Kjo intervistë e realizuar me Pjetër Arbnorin dy vite para se ai të ndahej nga jeta në maj të vitit 2004 hedh dritë mbi një prej anëve të errëta të regjimit, shfrytëzimin intelektual të të burgosurve politikë. Veç atyre që i dërguan të thanin këneta a të përfundonin vepra të rëndësishme të indrustrisë e infrastrukturës, regjimi shfrytëzoi sistematikisht edhe forcën intelektuale të tyre, kryesisht në përkthim.
Në këtë rrëfim të para 12 vjetëve Arbnori ka dëshmuar pikërisht këtë proces të çuditshëm, pune të detyruar, në izolim të plotë për të sjellë në shqip vepra të autorëve të huaj kryesisht me karakter politik, ekonomik e juridik, të cilët lexoheshin vetëm nga një rreth shumë i ngushtë i drejtuesve të regjimit. E sjellim të plotë këtë rrëfim si dhe disa shënime në formë kujtimesh të Pjetër Arbnorit mbi këtë proces të vështirë pune gjatë viteve të burgut.
Intervista e 2004
Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t´i shërbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin ç´ndodh në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që iu duheshin pushtetarëve, të cilët i mbanin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Njëri nga këto libra është “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” i publicistit Uilliam Shirer përkthyer në kohën e burgut nga Pjetër Arbnori. Nisur nga përvoja e atij përkthimi Arbnori ka rrëfyer gjithë aventurën e përkthimit me detyrim në biruca.
Ju e keni përkthyet librin e Shirerit “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” në burg. Çfarë është për ju ky libër?
Unë kam lexuar dhe kam përkthyer shumë libra që ishin të gjithë interesantë nga fusha të ndryshme të jetës. Por libri i Uilliam Shirerit “Ngritja e Rënia e Rajhut të Tretë” ka qenë një vepër që mua më ka bërë një përshtypje të veçantë. Së pari, Shirer ishte një gazetar amerikan, korrespodent në Gjermani gjatë zhvillimit të nazizmit, që nga fillimi e deri në apogjeun e tij. Ai ishte jo vetmë gazetar por edhe diplomat. Kishte dhe shumë miq dhe shfrytëzonte dhe shumë kanale të tjera informacioni. Fati i tij qëlloi të shihte edhe zhvillimin e luftës së dytë botërore, fillimin e rënies dhe më tej shkatërrimin e dorëzimin e nazizmit. Neru, kryetari i kongresit të Indisë ka thënë “Nazizmi dhe komunizmi janë vëlla e motër për nga metodat; metodat e racizmit antisemist, e shkeljes së të drejtave të popujve të tjerë, metodat e përdorimit të diplomacisë si mjet për të shkelur dhe justifikuar shkeljen e popujve të tjerë. Dhe nga të gjitha këto nuk më është kujtuar asgjë tjetër veçse komunizmi i mirfilltë. Vetëm se Histleri pati pak kohë për ta zhvilluar në përsosmëri këtë shtypje, këtë padrejtësi, këtë sistem vrasjesh. Ndërsa komunizmi jetoi pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet, e madje jeton ende. Dhe metodat e komunizmit janë shumë më të rafinuara dhe shumë më hipokrite. Në komunizëm ka vetëm këngë valle, punë vullnetare, gjyqe vrasëse, shpallje armiku kudo dhe veprime të tjera që e hutojnë popullin. Edhe në Gjermaninë naziste këto metoda ishin për të krijuar idenë e Gogolit. Dhe kjo ishte një metodë e përbashkët mes komunizmit e nazizmit.
Nga libri i Uilliam Shirerit kam mësuar shumë gjëra, por sidomos se metodat naziste ishin metoda vëlla e motër me metodat komuniste të cilat fatkeqësisht zgjatën më tepër dhe shkaktuan më shumë viktima. Unë nuk dua të justifikoj nazizmin, por komunizmi e vazhdoi këtë metodë për shumë kohë, duke na bërë të këndojmë e të kërcejmë pa patur dëshirë as për këngë e as për kërcim.
Çfarë gjinie i përket ky libër?
Është një libër dokumentar: kujtime, dokumente, bisedime, edhe bisedime sekrete të mëdhenjve. Cilido që e lexon këtë libër mëson vëtëm realitetin prej tij.
Si mendoni pse nuk është botuar ky libër në kohën kur ju e përkthyet?
Atë libër donin ta lexonin anëtarët e byrosë politikë dhe sekretarët e Komitetit Qëndror. Dhe nuk duhej ta lexonin populli i thjeshtë apo të shkolluarit. Ne të burgosurit mund ta përkthenim, sepse ne ishim gojëmbyllur. Dhe sipas planit të tyre asnjëri prej nesh nuk do të dilte i gjallë. Sikurse edhe kanë vdekur shumica e njerëzve.
Përveç këtij libri ju keni përkthyer edhe të tjerë në burg. Ishin të kësaj antyre apo ishin libra letrarë?
Unë mund të them se kam përkthyer një libër voluminoz “Ekonomia politike botërore” dhe “Ekonomia amerikane”. Ishte një libër i pregatitur nga një grup profesorësh të Universitetit të Çikagos, që zotërinjtë e Byrosë e kishin marrë sepse donin të dinin. Megjithëse thonin se ajo është një emkonomi që nuk vlen, ekonomi e shkatërruar, që nuk ka të ardhme, sërish kërkonin të dinin mbi realitetin e ekonomisë amerikane. Por veç tij unë kam marrë pjesë edhe në përkthimin e librit “Lufta u fitua në Zvicër” që fliste për një agjent, i cili ishte i lidhur me 10 apo 12 ushtarakë gjermanë që nuk e donin Hitlerin dhe e furnizojnë me të dhëna të frontit dhe Ushtrisë. Këto të dhëna ai më pas provoi tua jepte amerikanëve, më pas anglezëve dhe në fund ua dha rusëve. Sepse ishin të dhëna aq të habitshme sa askush nuk i besonte.
Si u njohët ju më përkthimin e detyruar në burg?
Në pranverë të vitit 1951, ime motër Antonjeta, u burgos për të dytën herë politikisht. Mbasi ndjenji shumë kohë e izoluar dhe pak kohë në burgun e madh të Shkodrës, e dënuar me dhjetë vjet, një ditë na erdhi në shtëpi një zarf i hapur me adresën e saj të re: BURGU I ARMIQVE TE POPULLIT. PUNETORIA QENDRORE E ARTIZANATIT E MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDSHME, TIRANE. Mbërrita në një fushë të larë, ku më zuri syri një kamp përqendrimi të rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe korrenti dhe kulla rojash.
- Te ajo dritarja me hekura e katit të dytë, roja vrau kot së koti Kasem Zhupën, diversantin e hedhur me parashutë bashkë me Ethem Çakon, - na shpjegoi një ish i burgosur që kthehej për të marrë vërtetimin e punës.
- Ndërsa në arën aty përballë, te shtëpia përdhese, ku dallohet një pllakë mermeri, qe rrethuar dhe vrarë Qemal Stafa dhe qe arrestuar nga fashizmi e fejuara e tij, Drita Kosturi, komuniste e orëve të para.
- Drita Kosturi – ndërhyra unë për t'u shitur se di edhe unë diçka - tani është dënuar përsëri njëzet vjet nga shteti komunist si "spiune e imperializmit". Tani ka ardhur këtu nga Shkodra bashkë me motrën time dhe paska çdo ditë përballë vendin ku iu vra i fejuari dhe u arrestua vetë. E dhimbshme shumë!
- E dhimbshme, po sa më pak të flasësh, aq më mirë është për ty!
Pranë secilës dërrasë, ishin grumbulluar sopratasa dhe torba me emra të varur që prisnin radhë, për t'u futur brenda portës. MESAGJERIA kishte më pak torba, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Ish i burgosuri më tregoi se në atë sektor, gjendeshin përkthyesit.
Akoma nuk e kam marrë vesh, përse ai sektor quhej "Mesagjer", sado që kam kontrolluar shumë fjalorë të huaj dhe sado që mbahem se kam përkthyer libra nga katër gjuhë të huaja.
Pas shtatë vjetësh, kur motra kreu dënimin e dytë më shpjegonte nder të tjera: Ishin herë dy, herë tri dhoma përkthyesish. Në to ishin të mbyllur njerëz ndër më të nderuarit e burgjeve, qoftë nga dituria, qoftë nga pozita që kishin pasur. I shikoja nga larg, por e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. I pari, ishte Mirash Ivanaj, ish-ministri Reformator i Arsimit i kohës së Zogut. Më 1945, Enver Hoxha e ftoi të vinte nga mërgimi "për të ndihmuar atdheun". E thirri në zyrë, diskutuan gjatë bashkë, nuk u morën vesh në asgjë dhe diktatori Hoxha e dërgoi të ftuarin në burg, e dënoi, e la të vdiste nga sëmundjet dhe uria. Eshtë proverbiale që te tabela MESAGJERIA, nuk dukej kurrë një torbë apo një sopratas me emrin e Mirash Ivanajt, por është edhe më proverbiale fakti që çdo drekë, idealisti Ivanaj shtronte një mësallë të pastër, një copë bukë, një pjatë me bollgur të neveritshëm, një vezë të zier, kurrë të qëruar, gjithmonë të mbështjellë, me muaj pa u ngrënë, një copë djath të thatë që gjithnjë e çonte te goja, po kurrë nuk e kafshonte, në mënyrë që të mos i jipte njeriu gjë, e as të mos pranonte një ushqim prej të tjerëve. Në këto kushte, përktheu me muaj e vite profesori i nderuar dhe ne, nxënësit e asaj kohe, mësonim dispensa të përgatitura prej tij dhe shokëve të tij, derisa ai dha frymën e fundit. Në Mesagjeri punoi edhe shkrimtari madh Mitrush Kuteli. Aty përkthente edhe Ali Cungu, nxënës i dalluar i shkollës teknike amerikane, Beqir Haçi, Gjon Shllaku, përkthyesi i Homerit, Vexhi Buharaja, e shumë e shumë të tjerë.
Po ju si hytë në rrethin e këtyre përkthyesve?
Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht. Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca.Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me "normë" shkollarë të përgatitur.
Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo "të lirë" që gjallonin si "mumje", as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjindej sebepi për t'iu futur dy herë e tri herë brenda. Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorigjueshëm në Burgun e Burrelit.
Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin "të gjithë brenda", zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast.
Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja. Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini. Këshut më thanë ndërsa unë i mora nëpër dorë. Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t'i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni… dhe kësisoj u futa dhe unë në rrethin e tyre.
Ju shpërbleheshit për punën e detyruar që bënit në birucë?
Shpërblimin ma thanë që atë ditë. “Do të keni racionin e bukës tetëqind gram, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë e shtatëdhjetë cent zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjo do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po diku jo nga një makinë shkrimi.Sa përkthyes ishit në rrethin ku bënit pjesë edhe ju?
Ishim ndaarë në çifte. Isha unë dhe Uran Kalakulla; Engjëll Çoba, jurist, zëvendës ministër dhe Xhavid Qesja sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; Vangjel Lesho gazetar, dhe Iljaz Spahiu nëpunës ambasade në Rusi; Fehmi Frashëri nëpunës ambasade, ekonomist në Rusi dhe Ivan Çami inxhinier.Dhe cila ishte dita juaj?
Gjithë ditën shkruanim papushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne "spiunët" e Perëndimit me të dënuarit "antiparti", ose si quheshin ndryshe "të mesit" apo "revizionistët".Cilët ishin librat e parë që ju sollën për të përkthyer?
Në fillim na sollën disa libra. Ishte “Ditari i kolonelit Penkovskij” - një kolonel i zbulimit sovjetik i vënë vullnetarisht në shërbim të Intelegent Service britanike dhe CIA-s amerikane, në kohën e krizës së Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë, i cili dha mbi 5000 dokumente origjinale dhe informacione sekrete sovjetike gjatë viteve 1959-1962. Këtë libër e kam përkthyer unë dhe Uran Kalakulla. Ishte edhe “Lufta Partizane në Ballkan”. Dokumente sekrete mbi marrëdhëniet dhe bisedimet Tito-Churchill, Tito-Stalin. Marrëdhëniet e komunistëve jugosllavë - shqiptarë e grekë. Këtë e përkthyen Engjëll Çoba dhe Xhavid Qesja. Ndërsa vangjel Lesho dhe Ivan Çcani përkthyen “Libër mbi CIA, teknikat njerëzore e shkencore”. Unë kam përkthyer në atë kohë edhe librin “Lufta u fitua në Zvicër 1939-1945 Çështja Roessler - "Lucy" dhe “Kundërzbulimi francez”Dhe së fundmi çdo të thotë të përkthesh me urdhër?
Përkthimi me urdhër nuk ka atë kënaqësi që ka përkthimi i vetvetishëm, por mos harroni se ne i kishim të ndaluar librat e mirë. Dhe kur na sillnin për të përkthye ca libra të tillë për tjetërkënd, (që i përkthenim për dhjetë lekë të vjetra në ditë) kjo ishte përbuzëse.Maj 2004
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)