Institucionet, 770 milionë euro dëm ekonomik dhe efekt negativ në buxhet nga parregullsitë

Institucionet, 770 milionë euro dëm ekonomik dhe efekt negativ në buxhet nga parregullsitë

Foto ilustruese

Institucionet publike i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 13 milionë eurosh në të ardhura dhe shpenzime, ndërkohë që efekti negativ për shkak të parregullsive është shumë më i lartë.

Sipas llogaritjeve të bëra nga institucioni suprem i auditit, këto parregullsi kanë pasur efekt negativ prej 88.5 miliardë lekësh, apo 756 milionë euro. Në total dëmi nga këto dy elemente është rreth 770 milionë euro.

KLSH ka sqaruar se dëmi ekonomik i referohet detyrimit të shpërblimit monetar të një individi ose subjekti që i shkaktohet entit shtetëror të audituar në lidhje me veprime ose mosveprime në cenim të disiplinës financiare dhe kuadrit rregullator përkatës.

Kurse efekti negativ në performancën e subjekteve nën auditim u referohet efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe menaxhimit me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike.

Fushat me shkeljet më të larta

Nëse u referohemi të dhënave të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, fusha e parë ku ka pasur shkelje tek të ardhurat dhe kategorizuar si dëm ekonomik është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore.Ndërkohë sa i takon dëmit ekonomik në shpenzime, fusha që mban rekordin është ajo e investimeve dhe pas saj vijnë pagat, sigurimet dhe shpërblimet.

Edhe tek efektet negative për shkak të parregullsive, fusha me shkeljet më të mëdha në grupin e të ardhurave është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ndjekur nga zbatimi i legjislacionit tatimor në qeverisjen lokale.

Në grupin e shpenzimeve, pjesën më të madhe e mban kategoria “të tjera”, ndjekur nga shpenzimet për investime dhe pas saj shpenzimet operative.

Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i përfshijnë të gjithë institucionet e administratës publike por vetëm ato që janë audituar sipas programit të parashikuar. Referuar raportit vjetor gjatë vitit 2022, auditimet janë zhvilluar në 205 subjekte.

Ato kanë përfshirë institucione të qeverisjes qendrore: ministri dhe agjenci përfshirë: drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre; njësi të vetëqeverisjes vendore: qarqe dhe bashki; institucione që administrojnë fonde speciale: ISSH dhe FSDKSH, institucione të pavarura; shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

Sipas KLSH në institucionet e audituara gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, KLSH ka adresuar gjithsej 5,420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3,283 masa organizative; 1,047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet./monitor

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë