Interi ka fituar trofeun e dytë sezonal. Pasi siguruan titullin kampion në Serie A, zikaltërit mposhtën këtë të mërkurë Lazion 0-2 në ‘Olimpico’ duke triumfuar në Kupën e Italisë. Ky është titulli i 10-të për zikaltërit në këtë event dhe do të meritojnë një yll të argjendtë. Më shumë trofe se ta ka vetëm Juventusi. Për Interin ky është sezoni i tretë në histori që fiton dy ose më shumë trofe.

NDESHJA - Zikaltërit e nisën takimin me ritëm të lartë dhe arritën të zhbllokonin shifrat që në minutën e 14-të. Një gabim në mbrojtjen e Lazios rezultoi fatal, pasi Adam Marusic devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin Interit.

Skuadra zikaltër nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 35-të dyfishoi rezultatin. Lautaro Martinez përfitoi nga një asist i saktë i Dumfries, doli përballë portierit dhe finalizoi me qetësi për 2-0.

Në pjesën e dytë, Lazio tentoi të rikthehej në lojë përmes goditjeve nga distanca. Isaksen dhe Noslin provuan të rrezikonin portën kundërshtare, por pa konkretizim.

Momenti kyç i fraksionit të dytë erdhi në minutën e 76-të, kur portieri Josep Martinez bëri një pritje vendimtare ndaj goditjes së Boulaye Dia, duke ruajtur rrjetën e paprekur.

Në fund, Interi ishte pranë golit të tretë me Zielinskin, por tentativa e tij kaloi ngjitur me shtyllën.