Si e gjykoni situatën aktuale ekonomike që përjeton Shqipëria?
Politikat monetare dhe fiskale të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë dështuar të ringrenë ekonominë shqiptare. Rënia e PBB-së dhe konsumit, si dhe shpenzimet pa kriter të agjentit më të madh ekonomik, qeverisë, përbëjnë një rrezik në rritje për ekonominë e brishtë të një vendi të vogël dhe me burime të kufizuara.
Mjetet për përballimin e gjendjes së krijuar janë të pakëta, duke marrë parasysh se edhe ndërhyrjet qeveritare në të tëra drejtimet janë të mangëta dhe të pakoordinuara. Kjo, edhe për shkak të shkrehjes së punës në tërë segmentet dhe nivelet e administratës publike në pritje të qeverisë së re.
Kemi dëgjuar shpesh nga goja e kryeministrit për nivele nga më të suksesshmet të modelit ekonomik shqiptar. Sa përputhet kjo me realitetin?
Pati pak shenja përmirësimi të tregjeve, gjatë muajve të verës së vitit të kaluar dhe gjatë festave të fundit të dhjetorit 2012 e fillim janarit të 2013. Këto nuk përligjin asnjë lloj euforie të tillë. Edhe për ekonomitë e mëdha e jo thjesht për ekonominë shqiptare, kriza aktuale është ndër më të rëndat pas asaj të Depresionit të Madh dhe, mesa duket, vendimmarrësit në këto vende kanë filluar të mendojnë njësoj si vendimmarrësit e atyre viteve në lidhje me këtë krizë.
Zgjidhja e asaj kohe ishte rritja e shpenzimeve qeveritare për të futur në punë sa më shumë njerëz dhe kjo do të shërbente si gjenerator për stimulimin e prodhimit.
Qeveritë e vendeve perëndimore, që aplikuan këtë mjet në atë kohë, ia dolën që të përballonin krizën dhe të shkonin përtej, drejt zhvillimit ekonomik me hapa të shpejta.
Nuk mund të aplikohet në Shqipëri kjo formulë?
Në kushtet aktuale që ndodhet ekonomia shqiptare, ideja e Keynes-it - rritja e shpenzimeve qeveritare - do të ishte një thikë më tepër në kurriz të qytetarëve dhe kjo për dy arsye të dukshme. E para, sepse në vend mungon aftësia menaxhuese e fondeve publike dhe e dyta, sepse niveli i korrupsionit në administratën publike në përgjithësi dhe në atë pjesë të administratës publike që merret me financimet është shumë i lartë.
Rritja e shpenzimeve qeveritare, edhe pse mund të ishte një ide për mirë, në fund të fundit do të përkeqësonte gjendjen, sepse paratë nuk do të shkojnë në xhepat e qytetarëve, por në xhepat e qeveritarëve dhe sekserëve të tenderave e prokurimeve publike, që, muajt e fundit, kanë qenë me shumicë.
Çfarë mund të bëhej atëherë?
Papunësia e lartë, kryesisht midis të rinjve dhe rënia e prodhimit kërkojnë një ribalancim të ekonomisë, duke stimuluar bujqësinë, agrobiznesin dhe industritë jobujqësore, për të shtuar konsumin dhe eksportet. Kjo do të sillte rritjen e PBB-së e do të ribalanconte sektorët e ekonomisë shqiptare, e cila 10–15 vitet e fundit u dha përparësi sektorëve të ndërtimit dhe shërbimeve, që, mesa duket, nuk mund të mbajnë për një kohë të gjatë flamurin e rritjes ekonomike pa mbështetje nga bujqësia, agrobiznesi dhe industritë e natyrës joushqimore.
Në vend ka njerëz të shkolluar, kryesisht në moshë të re, por rezulton se ata kanë mangësi në kualifikimet praktike, të tilla si gjuhët e huaja, kompjuteri, vënia e klientëve në qendër të vëmendjes, teknikat “merchandising”, programet kompjuterike për procese dhe pozicione pune specifike, mënyrat e operimit të makinerive, etj, që janë, në fakt, zanate dhe aftësi që lidhen kryesisht me industritë, bujqësinë, eksportet, prodhimin, etj.
Kjo qasje ndaj edukimit përgjatë tërë jetës rrit produktivitetin dhe shton konkurrencën në tregun e punës dhe, padyshim, ndikon edhe në përmirësimin e aftësive sipërmarrëse dhe inovimin teknologjik.
Nga një këndvështrim tjetër, komplementar me sa më lart, rigjenerimi i ekonomisë shqiptare kërkon zhvillim të balancuar të tërë rajoneve të vendit. Për shkak të vendimeve të gabuara të Ekzekutivit, të ndikuara nga disa vendime politike, kjo balancë është prishur.
Çfarë mund të pritet nga forcat politike qe garojnë për pushtet në zgjedhjet parlamentare?
Forcat politike, në bllok, nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe përgjatë këtyre 20 viteve për ekonominë e vendit. Ato nuk po japin as edhe një alternativë të saktë, bindëse dhe serioze për përmirësimin e gjendjes edhe gjatë kësaj fushate elektorale që ka nisur mjaft e ashpër.
Duket se ka ardhur koha të vështrojmë përtej 23 qershorit dhe këtë mund dhe duhet ta bëjë kryesisht shoqëria civile dhe mendimi modern bashkëkohor politik, ekonomik dhe social, që ka filluar të ravijëzohet në vend, mendim që tashmë gjendet përballë falsitetit dhe dështimit të një pjese të mirë të klasës aktuale politike.
Në çdo fushatë zgjedhore përmendet refreni i ndërtimit pa hesap e pa asnjë kandar të urave, rrugëve, shkollave e spitaleve e hapjes të kaq e aq vendeve të punës. Këto nuk janë veçse premtime false e fjalime pa vlerë, që tashmë mund shërbejnë vetëm për humor.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)