Milan vendosi njërën dorë te titulli kampion këtë fundjavë teksa fitoi pastër 2-0 kundër Atalanta-s në atë që u cilësua si pengesa më e vështirë, të paktën në letër, për t’i prishur ëndrrën ‘djallit’. Në 'San Siron' e tejmbushur rezultatin e zhbllokoi Leao në pjesën e dytë, duke çuar në delir të gjithë të pranishmit për shkak të trysnisë që ishte krijuar.
Në vijim Theo Herandez dyfishoi shifrat, duke realizuar një gol mahnitës që rrallë shihet në futboll. Një inkurision nga mbrojtja në sulm që finalizohet me topin në rrjetë. ‘As Messi-n nuk e kam parë ta bëjë këtë,’- u shpreh në fund të ndeshjes portieri i Milanit Mike Maignan. Ndërkohë trajneri Pioli deklaroi se ‘është një vit emocionues dhe një fitore për lojtarët e mi’.
Gjithsesi festa e Milanit është shtyrë për javën e fundit të kampionatit, pasi edhe Inter bëri detyrën kundër Cagliari-t. Zikaltërit fituan 1-3 pa e vendosur ndeshjen kurrë në diskutim, duke treguar se luftës për titull do i shkojnë deri në fund pavarësisht se avantazhi i Milanit është i konsiderushëm.
Në këtë ndeshje shkëlqeu Lautaro me ‘dopietë’. Inter ka dy pikë më pak se Milanin kryesues kur ka mbetur edhe një javë kampionat. Në ndeshjen e fundit zikaltërit do përballen me Sampdoria-n, ndërsa do shpresojnë që Sassuolo të bëjë surprizën e madhe kundër Milanit, që i mjafton edhe barazimi për shkak të ndeshjeve direkte për t’u shpallur kampion.