Interi nuk gabon dhe ngre kokë edhe në Champions League. Zikaltërit mposhtën 3-1 surprizën e grupit D Sheriff Tiraspol dhe ngjiten në kuotën e katër pikëve. Dzeko, Vidal dhe De Vrij ishin autorët e golave për skuadrën italiane që i shkakton humbjen e parë edhe ekipit moldav. Sherifi mbetet në krye të grupit D me 6 pikë.
Fitore bindëse arriti në transfertë edhe Real Madrid që ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve. Spanjollët mposhtën ukrainasit e Shakhtar 5-0 dhe marrin vendin e dytë në grup. Ai që shkëlqeu më shumë se të tjerët ishte braziliani Vinicius autor i dy golave.
Në Champions Milani nuk po ngre kokë. Kuqezinjtë pësuan edhe humbjen e tretë në po kaq ndeshje duke mbetur të fundit në grupin B pa asnjë pikë. Porto e mundi minimalisht Milanin 1-0 me golin e Diaz dhe ngjitet në vendin e tretë me katër pikë.
Ndërsa Liverpooli tregoi gjithë potencialin e tij duke fituar 3-2 në Madrid ndaj Atleticos dhe kryeson grupin B me 9 pikë të plota. Nga dy gola realizuan Salah e Griezmann për ekipet e tyre por ai i egjiptianit ishte vendimtar. Atletico mbetet e dyta me 4 pikë.
PSG morri kryesimin e grupit A pasi mundi 3-2 Lajpcig. Me 7 pikë e kryesojnë francezët grupin e lënë pas Cityn. Mbappe zhbllokoi rezultatin ndërsa shkëlqeu Leo Messi me dy gola në minutat 67-të e 74.
Fitoren e dytë në grup e arriti edhe Manchester City. Anglezët luajtën tenis me Bryzh duke fituar 5-1 në transfertë ku dygolësh shënoi Mahrez.
Në grupin C Ajax është me pikë të plota duke siguruar tre fitore në po kaq ndeshje dhe është pranë kualifikimit. Holandezët mundën thellë 4-0 Dortmundin.
Tre pikët e para në grup i siguroi edhe Sportingu i Lisbonës që mundi në Stamboll Beshiktashin 4-1./Përgatiti Andi Kapxhiu