Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të realizohet pa përfshirjen e komunitetit të biznesit. Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, propozoi që gjatë vizitës së saj të ardhshme në Shqipëri të zhvillojë takime me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Sipas Kos, reformat dhe përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së krijojnë kushtet për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e mirëqenies ekonomike.

Në diskutimet në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, komisionerja u ndal edhe te nevoja për më shumë transparencë, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë ndryshimet që sjell procesi i anëtarësimit. Një tjetër prioritet është arsimi, ku Kos veçoi mundësitë e shkëmbimeve të të rinjve me vendet e BE-së.

Komisionerja kujtoi se transformimi i vendeve kandidate kërkon kohë dhe në disa raste edhe dekada.

“Një shndërrim i vërtetë kërkon kohë. Kur shkoj në vendet kandidate që janë më larg se ju në këtë anëtarësim, e shoh që gjërat nuk mund të ndodhin sot për nesër. Nganjëherë kërkohen dekada. Ky është një proces. Jam dakord që transparenca dhe komunikimi janë shumë të rëndësishme. Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë çfarë po ndodh. Herën tjetër kur të vij në Shqipëri, të organizojmë një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit. Na ndihmoni që t’i angazhojmë dhe dua të angazhohem me ju sipas sektorëve. Komuniteti i biznesit është i rëndësishëm, se begatia e Shqipërisë do të bëhet e mundur falë reformave. Pas bazës ligjore vijnë investimet dhe rritet begatia. Pa bizneset s’mund të ndodhë procesi i anëtarësimit. Ne duhet të kujdesemi edhe për arsimin. Një nga përfitimet më të mëdha të anëtarësimit janë shkëmbimet e të rinjve që shkojnë në BE. Sa më pranë të jeni vijës së finishit, aq më pak do të keni nevojë për mua, por unë do të doja të vija gjithnjë e më shpesh”, tha Kos.


Lajmi kryesor:

Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë