Statistikat e sakta dhe cilësore, prodhojnë politika më produktive në të gjitha aspektet ekonomike e sociale. Për Bashkimin Evropian ato nuk janë thjesht shifra, ndaj kërkohet rritje e profesionalizmit pasi “shifrat e sakte” janë kyç edhe për të përparuar në rrugën e negociatave.
“Statistikat janë gjuhë e provave. Si mund të vlerësohet konvergjenca për kapitullin 17 për politikat ekonomike edhe monetare pa patur të dhëna të besueshme? Si mund të vlerësohet bujqësia, mbështetja sociale, mbrojtja e mjedisit, përdorimi i fondeve të BE-së pa patur të dhëna të besueshme në lidhje me shpenzimet apo emetimet në ajër. Pavarësia, profesionalizmi, sigurimi i cilësisë dhe koordinimi nuk janë thjesht kërkesa burokratike.”, tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit të Delegacionit Evropian në Shqipëri.
Në ditën Botërore dhe Evropiane të Statistikave, drejtuesja e INSTAT, Elsa Dhuli e vuri theksin tek rëndësia e statistikave jo vetëm në procesin e integrimit por edhe në ekonominë e brendshme.
“Në këtë proces fjala kyçe është statistikat cilësore janë bazë për hartimin e politikave të mbështetura në fakte dhe shifra. Kjo u i jep statistikave një rol të pazëvendësueshëm në rrugën e integrimit evropian. Besimi në statistika zyrtare është i domosdoshëm për integrimin në BE dhe kjo nënkupton zbatimin e kodit të praktikave të statistikave evropiane”, tha Dhuli.
Kapitulli 18 i bisedimeve me Brukselin, i lidhur me ‘ Statistikat’, kërkon investime në infrastrukturën statistikore dhe përshtatje me standardet e BE, jo vetëm në nivel qendror por edhe në atë lokal.
“Të dhënat e besueshme të bashkëkrijuara me aktorët lokalë hedhin themelet për një qeverisje llogaridhënëse. Ne duhet të fokusohemi tek statistikat që ato të jenë të lehta për të kuptuar, të besueshme për të fuqizuar shoqërinë civile, biznesin, mediat, akademinë dhe aktorët lokalë”, tha ambasadorja e Zvicrës së Shqipëri Ruth Huber.
Plotësimi i ‘detyrave’ për të arritur përshtatje me standardet e BE-së në prodhimin e statistikave apo raporteve duhet të përmbushet brenda 2027-ës, kur është objektivi për të mbyllur negociatat për integrimin e vendit.
Komente






