Jo shumë i bukur por efikas. Interi fiton edhe në Sardenjë ndaj Cagliarit falë sulmuesve Lautaro Martinez dhe Lukaku me shifrat 2-1 dhe mbetet në kryesim me 6 pikë po aq sa Juventusi. Lautaro Martinez kalon zikaltërit në avantazh por në fillimin e pjesës së dytë kur kishin kaluar 5 minuta vendasit barazojnë me Joao Pedro. Goli i fitores vjen me një penallti të fituar nga Sensi dhe të kthyer në gol nga Lukaku. Belgu nuk gabon dhe shënon golin e dytë radhazi me fanellën zikaltër.
Spektakël pa fitues në derbin e kryeqytetit. Lazio dhe Roma u ndanë në barazim 1-1 në një takim ku u goditën plot 6 shtylla katër nga bardhekaltërit e dy nga verdhekuqtë. Kolarov me penallti kaloi Romën në avantazh në pjesën e parë duke mposhtur Strakoshën ndërsa për Lazion barazoi Luis Alberto kur kishte kaluar një orë lojë.
Në La Liga Real Madrid vijon të ketë vështirësi dhe në transfertë ndaj Villarreal rrëmben vetëm një pikë pas barazimit 2-2. Villarreal morri dy herë avantazhin me golat e Gerard Moreno dhe Moi Gomez por për Los Blancos heroi ishte uellsiani Gareth Bale që barazoi dy herë duke realizuar dygolëshin personal. 5 pikë ka Real në renditje pas tre javëve të para.
Me pikë të plota dhe në kryesim të La Ligas është Atletico Madrid që mbrëmë rikuperoi një humbje 0-2 ndaj Eibar në fitore me shifrat 3-2. Joao Felix dhe Vitolo barazuan shifrat dhe më pas ai që e vendosi takimin ishte Thomas Party me golin në minutën e 90-të./ Përgatiti Andi Kapxhiu