Ka mjaftuar një gjuajtje në portë për të fituar betejën e vështirë me Atalantën dhe për të bërë një hap të sigurt drejt titullit kampion. Interi fitoi 1-0 ndeshjen e fundit të javës së 26-të ndaj Atalantës në “San Siro” dhe ruan diferencën prej 6 pikësh nga Milani i vendit të dytë.
Sfida Inter-Atalanta ishte një betejë e vërtetë e vendosur nga episodi i minutës së 54-të kur mbrojtësi i zikaltërve Milan Skriniar pas një rrëmuje në zonë e dërgon topin në rrjetë dhe i jep tre pikë jetike kryesuesve të Serisë A.
Për bergamaskët një super ndeshje bëri mbrojtësi i Kombëtares sonë Berat Gjimshiti që e fitoi duelin personal me Lukakun. Për Interin kjo ishte fitorja e shtatë radhazi dhe dueli i radhës është ndaj Torinos.
Ndërkaq Chelsea fitoi 2-0 ndaj Everton në “Stamford Bridge” dhe blindon vendin e katërt pra zonën Champions. Falë një autogoli dhe penalltisë së kthyer në gol nga Jorginho blutë e Londrës sigurojnë tre pikë të rëndësishme në renditjen e Premier League./ Përgatiti Andi Kapxhiu