KUKES - Prej vitesh pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore në qytetin e Kukësit, nuk shlyejnë detyrimet e tyre ndaj pushtetit lokal. Një gjë e tillë ka ndikuar negativisht në të ardhurat e Bashkisë, duke qenë se me ligj këto të ardhura përdoren për shërbimet që pushteti lokal ofron për qytetarët.

Të gjendur përballë këtij fakti bashkia Kukës pritet që të ndërmarë hapa ligjorë për të vjelur këto taksa të pa arkëtuara në arkën e saj. Kreu i Bashkisë ka deklaruar se do të shkohet akoma më tej, duke sekuestruar pasuritë që këto institucione disponojnë. Një praktikë e tillë pritet që të ndiqet edhe për të gjitha subjektet private të cilat prej vitesh nuk shlyejnë taksat dhe tariat vendore.

Drejtori i të ardhurave pranë Bashkisë Kukës, Pajtim Duraku ka theksuar se “Edhe për vitin që lamë pas, por edhe për vitin 2013, vijonë problematika e pagesës së taksave nga pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore që operojnë në Kukës”.

Ndërsa kryebashkiaku Hasan Halilaj shprehet se një ndër problemet kryesore që Bashkia do ta ketë prioritet edhe për vitin 2013 është vjelja e debidorëve.

“Jemi në një shifër që realisht është dramatike, jemi 7% të vjeljes së debitorëve që nga krijimi i institucionit të Bashkisë. Do të zbatohen të gjitha procedurat për vjeljen e debitorëve, do të zbatohet procedura ligjore deri në momentet kritike, që ne nuk dëshirojmë, por do të shkojmë në ekstrem deri në konfiskim të mallit ose pasurive të individit të cilët kanë detyrime ndaj Bashkisë Kukës. Një shqetësim tjetër është të ardhurat nga subjektet shtetërore. Është e pa falshme që shifra 23 % e detyrimeve që kanë subjektet shterore detyrim ndaj Bashkisë Kukës është shifër që duhet vlerësuar si nga ana jonë, por edhe nga institucionet shtetërore. Subjektet shtetërore çdo fillimviti kanë buxhetin e tyre dhe duhet të planifikojnë të gjitha shërbimet që u bëhen nga Bashkia për t’i paguar. Shërbime këto që u ofrohen për pastrim, gjelbërim, ndriçim, taksën e ndërtesës dhe zënien e hapësirës publike”, u shpreh kryebashkiaku Halilaj.

Më tej Halilaj u tregua i vendosur dhe deklaroi se Bashkia nuk do të tolerojë as institucionet shtetërore as ato private që të bëjnë likujdimin e detyrimeve.

“Do të evidentohen të gjitha subjektet shtetërore, private dhe familjare të cilat nuk e njohin absolutisht arkën e Bashkisë, ose thënë ndryshe janë enikzistent. Nuk do të tolerojmë as institucionet shtetërore as ato private, t’i drejtohen arkës në mënyrë që ne të kryejmë shërbimet, ndërsa ata të bëjnë lekujdimin e detyrimeve. Në këtë nismë nuk do të ketë selektime, dikush po dhe dikush jo, ne do të ndjekim të gjitha hapat ligjore që na jep ligji deri në bllokim të pasurive të debitorëve që kanë ndaj Bashkisë”, përfundoi Halilaj.

Për vitin 2012 niveli i të ardhurave në Bashkinë Kukës ka qenë në masën 69 për qind ose e shprehur në shifra rreth 52 milionë lekë. Taksa e ndriçimit është mbledhur në masën 90 %, ajo e aluiznit në masën 47 %, e ndërtimit 26 %, e institucioneve shtetërore 23 %.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)