Interi është skuadra e fundit që siguron kualifikimin për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë ku do të ketë një dopio përballje me Napolin. Mbrëmë në “San Siro” zikaltërit edhe pse me vështirësi mposhtën 2-1 Fiorentinën dhe rikthehen mes katër më të mirave për herë të parë që nga sezoni 2015-2016. Antonio Candreva kaloi skuadrën e Contes në avantazh në fundin e pjesës së parë por për miqtë barazoi Caceres. Goli i fitores erdhi nga Nicolo Barella në minutën e 67-të. Debutuan me ngjyrat zikaltër Eriksen dhe Moses.
19 pikë më shumë se vendi i dytë dhe të 19-ta ekipet e Premier Leagues të mposhtura. Liverpooli fiton 2-0 në Londër ndeshjen e prapambetur ndaj West Ham dhe fut në kasafortë titullin kampion. Salah me penallti në pjesën e parë dhe në të dytën Chamberlain ishin autorët e golave. 23 fitore në 24 ndeshje për djemtë e Klopp dhe 70 pikë në krye të klasifikimit.
Ndërkaq finalja e Carabao Cup për këtë sezon në Angli do të jetë Aston Villa-Manchester City dhe do luhet më 1 mars në “Wembley”. City u mposhtë mbrëmë 1-0 nga United në Etihad pas golit të shënuar nga Matic. Humbje kjo që nuk prishi punë pasi ndeshjen e parë City e kishte fituar 3-1.
Real Madrid avancon në çerekfinale të Kupës së Mbretit. Los Blancos fituan lehtësisht 4-0 në “La Romareda” ndaj Real Zaragozza duke e zgjidhur çdo gjë që në pjesën e parë ku shënuan Varane dhe Lucas Vasquez. Në fraksionin e dytë erdhën edhe golat e brazilianit Vinicius dhe Benzema. Mes 8 më të mirave janë edhe Valencia, Bilbao, Villarreal e Sociedad./ Nga Andi Kapxhiu