ndjekur nga peshkimi detar me 4.426 tonë dhe ujërat e brendshme me 3.007 tonë. Megjithatë, edhe akuakultura shënoi rënie prej 8,6% në krahasim me një vit më parë.

Brenda sektorit, e vetmja kategori që regjistroi rritje të ndjeshme ishte ajo e molusqeve. Zëniet u rritën me 158,2%, nga 213 tonë në vitin 2024 në 550 tonë gjatë vitit 2025. Në të kundërt, peshkimi në laguna ra me 8,2%, ndërsa zëniet në bregdet u ulën me 12,1%.

Sipas statistikave, karkaleci i thellësisë, sardelja dhe merluci ishin speciet kryesore të zëna në det, bregdet dhe laguna, ndërsa në ujërat e brendshme dominuan karasi, skorta dhe krapi.

Gjatë vitit 2025 u prodhuan dhe u hodhën në liqenin e Ohrit 1,2 milionë rasate të troftës ylber, 2 milionë rasate të koranit dhe 0,6 milionë rasate krap.

Ndërkohë, numri i subjekteve të licencuara për aktivitet peshkimi arriti në 854, ose 21 më shumë se një vit më parë. Flota operon kryesisht në Nën-Zonën Gjeografike 18, në Adriatikun e Jugut, ndërsa porti i Durrësit përqendron pjesën më të madhe të anijeve të licencuara, i ndjekur nga Vlora.

kliko këtu për dokumentin e plotë