Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka shkaktuar zemërim tek fansat e saj në trojet shqiptare, pasi performoi me flamurin serb të hedhur krahëve në Festivalin e të Rinjve në Szeged, në Hungari.

Në një nga performancat e saj në Hungari, këngëtarja e njohur Rita Ora e cila vlerësohet pafund nga publiku shqiptar për jehonën që ajo i ka bërë vendit tonë në botë, ka zhgënjyer shumë  fansat të saj nga Shqipëria dhe Kosova. 

Teksa interpretonte në skenë, një nga adhuruesit i ka dhënë këngëtares shqiptare flamurin e Serbisë, të cilën këngëtarja e mbajti në duar teksa ecte në skenë, e valëviti dhe madje e vendosi krahëve.

Video e cila ka bërë xhiron e rrjetit, ka marrë pafund reagime nga komentues shqiptarë, të cilët e kanë “kryqëzuar" Rita Orën për këtë gjest.

Ende nuk dihet nëse e ka bërë këtë me vetëdije të plotë apo ka rënë pre e ndonjë gracke. Nga ky veprim i saj, fansat e Ritës janë acaruar duke shkruajtur shumë komente negative drejt saj.Rita nuk ka reaguar ende në lidhje me rastin.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
‘Jam shqiptare krenare’, reagon Rita Ora: Flamuri mu dha nga një fans, nuk e pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte


Këngëtarja e njohur, Rita Ora ka reaguar mbi videon e saj virale me flamurin serb në krahë, veprim që shkaktoi zemërim dhe shumë komente negative nga fansat e saj në trojet shqiptare.

Në një deklaratë për media, këngëtarja ka sqaruar veprimin e saj aq të komentuar, duke thënë se flamuri i ishte dhënë nga një fans dhe për shkak të ndriçimit në skenë nuk e kishte kuptuar se cilin shtet përfaqësonte flamuri.

Rita Ora është shprehur se ka menduar fillimisht se flamuri ishte i Hungarisë, vendit ku po interpretonte.

Tutje, ajo ka thënë se e ka kuptuar që flamuri ishte i Serbisë, vetëm pasi ka dalë nga skena. Rita tha se është shqiptare krenare dhe se qëllimi i saj nuk ishte mosrespekti ndaj popullit të saj.

“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez.Përderisa  i mbështes të gjithë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëjë shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgimin time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”, është shprehur tutje Rita.