Euro do të jetë monedha zyrtare në Shqipëri menjëherë pasi vendi të jetë pjesë e BE-së. Euro që përdoret masivisht në ekonomi, në secilën hallkë të saj, nga blerjet e shërbimeve apo produkteve, e deri tek kreditë e depozitat, do të jetë monedhë zyrtare e vendit.
Me ndryshimet e propozuara në ligjin e ri "Për Bankën e Shqipërisë" është përfshirë një kapitull ku përveçse cakton që euro do të emetohet si monedhë zyrtare, gjithashtu edhe vetë banka do ti përshtatet rregullave të Bankës Qendrore Evropiane.
I gjithë kapitulli XV i këtij projektligjit të hedhur në Konsultim Publik, është sqaruar se si do të funksionojë hedhja në qarkullim e euros, si do emetohet apo se si do të mbahet rezerva valutore.
“Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë do të jetë “Euro”. Banka e Shqipërisë do të fusë në qarkullim kartëmonedhat dhe monedhat Euro. Banka e Shqipërisë përcakton dizajnin e monedhave që emeton në përputhje me rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në 3 pikat e nenit 91 të projektligjit.
Me futjen e EURO-S si monedhë zyrtare të vendit ndryshon gjithashtu edhe mënyra se si mbahet rezerva valutore.
“Pas prezantimit të EURO-s si monedhë e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të mbajë dhe administrojë rezervat valutore në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian”, thuhet në nenin 94 të projektligjit.
Aktualisht, euro është monedha zyrtare e 21 nga 27 vendet e BE-së. Shtetet që ende nuk e kanë adoptuar euron si monedhë zyrtare janë Çekia, Hungaria, Polonia, Rumania, Suedia dhe Danimarka.
Në projektligjin e ri gjithashtu ka edhe ndryshime sa i takon kapitalit të bankës apo rezervës së përgjithshme. Kapitali i Bankës së Shqipërisë rritet në 6 miliardë lekë nga 2,5 miliardë që është aktualisht, ndërsa Rezerva e Përgjithshme nga 12.5 miliardë lekë aktualisht do të arrij në 30 miliardë lekë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Komente








