Normat mesatare të interesit të kredisë për shtëpi pësuan rënie vitin e kaluar, duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të kreditimit në këtë segment.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në nëntor të vitit të kaluar ishte 4.2%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Norma mesatare e interesit të kredisë për shtëpi pësoi rënie për të dytin vit radhazi.
Rënie pësoi edhe interesi mesatar i kredive në monedhën Euro, që në nëntor 2025 zbriti në 5.16%, nga 5.23% që kishin qenë një vit më parë.
Ulja e normave të interesit të kredisë për shtëpi duket se ka ardhur nga tendenca e përgjithshme në rënie e normave të interesit në tregun financiar, por edhe nga konkurrenca e lartë mes bankave në tregun e këtij produkti.
Në korrik, Banka e Shqipërisë aplikoi një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit, në nivelin 2.5%, që u reflektua në interesa më të ulëta për produktet financiare, veçanërisht në tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare. Yield-et e bonove të thesarit zbritën pranë normës bazë të interesit ose poshtë saj, ndërsa yield-et e titujve afatgjatë madje në disa raste prekën nivelet minimale historike.
Yield-et e bonove 12-mujore janë instrumenti kryesor benchmark për kreditimin e sektorit privat në monedhën vendase. Rënia e tyre reflektohet edhe në norma më të ulëta për kreditë me interesa të ndryshueshme në Lekë dhe kjo ka bërë që interesat e kredive në monedhën vendase të pësojnë rënie të mëtejshme gjatë vitit 2025.
Kredia për shtëpi shënoi përsëri rritje të shpejtë gjatë vitit 2025, pavarësisht masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë dhe që hynë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit.
Që prej 1 korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Megjithatë, statistikat e 11-mujorit 2025 tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik. Sektori bankar disbursoi pothuajse 59 miliardë kredi, 24.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e portofolit arriti në 240.3 miliardë lekë, në rritje me 18% me bazë vjetore./Monitor
Komente








