Inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në armatimet ushtarake! Frymëzuar nga Kissinger

Inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në armatimet ushtarake! Frymëzuar nga Kissinger

Rënia në kontakt me librin "Mbi Kinën" tĕ Kissingerit të shpie në ujëra të vrullshme, e për më tepër kur përpiqesh të shkëpusësh dhe ‘komentosh’ diçka nga puna e tij. Ideja për të shkruar mbi temën e paraqitur në titullin e këtij punimi ka rrjedhur nga studimet aktuale mbi inteligjencën artificiale (AI-artificial intelligence). AI, sikurse përmendet në Dufour (2018), referuar raportit të Qeverisë Britanike, përkufizohet si “teknologji me aftësinë për të kryer detyra që në çdo rast do të kërkonin inteligjencë njerëzore, sikurse perceptimi vizual, njohja e të folurit dhe përkthimi i  gjuhëve natyrale”. I njëjti raport shton gjithashtu se “një element kyç për zhvillim është aftësia e sistemit për të mësuar dhe për t'u përshtatur me përvojat ose stimujt e rinj, duke tejkaluar kështu qëllimin e programimit origjinal”. Risku duket i lartë kur AI gërshetohet me fushën e armatimeve ushtarake. Armët që përdorin AI, siç mund të deduktohet nga përkufizimi më sipër, kanë aftësinë e autonomisë, e cila përfshin për rrjedhojë edhe karakteristikën e përgjegjësisë. Karakteristika e fundit mund të ketë rezultate të paprecedentë nëse lihet e parregulluar etikisht dhe ligjërisht. Eseja e Kissinger mund të jetë shkruar për shumë arsye, por ajo që duket në pamje të parë tregon situatën reale në botë, e cila duhet patur në vëmendje nga udhëheqësit politikë të shteteve të mëdha, nga liderët e sotshëm dhe të ardhshëm të SHBA-së dhe Kinës, dhe risjell në skenë idenë se, e kaluara nuk mund të harrohet lehtë. Shqetësimet e Kissinger-it përgjatë librit dhe esesë së fundit të tij, mbi të cilën jam bazuar, qëndrojnë edhe për vendet e tjera të Paqësorit dhe Atlantikut, të cilat në vazhdimësi të shekullit të 21-të shënojnë botën shumëpolare. Në esenë e tij ai përqendrohet në parashikimet e Crow-it për disekuilibrin politik që nxiti Luftën e Parë Botërore, në Evropë, në fillim të shekullit të 20-të.

Implikimet e AI-së për të sotmen dhe të ardhmen, priren të shkojnë paralelisht me parashikimet e Kissinger-it. Për të arritur në kushtet dhe aftësitë e tij parashikuese, paraqiten të dhënat dhe planet e mëposhtme, të cilat shpjegojnë se si shumë shtete, dhe veçanërisht shtetet më të dalluara në skenën botërore po armatosen vazhdimisht, dhe pse përdorimi i AI-së në ushtri kombinuar me armët atomike nënkupton një rrezik më katastrofik.

Të dhënat e armatimeve, projektet dhe rreziqet e armëve duke përdorur AI

Nëse të dhënat e faqes së njohur të Statista.com do të merren parasysh me kujdesin maksimal, mund të shihet një rrezik i fshehur nën shifrat e saj. Në raportin ku paraqiten shpenzimet ushtarake botërore për periudhën kohore 2001-2020, vihet re një rritje e tyre nga 1 139 miliardë dollarë në  1 981 miliardë dollarë. Një rritje në vlerë relative me 73%, ose me 842 miliardë dollarë në masë ablosute. Nëse fokusi i kushtohet sërish shifrave, kryesisht për SHBA-në dhe Kinën, mund të vërehet gjithashtu se Kina ka rritur investimet e saj me 74% nga viti 2011-2020, ndërsa SHBA-ja i ka ulur me 10% për të njëjtën periudhë kohore. Shpërndarja e përgjithshme e shpenzimeve ushtarake në vitin 2020 në shifra relative tregon, megjithatë, se SHBA siguron 39% të shpenzimeve botërore të ushtrisë ndërsa Kina vetëm 13%. Kjo thekson gjithashtu parashikimin e Kissinger-it për shtrirjen afatgjatë të Kinës. Ajo po zgjeron buxhetin e saj ushtarak, ndërkohë që SHBA-të janë ende në vijën e parë për shpenzimet e përgjithshme në masë absolute, por me trend zvogëlues. Kissinger, i cili ka një këndvështrim pragmatik në qasjen politike, për t’i dhënë një kuptim bashkë-ekzistencës së interesave të ndryshme në botë, shpjegon në fund të esesë së tij se vendet duhet të bashkë-evoluojnë dhe jo të konkurrojnë vazhdimisht. Për të, koha kërkon bashkë-evolucionin në mënyrë që të shmanget konflikti. Por, siç dëshmohet qartë, shifrat nxjerrin në pah se vendet e SHBA-së dhe Kinës, gjatë kësaj kohe 10-vjeçare nga 2011 në 2020, kanë pasur një ecuri të ashpër konkurruese në drejtim të armatimit. Numrat tregojnë vetëm një pjesë të panoramës reale. Ajo që harrohet shpesh është shtrirja dhe tendenca e shifrave të tilla, situata e nënkuptuar pas tyre. Për të kuptuar më qartë shifrat, janë marrë më poshtë planet dhe studimet, të cilat  evidentohen gjithashtu në terren. Aktualisht, po zhvillohen projekte të mëdha për ushtritë e të dy vendeve dhe jo vetëm, duke shfrytëzur AI. Kjo teknologji, njihet edhe si një teknologji “disruptive” ose thyerëse, për efektin domethënës që po sjell vazhdimisht në shumë fusha të jetës. Ajo që është e rrezikshme, duke ndjekur edhe shqetësimet e Kissinger, është mënyra se si do të kontrollohen armët e implementuara duke përdorur AI?

Frika nga sjelljet e  liderëve të deritanishëm dhe studimet në terren pohojnë se të dy vendet, SHBA dhe Kina, po bëjnë projekte që nxisin të zbulojnë se si AI mund të dominojë teknologjinë ushtarake. Plani i Kinës për AI përshkruhet në "Planin e Zhvillimit të AI, të Gjeneratës së Re të Kinës”, i cili tregon shkallën e gjerë të prioriteteve të brendshme dhe investimeve në AI. Nga ana tjetër, SHBA-ja në mars 2019 nisi iniciativën e AI, si një mjet për të përdorur AI në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, mes tyre edhe për arsye sigurie. Ka edhe përpjekje nga Rusia dhe Bashkimi Evropian (BE) që tregojnë rëndësinë e AI në siguri. Në Johnson (2020) trajtohet, që në pasazhet fillestare të punimit, mënyra se si dhe pse AI mund të ndikojë në stabilitetin strategjik (për çfarë shqetësohet Kissingeri) midis fuqive të mëdha bërthamore si SHBA-ja dhe Kina. Nuk ka përshkrim më të mirë se si armët e mbështetura mbi AI mund të ndryshojnë pikëpamjen për situatën aktuale, sikurse përshkruhet në paragrafin vijues, “Për momentin, mbetet aksiomatike që vendimet njerëzore mund të përshkallëzojnë një situatë të caktuar; megjithatë, teknologjia ushtarake duke u zgjeruar me [AI], që mundëson funksionimin me shpejtësi të aftësive sulmuese, me rreze dhe vdekshmëri më të lartë. do ta orientojë gjendjen drejt përshkallëzimit, duke kapërcyer pragjet normale e  do të krijojë një nivel konflikti strategjik ….[…]. .. Kështu që, derisa ekspertët të mund të zbulojnë disa nga veçoritë e paparashikueshme, të brishta, të dhe të pashpjegueshme të [AI], kjo teknologji do të vazhdojë të tejkalojë strategjinë politike, kësisoj gabimi njerëzor bashkë me gabimin e makinës ka të ngjarë të ndërlidhen me njëri-tjetrin – me efekte të pariparueshme dhe të paqarta. ”

Fjalët "efekte të pariparueshme dhe të paqarta" theksojnë efektet e paprecedentë që mund të ketë përdorimi i armëve të tilla që kanë aftësinë e autonomisë. Çfarë duhet bërë për të kontrolluar këtë rrezik të ardhshëm të përdorimit të degës së teknologjisë së informacionit të AI në ushtri e për të mos qenë në prag të një lufte katastrofike jo-konvencionale? A duhet të bashkëpunojnë shtetet më të fuqishme (por jo vetëm) në fushën specifike duke nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare për kufizimin e keqpërdorimit të armëve të AI, në një kohë kur ekziston frika se historia përsëritet me të njëjtat objektiva, të marrjes së pushtetit, por me mjete të ndryshme?

Ndërsa të dyja vendet (SHBA dhe Kina), por jo vetëm, po zhvillojnë këto armë të fundit dhe po bëjnë plane të mirëmenduara, vërehen vështirësi në parashikimin e Kissinger-it për bashkë-evolucionin. Frika e përsëritjes së historisë, çka Crowe dyshoi një shekull më parë, e parashikuar para Luftës së Parë Botërore, është më afër se asnjë herë tjetër. Për të mos përmendur që pas nisjes së krizës botërore shëndetësore Covid-19, shtetet janë të lodhura dhe me një dyshim të rritur ndaj Kinës, sa i takon marrjes së përgjegjësisë në fushën ndërkombëtare. Po ashtu, tensionet në Detin e Kinës Jugore dhe çështja e fundit “AUKUS”, bashkë me tensionet për zotërimin e Tajvanit, mbështesin më tepër dyshimet e Perëndimit ndaj Kinës. Efektet e teknologjisë shkatërruese duke përdorur AI, gjithashtu mund të riorganizojnë ekuilibrin midis shteteve edhe në Aleancën më të madhe ushtarake të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO-s). Shqetësimi i ngritur nga Aleanca së fundmi është nëse, armët e AI-së do të mund të sigurojnë një ndërveprim simetrik midis shteteve të saj, apo jo. "Një mospërputhje e thellë teknologjike midis aleatëve mund të gërryejë gjithashtu kohezionin politik dhe ushtarak të Aleancës duke krijuar pakënaqësi midis vendeve”, shkruhet në Dufour(2018). Çfarë mund të bëhet kur ka gjithnjë e më shumë paqëndrueshmëri midis vendeve, aleancave dhe superfuqive në lidhje me politikën e armëve të mbështetura në AI?

Konkluzione.

Në përfundim, ajo që nevojitet sa më parë, është vullneti për të gjetur një mënyrë të re të trajtimit të rasteve të tilla të ndjeshme. A është thelbësore që përdorimi i AI-së në armatim të sjellë edhe një vullnet për bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar? A mund të ketë një marrëveshje ndërkombëtare, për të ardhur në kushtet e kufizimit të marrëveshjeve të armëve bërthamore të kombinuara me teknologjinë AI? Po. Shtetet mund dhe duhet të bashkëpunojnë, jo vetëm të bashkë-evoluojnë, për të pohuar vullnetin e tyre për një rend të ri të zhvillimit dhe përdorimit të armatimeve. Është urgjente të bëhen plane dhe udhëzime nga inteligjenca njerëzore, e cila ka karakteristikën e përgjegjësisë. Kur bëhet fjalë për përdorimin e AI-së në terma të riskut të lartë që mund të sjellin për shoqërinë, duhet të ketë një protokoll etik dhe teknik, një mënyrë të trajtimit të rasteve që minimizon ose rregullon qartë, përdorimin e AI-se në ushtri dhe një marrëveshje më specifike ndërkombëtare që të zvogëlojë veprimet e nxituara të shteteve me të fuqishme. Përndryshe, në ndikimin e AI-së dhe specifikisht nën mungesën e përgjegjësisë që ajo nënkupton, njerëzimi do të bjerë në një gjendje lufte të pandalshme, e cila të çon vetëm në një të ardhme të errët.

Bibliografia

1.Martin Dufour, A do ta sfidojë inteligjenca artificiale ndërveprueshmërinë e NATO-s? Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s (2018)

2.Dhoma e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, “UA në MB: gati, e gatshme dhe e aftë?”, Raporti i Sesionit 2017-19, Prill 2018, f.14.

3.Inteligjenca Artificiale Frank Sauer në Forcat e Armatosura: Mbi nevojën për rregullim në lidhje me autonominë në sistemet e armëve, Akademia Federale për Politikat e Sigurisë (2018).

4.Kissinger, On China, (New York 2012), Penguin, fq. 524-534.

5.Kissinger, On China, (New York 2012), Penguin, fq. 524-534.

6.www.statista.com Qasja e fundit më 21 gusht 2021.

7.https://www.statista.com/statistics/264434/trend-of-global-military-spending/ qasja e fundit më 21 gusht 2021.

8.https://www.statista.com/statistics/272494/longterm-changes-in-military-spending-in-highest-spending-countries/ aksesi i fundit më 21 gusht 2021.

9.https://www.statista.com/statistics/272481/share-of-selected-countries-in-world-military-spending/ qasja e fundit më 21 gusht 2021.

10.Antony Pfaff, Etika e përvetësimit të teknologjisë përçarëse, në PRISM, vëll. 8, nr 3 (2019), fq 128-145.

11.Lora Saalman, Eksplorimi i AI dhe platformat pa pilot në Kinë, Vëllimi II Perspektivat e Azisë Lindore, (2019), f.44-49.

12.Lora Saalman, Eksplorimi i AI dhe platformat pa pilot në Kinë, Vëllimi II Perspektivat e Azisë Lindore, (2019), fq.44-49

13.https://futureoflife.org/ai-policy-united-states/ qasja e fundit më 21 gusht 2021.

14.Daniel Fiott dhe Gustav Lindstrom, AI: Çfarë implikimesh për sigurinë dhe mbrojtjen e BE-së? Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS) (2018).

15.James S. Johnson, AI: Një kërcënim për stabilitetin strategjik, Strategic Studies Quarterly, Vol. 14, Nr. 1 (PRANVERË 2020), f. 16-39.

16.Martin Dufour, A do ta sfidojë inteligjenca artificiale ndërveprueshmërinë e NATO-s? Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s (2018).

________________

Denisa Millo (1990) ka përfunduar studimet e larta për Informatikë-Ekonomike. Pas përfundimit të studimeve iu bashkua botës akademike si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë, pranë Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar. Ajo është alumni e Konrad-Adenauer-Stiftung Albania, dhe anëtare aktive e AseV me qendër në Berlin. Puna e saj aktuale është e fokusuar në ndikimet e aspekteve të teknologjisë së inteligjencës artificiale në disa fusha specifike të ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare. Kontakt: [email protected]

xy/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Florian: 04/02/2022 19:48

    Inteligjenca Artificiale, nje fushe e rendesishme per zhvillimin e nje vendi dhe emancipimin e tij. Ne Shqiperi duhet te implementohet sa me shpejt kjo fushe dhe artikuj te tille sjellin iniciativen e nevojshme. Si cdo fushe e shkences, IA permban problematika te shumta qe kerkojne protokolle te ndryshme per te kontrolluar sjelljen dhe mbi-reagimin e nje sistemi IA. Konkluzionet ne kete artikull jane thelbesore dhe koherente per shoqerine tone. Suksese Denisa ne rrugetimin e pafundem te fushes se IA !

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 05/02/2022 14:20

      Faleminderit Florian!

  • dhurata hamzai: 02/02/2022 14:04

    Suksese Denisa, vajza me shpirt e mendje te bukur!

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:43

      Faleminderit Dhurata per fjalet e bukura!

  • Sofi: 02/02/2022 12:10

    Suksese Denisa Millo ne rrugetimin tend,vazhdo keshtu pasi do arrish majat.

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:43

      Faleminderit Sofi!

  • Kristi: 01/02/2022 21:21

    Vendi yne ka nevoj per nje pedagoge si ti Denisa. Sukses i merituar sepse nuk lodhesh duke publikuar studime intersante.

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:43

      Faleminderit shume Kristi! E vleresoj!!

  • Bora: 01/02/2022 21:19

    Studim shume interesant, informacion i detajuar dhe i renditur sakte dhe bukur. Terheqes dhe shume i qarte per ne si lexues. Suksese ne kerkime te vyera si ky !

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:42

      Faleminderit per kohen Bora!

  • Marsida: 01/02/2022 21:16

    Pafund e lumtur per cdo arritje tende!!!Shume suksese ne vazhdim !!!

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:42

      Faleminderit Marsida..????

  • Fatmira Doko: 01/02/2022 20:25

    Shume suksese zyshe Denisa . Gjithmone e shkelqyer ne kerkimet dhe studimet e saj ????????

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:42

      Faleminderit Fatmira!

  • Eva: 01/02/2022 20:11

    Suksese pedagoges Denisa millo Si gjithmone interesante Ne kerkimet e studimet e saj

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:41

      Faleminderit Eva!

  • Riselda: 01/02/2022 19:44

    Bravo nje studim i vyer

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:41

      Faleminderit Riselda!

  • Marsi: 01/02/2022 19:38

    Nje artikull i vyer dhe studim interesant,suksese pedagoges Denisa Millo si gjithmone interesante ne kerkimet e saj

    Përgjigju
    • Denisa Millo: 02/02/2022 21:41

      Faleminderit.

  • Sondazhi i ditës:
    12 Nëntor, 09:46

    Si i vlerësoni sulmet ndaj kreut të SPAK, Dumani, e drejtësisë së re?



×

Lajmi i fundit

Shpërthime në Kiev pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë

Shpërthime në Kiev pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë