Një interpelancë u zhvillua sot në Kuvend mes ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit Blendi Gonxhja dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa me kërkesë të kësaj së fundit.
Objekti i kërkesës për interpelancë ishte për të marrë sqarime në lidhje me projektin TID në Durrës, ndikimin e tij në zhvillimin e turizmit, trashëgiminë kulturore dhe mbi të gjitha për pasojat që ai sjell për pronarët dhe banorët e zonës së prekur. Demokratja ngriti si shqetësim shpronësimin me bi 70 familjeve në zonën ku është projekttuar jetëzimi i projektit, për të cilët thotë se janë pronarë të ligjshëm.
Zhupa tha se se projekti TID shkatërron trashëgiminë e Durrësit ndërsa i drejtoi disa pyetje Ministrit Gonxhja se si është hartuar plani i projektit në fjalë, a janë bërë konsultime me banorët përpara se t’iu dërgohej dokumenti i shpronësimit dhe se cilat janë kriteret mbi bazë të të cilit është hartuar projekti në fjalë.
"Qyteti siç ka qenë 3 mijë vjeçar po kërkoni të shkatërrohet. Arsyeja pse thirra interpelancë është që ministri të na shpjegojë këtë sjellje pushtuesish në Durrës. Shkatërroni vendbanime. Si e keni bërë projektin? Si keni zgjedhur se kush do jenë kriteret për banesat që duheshin prishur? Cilat janë kriteret që keni përdorur për të bërë këtë masakër të qytetit të Durrësit? Përcudnim i identitetit të Durrësit. Ministri të shpjegojë a janë bërë konsulta me banorët siç e kërkon ligji. A janë informuar banorët përpara se t'i shkonte letra e shpronësimit? Si mund të zhvillohet turizmi i qytetit duke i shkatërruar identitetin dhe duke e bërë planin jo bashkia, por duke e bërë AADF-ja planin e një qyteti. Pse nuk bazohen në një plan të detajuar vendor, ky plan i shkatërrimit të Durrësit?" tha Zhupa.
Në përgjigje të kërkesës së Zhupës, Blendi Gonxhja tha se projekti në fjalë synon të rikualifikojë zonën ndërsa nënvizoi se qëllimi kryesor është restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës së ardhshme që ndodhet brenda zonës arkeologjike A, përmes rehabilitimit të shtëpive tradicionale, shesheve dhe objekteve.
Gonxhja tha se të gjitha familjet e përfshira në listat për shpronëzim, do të dëmshpërblehen sipas vlerës së tregut.
“TID Durrës synon të rikualifikojë zonën. Durrësi është një destinacion kryesor i itinerareve turistike. Qëllimi kryesor është restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës së ardhshme që ndodhet brenda zonës arkeologjike A, përmes rehabilitimit të shtëpive tradicionale, shesheve dhe objekteve. Amfiteatri antik integrohet në parkun arkeologjik TIP. Durrës është nyje esenciale, urë midis lindjes dhe perëndimit. Misioni nuk ka nisur pa u mirëanalizuar. Projekti vjen si ekselencë studimore italo-shqiptare. Është punuar edhe plani për menaxhimin e zonave arkeologjike të Durrësit për periudhën 2023–2030. Asnjë hap i ndërmarrë nuk është në kundërshtim me ligjet. Ekipi i ekspertëve ka identifikuar të gjithë potencialin arkeologjik dhe të trashëgimisë kulturore që mund të shërbejë si atraksion turistik në zonën e projektit.
Ky projekt synon një riqendërzim të zonës arkeologjike duke krijuar një park të madh arkeologjik urban. Për ndërtesat që qëndrojnë, parashikohen 5 lloje ndërhyrjesh: në ngjyra, dyer e dritare, prishje të shtesave të papërshtatshme, ndërtim i pjesëve të degraduara, apo prishje dhe rindërtim i 9 objekteve të tilla. Ky proces ka qenë transparent dhe profesional. Janë rreth 5 milionë dollarë nga AADF në fazë prokurimi që shkojnë për restaurimin e fasadave dhe konsolidimin e pjesëve të prekura nga projekti, ndërsa qeveria përmes FSHZ-së dhe Bashkia Durrës janë angazhuar për të siguruar vazhdimin e projektit me rreth 6 milionë dollarë nga buxheti i shtetit apo donatorë të tjerë.
Asnjë objekt historik nuk do të humbet. Bashkia ka nxjerrë listat për banorët e prekur, ku një pjesë e tyre posedonin metra më shumë sesa parashikohej në dokumentacionin ligjor. Për këtë arsye lista ishte bërë sipas matjeve reale, me qëllim për t’u dhënë hapësirë banorëve për të rregulluar saktësimet dhe përditësimet në titullin e pronësisë. Bashkia i ka dërguar edhe njoftimet faktike që edhe kush rregullonte letrat të shpërblehej. Gjykata Administrative nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga 33 paditë për VKM-në që sanksionon shpronësimin, duke lejuar vazhdimin e shpronësimit. Me kërkesën e Bashkisë Durrës dhe me ndihmën e ASHK-së, duke u bazuar në 3 shitjet dhe blerjet e fundit në zonë, u është ofruar të shpronësuarve një vlerë në përputhje me vlerat dhe tregun formal në Durrës. Procesi ka qenë transparent, duke siguruar informacion për qytetarët. Të gjitha provat janë lehtësisht të verifikueshme”, tha ndër të tjera ministri.
Komente











