Miliona euro të parashikuara për investime gjatë vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të këtij viti nuk shpenzohen nga institucionet dhe bashkitë, e nga ana tjetër Ministria e Financave raporton për rritje të detyrimeve që ka shteti për investime të kryera, por që nuk janë paguar.
Në tremujorin e parë të këtij viti rezulton se detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe vendore u rritën me 11.4 milionë euro në raport me vitin 2025 duke arritur në 72.6 milionë euro.

Edhe pse pushteti vendor ka vlerën më të madhe të detyrimeve të papaguara, rritja më e madhe në këtë tremujor të parë ka ardhur nga institucionet qendrore. Konkretisht 19.4 milionë euro i takon ministrive dhe 33 milionë euro bashkive.

Afro 28% e këtyre borxheve janë vetëm për fatura të palikuiduara të investimeve të bëra. Sipas raportit institucionet kanë 20.6 milionë euro detyrime për investimet nga 16.9 milionë euro vjet, dhe më problematike në likuidim rezultojnë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Bujqësisë. Sa i përket pushtetit vendor, kryesojnë bashkitë Vorë dhe Pogradec.

Pas investimeve, janë 7.6 milionë euro borxhe për shërbimet që institucionet kanë marrë nga privati por ende nuk kanë paguar dhe më pas vijnë vendimet gjyqësore që lidhen kryesisht me largimet e padrejta nga puna të punonjësve të administratës. Afro 7.3 milionë euro detyrime i përkasin kësaj kategorie, ku pjesa më e madhe është e përqendruar tek Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme.
Më pas janë 3.3 milionë euro borxhe për mallra të blera nga shteti të papaguara, si dhe 1.4 milionë euro detyrime të prapambetura për mirëmbajtje, problematika të hasura kryesisht tek bashkitë.
Komente











