INTERVISTA/ Bujar Bukoshi: Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka asnjë lider që i është fshehur drejtësisë

INTERVISTA/ Bujar Bukoshi: Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka asnjë lider që i është fshehur drejtësisë

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i qeverisë së Kosovës në mërgim

“Fundi fundit, ju lutem shumë, ku janë ato organe të famshme të trafikuara, me akuzën primordiale me të cilën Kosova burgoset në Hagë ? A mund të më përgjigjet dikush mua që jam marrë edhe me transplantime të veshkës në Klinikën Steglitz në Berlin më 1984? Ku janë ata transplantologët e shtëpisë së verdhë, atje ku arusha e çon postën? Shteti shqiptar ( me vonesë) po e ngritë këtë pyetje dhe mirë po bën.”  

Bujar Bukoshi ish kryeministër i qeverisë së Kosovës në mërgim e më pas pjesëmarrës aktiv në jetën politike duke qenë ministër dhe zëvendëskryeministër në Kosovën e pasluftës, prej vitesh është larguar nga skena politike. Në një intervistë për gazeta Tema, Bukoshi flet për perspektivën e Kosovës në raport me zhvillimet ndërkombëtare përballjen e ish udhëheqësve politikë të UÇK-së me Gjykatën speciale dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit shtetëror të Kosovës.

Zoti Bukoshi, qeveria e Kosovës po përballet me presionin në rritje të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Hezitimet janë të qarta, po ashtu dhe paralajmërimet e bashkësisë ndërkombëtare. A do të dëshironit të ishit në pozitat e Albin Kurtit në këto momente?  

Nuk di të them, nëse do të dëshiroja të isha në pozitat e tij, pasi kam kohë që nuk kam më asnjë emocion nga postet politike, por di të them që kur  e kemi nisur këtë punë, kemi qenë në anën tjetër të barrikadës. Ishim ne që i luteshim bashkësisë ndërkombëtare të na hapte dyert, të na priste, të na dëgjonte që t’i shpjegonim se çka ishte puna e Kosovës dhe çfarë ishte projekti dhe vizioni ynë. 
Në fund të viteve 80, Kosova ishte një bezdi për diplomacinë ndërkombëtare. Ajo bile përtonte edhe të na dëgjonte. Në vitet e 90 kur ne u përpoqëm t’i imponohemi me vetorganizimin tonë politik, kishim përballë një mur indiference, që të trishtonte dhe që u thye fal rezistencës sonë dhe natyrisht për shkak të krimeve të përgjakshme të Serbisë në Ballkan. Edhe sot më ndrydhë ai trishtim për pafuqinë tonë në atë kohë por më bën edhe krenar që i përballuam ato sfida. 

Tani është lehtë të sillesh sikur e kemi ne në dorë fatin e SHBA apo Bashkimit Evropian në Ballkan. Por është e rëndë dhe gabim që nuk falet t'ia bësh këtë një vendi, i cili është gjallë fal Perëndimit. Në këtë aspekt, duke thënë këtë, mendoj se Kryeministri i Kosovës, duhet të respektojë të shkuarën e Kosovës historinë e shtetformimit të saj dhe jo të sillet sikur Kosova është shtet i themeluar as dy vjet të plota më parë kur ka ardhur ai në pushtet. Historia nuk fillon nga e para sa herë dikush bëhet kryeministër në këtë vend. E di se fenomene të ngjashme  ka pasur edhe përpara, por të pretendosh sot se kjo ne qenka qeveria më e mirë në Ballkan, është të shohësh ëndrra në diell, ose të bësh Mynhauzenin...  

-A jeni në dijeni të ofertës së fundit të Marrëveshjes nga pala gjermane që mbështetet dhe nga SHBA ? 

-Jo nuk jam në dijeni, por arrij ta marr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës është të zhvishet nga demagogjia populiste dhe të jetë transparente me publikun duke thënë se çfarë ka në favor dhe çfarë nuk ka në favor Kosova në këtë moment, pra siç thuhet “ku është qari dhe ku zarari”... Ata që tani për tani janë në krye të punëve nuk duhet të sillen si njerëz që kanë lindur vetëm të fitojnë. Duhet të sillen si njerëz që po luftojnë dhe kur lufton edhe mund të pësosh diçka.  Mund ta humbësh ndonjë betejë por s’bën ta humbësh luftën. 

Shikoni Serbinë nga ana tjetër. Ka sjellje krejt të kundërt. Ulërin dhe klithë sikur ta rrahësh qenin, në stilin  “ooo, mbaruam”, se gjoja po e shkatërrojnë me marrëveshjen e ofruar, a në fakt nuk i ka aq keq punët nga ajo marrëveshje. Por në finale e menaxhon reagimin dhe i adaptohet marrëveshjes. Një fshatar i moshuar i imi, pa asnjë fakultet, as master të kryer, më thoshte: biri im mos i beso shkijeve se shkau edhe kur të fut përfundi dhe të prish dajak, bërtet dhe thërret “ më ndihmoni se më mbyti shiptari”. Politikanët tanë dhe pushtetarët sillen sikur kanë lindur të fitojnë jo vetëm mbi Serbinë por dhe mbi Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se e zgjata pak përgjigjen time... 

-Sa ndikon në këtë situatë fakti që Kurti e ka fushën e zbrazët nga kundërshtarët e tij të fortë që janë në Hagë?  

Kurti nuk e ka betejën me shqiptarët. E ka me Serbinë dhe punën herkuliane ta bindë Bashkësinë ndërkombëtare. Shqiptarët ia kanë dhënë atij një mandat ta përmbyllë këtë punë. Ai nuk mund të abuzoj me faktin që nuk ka kundërshtarë të fortë. Armiku më i madh i tij tani është vet ish Albin Kurti i para fitores. Ai që nuk njihte Republikën, pavarësinë, dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës. Tani ky Albin Kurti kryeministër duhet “të vrasë” së pari Albin Kurtin opozitar e pastaj të mendojë si t’i mundë kundërshtarët e tjerë. Dhe nuk është aq e lehtë të vrasësh vetveten. Dhe ajo do një farë burrërie.  

-A besoni se ngritja e Gjykatës Speciale dhe thirrja në Hagë prej dy vitesh e drejtuesve kryesorë të UÇK ka qenë  e llogaritur politikisht për të krijuar këtë situatë?  

-Nuk ma merr mendja që drejtësia vjen prej skemave politike. Nuk dua ta mendoj fare këtë. Aq më tepër një drejtësi për të cilën është investuar nga Perëndimi me qindra miliona euro nga taksapaguesit e tij.  Por, mendoj se banaliteti i kësaj situate me liderët shqiptarë të Kosovës që mbahen në Hagë është ndoshta dhe më i keq. Ata mbahen brenda në burg prej dy vitesh, pa u ngritur ende akuza. Mund të ishin të lirë në Kosovë ndërkohë se askush prej liderëve të Kosovës nuk i ka ikur drejtësisë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka asnjë lider që i është fshehur drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj vendore,  siç ka pasur Kroacia, Bosnja dhe sidomos Serbia. Dhe në këtë aspekt ata mund ta prisnin në liri ngritjen e aktakuzës në gjykatë.  Arrestimi dy vite më parë dhe mbajtja në Hagë, ngjan një përzierje e shëmtuar e burokracisë perëndimore, orekseve politike të atyre që ngritën një gjykatë bazuar në një raport fals dhe idiotik si ai i Dick Marty dhe më tej dhe disa thikave pas shpine (që dikush dikur i përmendi me ëndje ) nga politika e Kosovës. Është e qartë se garnitura politike dhe sidomos ajo diplomatike e Kosovës këto kohë u ka folur në vesh atë që kanë dashur të dëgjojnë drejtuesit Gjykatës speciale duke e paraqitur Hashim Thaçin dhe të tjerë si njerëz të rrezikshëm për të qëndruar të lirë në Kosovë.  

-Çfarë nuk shkon tek Gjykata Speciale në këtë rast?  

-Nuk jam kundër Gjykatës Speciale. Në një farë mënyre ne e çuam vet punën tek Gjykata Speciale, me mungesën e një drejtësie efikase në Kosovë. Por në këtë rast Gjykata Speciale, po sillet sikur forcat speciale që rrëmbejnë katër vet i fusin në burg e pastaj pyesin çka kanë bërë ata.  Ka nëj sjellje irracionalë në këtë pikë që me sa duket është shkaktuar nga shumë faktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Nuk pajtohem me faktin që ata duhet të mbaheshin në burg ende pa një akuzë të qartë.   

-A keni dijeni se çfarë akuzash do ngrihen ndaj tyre?  

 -Jo. Nuk kam kontakte me ta. Dhe ashtu nuk është se kam pas ndonjë miqësi me ta. Por fakti që ata i gjykojnë si kupolë politike të UÇK-së në përpjekje për ta quajtur UÇK-në si grup kriminal ( ndërmarrje e përbashkët kriminale ) është një qasje e gabuar dhe e rrezikshme që nuk ka lidhje as me të vërtetën as me historinë. UÇK  nuk ishte një grup kriminal dhe ata në të vërtet nuk ishin kontrolluesit apo udhëheqësit e plotpushtetshëm të UÇK-së. USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS ishte një reaksion i shqiptarëve ndaj tejzgjatjes së zgjidhjes paqësore të krizës për ti dhënë fund regjimit të Serbisë naziste në Kosovë.   

UÇK-në nuk e krijoi as Hashim Thaçi as ata që janë në Hagë. Ata u përpoqën ta organizojnë atë dhe ti japin një mburojë politike . Por UÇK  lindte në mënyrë spontane në çdo fshat të Kosovës që digjej, në çdo shtëpi ku ndodhte një krim dhe në çdo qytet që kishte një përballje me dhunën. Edhe ne si qeveria e Kosovës u përpoqëm ta kontrollonim UÇK  dhe ta fusnim nën mburojën tonë politike, pa hile, por nuk ja dolëm  dot. Ajo nuk ishte një ide e jona dhe nuk mund të ishte nën kontrollin tonë. Ajo ishte një reaksion popullor. Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij arritën me më shumë efikasitet të ishin njerëz të popullarizuar të saj, por jo njerëz që mund të kontrollonin gjithçka aty. Ajo ishte në thelb një organizatë e decentralizuar që kishte idhujt e vet, por jo komandantin e vetëm të saj.  

-Ndaj tyre thuhet se ka akuza direkte edhe për eliminime politike. A jeni në dijeni?   

-Nuk kam dijeni për akuza konkrete. E vërteta është se ka pas tensione dhe përplasje deri në vrasje në vitet e para pas çlirimit por kjo është pasojë e kulturës sonë politike, mangësive në tolerancën e ndërsjellët dhe standardin e një shoqërie e cila ka plot njolla të errëta  brenda saj. Për fat, shumë prej atyre ngjarjeve janë hetuar dhe dihen përgjegjësit. Kjo është një çështje që u përket gjykatave të Kosovës në bazë të fakteve që kanë. Ata janë në Hagë më shumë me dëshmi të policëve serb se sa të shqiptarëve. Fundi fundit, ju lutem shumë, ku janë ato organe të famshme të trafikuara, me akuzën primordiale me të cilën Kosova burgoset në Hagë ? A mund të më përgjigjet dikush mua që jam marrë edhe me transplantime të veshkës në Klinikën Steglitz në Berlin më 1984 ? Ku janë ata transplantologët e shtëpisë së verdhë, atje ku arusha e çon postën ? Shteti shqiptar ( me vonesë) po e ngritë këtë pyetje dhe mirë po bën. 

-Duke qenë se përmendet problemet që ju keni pasur me drejtuesit e UÇK gjatë luftës dhe kontradikta me ta, si e mbani mend ju krijimin e UÇK dhe përballjet me të, qoftë dhe nga ana politike.  

-Duhet të biem dakord çfarë quhej publikisht UÇK e çfarë ishte UÇK. Politikisht UÇK quhej një grup me rreth 100 vet që drejtohej nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe që u shfaq gjatë varrimit të një mësuesi shqiptar të Kosovës Ata ishin nje bërthamë e vogël politike dhe nuk mund ti quash ushtri. Mund ti quash njësit, mund ti quash celulë apo parti politike por jo ushtri. UÇK u formua rrugës nga dhuna serbe dhe si reaksion ndaj përpjekjeve për të asgjësuar shqiptarët. Ky grup natyrisht përfitoi “liçencën”  e saj por kurrë nuk pati kontroll mbi të. Unë vet menjëherë shpreha solidaritetin tim me UÇK-në. Unë mendoja se në ato rrethana vet-mbrojtja dhe kryengritja ishin të nevojshme. Unë mendoja se duhej ta vazhdonim luftën tonë politike, por me një krah të armatosur. Pra, do të ishte politikë me plumba.   

A keni pasur takime me drejtues të UÇK-në në atë kohë ? 

-Unë pata një takim me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Tiranë, në  vitin 1998. Unë u takova me Hashim Thaçin dhe bashkëpunëtorë të tij. Çështja ime kryesore në takim ishte si më poshtë: konflikti ka plasur; unë i respektoj njerëzit që luftojnë në terren; tani duhet të bashkohemi politikisht dhe ushtarakisht. Unë u thashë atyre se tani duhet t'i bashkojmë të gjitha burimet për qëllimin e përbashkët. Kështu që iu ofrova parat e qeverise, oficerë profesionistë dhe përkrahje institucionale. Ne duhet të kishim një shtab suprem të përbashkët dhe gjithë fondet që kishim grumbulluar ndër vite të mund ti vinim në shërbim të tyre për luftën e armatosur. Në atë kohë, UÇK-ja kishte komandantë shumë trima të fshatrave që ishin gati të sakrifikonin jetën e tyre për luftën .   

- Si u zhvilluan ngjarjet pas dështimit të Marrëveshjes?  

Vendosëm të krijojmë një forcë të sigurisë nën kontrollin e institucioneve të Kosovës, por që morëm vendim të shkriheshim me ta në terren. Pra urdhëruam që forcat tona të hynin në Kosovë me emblema të UÇK-së, duke dëshmuar kështu jo vetëm pajtimin se UÇK ishte një ushtri e popullit e krijuar nga poshtë, por dhe faktin që ajo nuk kontrollohej nga ndonjë autoritet strikt. Unë e dija se oficerët ushtarakë profesionistë ishin të mirëpritur nga komandantët e fshatrave. Ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ai që kishte rezerva. Unë e urdhërova Ministrinë e Mbrojtjes që të koordinonte punën me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së që të dërgonte 30-40 oficerë ushtarakë profesionistë që të hynin në Kosovë dhe të bashkoheshin me UÇK-në sa më parë që të ishte e mundur. Oficerët ushtarakë ishin vendosur në dispozicion të komandantëve të fshatrave. Ishte e rëndësishme që oficerët ushtarakë profesioniste të mos shiheshin sikur po ia merrnin detyrat komandantëve të fshatrave, që e kishin filluar luftën e armatosur. Ne caktuam një buxhet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ministri Ahmet Krasniqi i dha fonde Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

-Nëse Gjykata Speciale arrin të ngrejë akuzë për Hashim Thaçin dhe drejtuesit e tjerë politik, si autoritet që janë përgjegjës për krime të UÇK, sa afër realitetit janë?

Hashim Thaçi mund të ketë qenë njeri me autoritet, apo me popullaritet siç thuhet shqip, por nuk e ka pasur autoritetin dhe fuqinë reale të komandonte çdo gjë që ndodhte brenda asaj që u quajt UÇK. Ajo ishte luftë e shqiptarëve kundër formacioneve të armatosura të Serbisë. Hashim Thaçi dhe unë ishim politikanë që luftonim ta vinim nën kontroll politik këtë luftë. Por as ai as unë as Ibrahim Rugova e askush tjetër nuk e kishte autoritetin dhe fuqinë e duhur të kontrollonte atë që ndodhte. Është tjetër gjë të jesh i popullarizuar për shkak të angazhimit në krye të një lëvizje politike  dhe tjetër gjë të jesh në gjendje të kesh autoritetin për të kontrolluar këtë lëvizje. Hashim Thaçi nuk e ka pasë. As ata të tjerët. As unë në krahun institucional nuk e kam pasë. 

-Kemi parë disa politikanë të nivelit të lart që vizitojnë Hagën. Gati është kthyer në pelegrinazh. Komenti i juaj ? 

-E di, i kam parë. Është njerëzore që dikujt që i mungon Hashim Thaçi apo të tjerët të shkojnë ta takojnë. Por kur vizitat bëhen si gjest politik, mendoj se nuk është se i ndihmojnë shumë atyre që janë aty. E kuptoj pse ndodh kjo. Është dhe një lloj reaksioni ndaj qëndrimit shpeshëherë të lig që mbajnë fshehtas institucione apo zyrtarë politikë të Kosovës ndaj tyre, duke i paraqitur si njerëz të rrezikshëm në Kosovë. Kjo natyrisht ka politizuar situatën dhe tani jemi para këtij spektakli. Ata kanë nevojë të ndihmohen nga shteti i Kosovës me fakte që përgënjeshtrojnë akuzat dhe nga diplomacia e Kosovës në rrugën e duhur. Nga diplomacia e Shqipërisë po ashtu.

“Më patën pyet disa miq a e refuzon Kurti shtyrjen e afatit për targat ? U thash “edhe e shtyn edhe këndon”, sipas një anektode të njohur në Kosovë.” 

-Së fundmi a keni një koment rreth tensionit të fundit për targat për të cilat qeveria e Kurtit duket e vendosur të mos lëshoj pe, edhe pse Perëndimi po kërkon ta shtyj atë afat ? 

Më patën pyet disa miq a e refuzon Kurti shtyrjen e afatit për targat ? U thash “edhe e shtyn edhe këndon”, sipas një anektode të njohur në Kosovë. Rugova i ndjerë shpesh më thoshte : lidhu me të fortin dhe dëgjoje, se përndryshe nuk ta qet... Nëse këto që po ua them mund të ju duken pallavra apo folklor, mund të ju them pikë përnjimend sa vijon: Ruajtja e identitetit shtetëror të Kosovës ka shumë rëndësi. Por ajo nuk është një betejë që fitohet në një ditë. Me rëndësi më të madhe se kaq është ruajtja e aleancës me Perëndimin, me SHBA dhe Bashkimin Evropian, të cilat janë garante afatgjatë të identitetit shtetëror të Kosovës. Ajo është beteja e madhe. Këto betejat e vogla mund të të bëjnë popullor tek militantët e tu por nuk lënë gjurmë në historinë e shtetit. Politikanët e mëdhenj janë ata që u bie në hise të bëjnë marrëveshje të vështira. Për të mos bërë marrëveshje është gjeja më e lehtë. Por kjo nuk të bën fitues. Kjo në shumë raste ngjan më shumë si dezertim. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI