Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për gjendjen e trafikut në kryeqytet duke thënë se është bërë i pakalueshëm dhe se Tirana është kthyer në një qytet të mbingarkuar.
Këshilltari Bashkiak i Tiranës Artan Distafa kritikoi pushtetin lokal se është shkëputur nga qytetarët dhe nuk gjen zgjidhje për këtë problematikë.
Deklarata e plotë
Sot Tirana po përballet me një krizë të shumëfishtë të qeverisjes vendore dhe qendrore, një krizë që ka emrin e qartë, keqqeverisje e qëllimshme. Kryeqyteti i Shqipërisë, në vend që të jetë model transparence, zhvillimi dhe shërbimesh cilësore, është shndërruar në një laborator eksperimentesh të dështuara, aferash korruptive dhe vendimmarrjesh që pasurojnë pak njerëz dhe varfërojnë mijëra qytetarë.
Prej vitesh qytetarët e Tiranës paguajnë me taksa dhe tarifa një incenerator që nuk ekziston. Një projekt fantazmë, që ka shpenzuar miliona euro nga buxheti publik dhe ende sot nuk ka asnjë linjë funksionale, asnjë impiant, asnjë zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve.
Ndërkohë, plehrat rriten në çdo cep të Tiranës, ndërmarrja e pastrimit është në kolaps dhe qyteti mbytet nga ndotja, tymrat e djegieve dhe landfillet informale.
Kjo është vjedhje, jo dështim teknik apo paaftësi. Qeveria dhe bashkia vazhdojnë ta financojnë një impiant që ekziston vetëm në kontrata dhe jo në realitet.
Pushteti vendor e ka kthyer Tiranën në qytetin me taksat më të larta në Shqipëri, taksa prone, taksa ndertimi, tarifa parkingu, tarifa pastrimi, rritje çmimesh për çdo shërbim minimal. Të gjitha këto rriten çdo vit, por asnjë shërbim nuk përmirësohet.
Qytetarët paguajnë më shumë për të marrë më pak.
Tirana është sot një qytet i mbingarkuar, pa frymë, pa hapësira publike dhe pa vizion.
Lejet e ndërtimit jepen pa kriter, kulla rriten kudo, ndërsa infrastruktura rrënohet.
Trafiku është bërë i pakalueshëm, zgjidhjet inekzistente dhe planet urbanistike ndryshohen çdo 6 muaj sipas interesave klientelistë.
Ky është shkatërrim i qëllimshëm i qytetit, jo zhvillim urbanistik.
Asnjë tender nuk sqarohet. Asnjë kontratë nuk publikohet e plotë. Asnjë përgjegjësi nuk mbahet.
Pushteti vendor sot është i shkëputur nga qytetarët, por i lidhur fort me interesat klienteliste dhe grupet e përfitimit.
Është krijuar një kulturë e rrezikshme e pandëshkueshmërisë, askush nuk përgjigjet, askush nuk heton, askush nuk sqaron.
Ndërkohë që qyteti po degradon, pushteti prodhon vetëm spote marketingu, evente, video, shfaqje dhe premtime boshe. Realiteti është i zymtë, qytetarët përballen çdo ditë me ndotje, çmime të rritura, trafik, kaos dhe mungesë totale të kujdesit për mirëqenien publike.
Tirana sot është pasqyra më e qartë e një sistemi të kapur, ku paratë publike shkojnë për projekte fantazmë, ndërsa qytetarët marrin vetëm fatura të larta, ndotje dhe mungesë shërbimesh.
Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë, në bashkinë e Tiranës, do të vazhdojmë të ngremë zërin derisa transparenca, llogaridhënia dhe drejtësia të rikthehen në këtë qytet. Tirana meriton më shumë. Qytetarët meritojnë më mirë. Dhe askush nuk mund të fshihet më pas propagandës.
Faleminderit!
Komente








