INTERVISTA/ Armand Gjana:
Mundja, qëllim për t’u përmbushu

INTERVISTA/ Armand Gjana:<br />Mundja, qëllim për t’u përmbushu
Ishte 16 vjeç kur shkoi në vendin ku mori titullin kampion në sportin e mundjes. Armand Gjana është nga qyteti i Durrësit dhe që prej 4 vitesh jeton në Londër, duke luftuar për ëndrrën e të atit të ndjerë dhe jo vetëm. Armandi mbërriti në zonën perëndimore të Londrës dhe u përball me një tjetër kulturë, për më tepër, pa njohuri mbi gjuhën angleze, ku mes përpjekjes dhe vullnetit arriti të bëhet pjesë e ngjarjeve sportive të mundjes. Nuk kaloi shumë kohë dhe aftësitë e Armandit i zbuloi trajneri Eric Ciake. Kështu nisi puna intensive me synimin për të qenë një kampion i ardhshëm. Teksa Armandi tregon për vështirësitë që ka hasur në fillimet e karrierës së tij në Londër, ai nuk lë pa përmendur se shtysa kryesore për të qenë një kampion është babai i tij. Nën emrin e klubit “Shootfighters”, pjesë e të cilit Armandi vazhdon të jetë ende, ka arritur të rrëmbejë plot 20 medalje të vendit të parë, në 28 kampionate, 8 kupa të vendit të parë dhe 8 kupa si sportisti më i mirë i kampionatit... arritje këto përgjatë 3 viteve. Për këto dhe detaje të tjera fituesi i 175 ndeshjeve në total (pa asnjë humbje) rrëfen në intervistën e mëposhtme.

E keni nisur karrierën si amator, për të prekur një sërë arritjesh. Sa e vështirë ka qenë?
Nga Shqipëria jam larguar që kur isha 16 vjeç, në vitin 2012. Që i vogël jam marrë me sportin e mundjes. Në Shqipëri mundësitë për t’u trajnuar në mënyrë profesionale ishin të pakta, ndaj ishte pikërisht kjo pamundësi që më shtyu më tepër të merrja rrugët për në Angli. Sigurisht që vështirësitë ishin të mëdha, për më tepër, shtoheshin me mbërritjen në një vend të huaj, por falë ndihmës që më ofroi një shoku im, i cili më prezantoi me trajnerin e mundjes, jam këtu ku jam sot. Vështirësitë janë të pashmangshme. Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, sepse njeriu do dhe kërkon gjithmonë atë që nuk e ka. I kam besuar punës dhe dëshirës për të qenë këtu ku unë jam sot.

Në cilën moshë ka nisur saktësisht përfshirja në këtë sport?
Sportin e mundjes e adhuroja që kur isha shumë i vogël, por në moshën 8 vjeç nisa të merresha me seriozitet me këtë lloj veprimtarie. Tani bëj plot 12 vite që i dedikohem mundjes. E vetmja periudhë që kam ndërprerë aktivitetin tim sportiv ka qenë shkaku i një ndërhyrjeje kirurgjikale, si pasojë e lëndimit në një ndeshje.

Cila ishte shtysa që të merreshit me sportin e mundjes?
Babai. Ai i donte shumë sportet luftarake dhe pikërisht ai ka qenë shtysa ime më e madhe. Ndaj për mua ky sport është më shumë se një ëndërr. Është një premtim dhe qëllim që ia kam vënë vetës për ta përmbushur.

E mbani mend kundërshtarin tuaj të parë? Si u vlerësua paraqitja juaj nga trajneri? Po, sigurisht. Jam ndeshur me një anglez, i cili kishte 7 vjet pa bërë asnjë humbje në Angli. Ndeshja përfundoi vetëm për 30 sekonda nga 6 minuta që kanë dy raunde. Në atë kohë u klasifikova në nivelin e sportistëve botërorë. Pastaj, në vazhdim, sfidat kanë qenë me grupmosha të ndryshme.

Arritjet ndër vite? 
Ndeshjen e parë e kam bërë kur isha afërsisht në moshën 10-vjeçare, ku u radhita si i dyti në Shqipëri. Pastaj, pas 4-5 muajsh, pas një pune intensive me stërvitje, arrita të marr vendin e parë dhe kjo më hapi rrugën në përfaqësimin e Shqipërisë në Maqedoni dhe Kosovë. Pak muaj më vonë, në Kosovë, kam zënë vendin e parë dhe kjo vazhdoi për disa herë. Më vonë, në Maqedoni, në kampionatin ballkanik zura vendin e dytë. Në vitin 2007 në Belgjikë u zhvillua një kampionat miqësor botëror, ku unë u përballa me një francez dhe një rumun dhe i fitova të dyja ndeshjet, duke u bërë kështu fitues i vendit të parë. Dhe kështu vazhdoi pastaj karriera ime në këtë sport. Arritjet e mia janë meritë e dy trajnerëve të mi, Fuat Brahi dhe Altin Kurti.

Po arritjet në Angli?
Për 4 vite në Angli unë kam arritur të jem 20 herë kampion në këto vende: Bolton 3, London 3, Welsh 5, Wingham 5, Manchester 3, Liverpool 3, Newcastle 3, Oxford 3.

Ndër ndeshjet që janë realizuar, a ekziston fitorja më e veçantë? Po më e vështira cila ka qenë?
Po. Përpos vështirësisë, ndeshja që përmenda më sipër ka qenë ndeshja që më ka ngelur në mendje dhe që kam besuar te vetja ime se mund të jap një rezultat të mirë në kampionatet olimpike apo botërore. Ndërsa për sa i përket dyluftimit më të fortë ka qenë me një rus. Në raundin e parë u ndamë me rezultatin 5-0 dhe në raundin e dytë 6-4 në favorin tim.

Cili është synimi i radhës?
Synimi im për të ardhmen është që këto rezultate që i kam dhënë në Angli, t’i jap edhe në Lojërat Olimpike, si dhe pas dy vitesh të dal me medalje në kampionatin evropian dhe atë botëror.

Sa orë në ditë i kushtohen stërvitjes?
Në sporte të tilla stërvitja është primare. Rezultatet finalizohen në varësi të stërvitjeve që unë kam bërë. Ishte pikërisht stërvitja që më dha të drejtën të jetoj në Mbretërinë e Bashkuar. Falë vullnetit tim për të punuar dhe për t’u stërvitur, kam arritur që të dal më i miri në këtë vend. Unë stërvitem pothuajse çdo ditë, nga 3 orë në ditë minimumi. Klubi im ka qenë ai që më ka ndihmuar për gjithçka dhe më ka ndryshuar jetën në njëfarë mënyre, duke marrë kështu nënshtetësi angleze. Falë përkrahjes që më ofruan, falë përkushtimit në stërvitje, tashmë klasifikohem te kategoria më e mirë e sportistëve të mundjes.
 
Marrë nga Shekulli
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Sot Kupa e Shqipërisë me ndeshje teke, mësoni 16 përballjet

Sot Kupa e Shqipërisë me ndeshje teke, mësoni 16 përballjet