Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, insistoi që shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, duhet të bëhen pjesë e familjes evropiane, sepse, siç tha ajo, pa këto shtete, “unioni ynë nuk do të jetë i kompletuar”.
Von der Leyen më 14 shtator mbajti fjalimin vjetor në Parlamentin Evropian.
Gjatë këtij fjalimi, shefja e KE-së tha se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke i forcuar lidhjet me shtetet demokratike në kontinentin evropian.
“Kjo fillon me ato shtete që tashmë janë në rrugë drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre në secilin hap të kësaj rruge, sepse rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian është e njëjtë. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji ta dinë: ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja e juaj është në union, dhe unioni ynë nuk është i kompletuar pa ju”, tha Von der Leyen.
Shefja e Komisionit Evropian përmendi Ballkanin në disa pjesë të fjalimit të saj, kur foli për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.
“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë fillon me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe, ne duhet të mobilizojmë fuqinë tonë kolektive”, tha ajo.
Mbështetje për idenë e Bashkësisë Politike Evropiane
Duke folur për rrugën e anëtarësimit në BE, presidentja e KE-së mbështeti idenë për formimin e një Bashkësie Politike Evropiane, duke shtuar se propozimet për këtë temë do të paraqiten gjatë samitit të bllokut evropian.
Samiti i BE-së pritet të zhvillohet në tetor në Pragë, ku do të marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderët e vendeve evropiane që nuk janë në BE, sikurse Britania e madhe, Norvegjia dhe vende të tjera.
Idenë për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane e kishte përmendur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë kryesimit të vendit të tij me Presidencën e BE-së. Idenë e Macronit e kishte mbështetur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Von der Leyen tha se krijimi i kësaj bashkësie nuk do të kishte “për qëllim që ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së.
Putin "do të dështojë, Ukraina do të triumfojë"
Pjesa më e madhe e fjalimit të Von der Leyen iu kushtuar pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe pasoja që ka shkaktuar kjo luftë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe botën, përfshirë edhe rritjen e madhe të çmimit të naftës dhe gazit.
E veshur me rroba me ngjyra të flamurit të Ukrainës, Von der Leyen tha se BE-ja veçse ka zvogëluar dukshëm varësinë me furnizime të energjisë ruse.
Ajo rikujtoi se vitin e kaluar, BE-ja merrte 40 për qind të gazit nga Rusia, ndërkaq sivjet kjo përqindje ka rënë në 9 për qind.
Mysafire e veçantë gjatë fjalimit të Von der Leyen në Parlamentin Evropian ishte bashkëshortja e presidentit të Ukrainës.
Duke folur për sanksionet ndaj Rusisë ajo tha se ato po japin rezultat dhe ato “janë aty për të mbetur”.
“[Presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin do të dështojë, Ukraina dhe Evropa do të triumfojnë”, tha ajo.
Shefja e Komisionit Evropian, po ashtu, ka prezantuar disa masa për të ulur konsumin e energjisë gjatë dimrit, teksa e akuzoi Rusinë se po manipulon me tregun e energjisë, duke djegur gaz dhe duke rritur çmimet e energjisë në tregjet botërore./ REL
Pse nuk i fusin te 6-ta në 2023-2024 edhe mbaron muhabeti pastaj
Përgjigju