Intervista e dhënë pak ditë më parë nga ish-Kryeministri Fatos Nano nxiti reagime të shumtanë të gjithë opinionin publik. Këtë intervistë e ka komentuar sot edhe Kryeministri Rama, i cili tha për paraardhësin në PS se është një pikë referimi.
"Fatos Nano nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet me dorëheqje
Ai është pikë referimi se ai ka qenë këtu ku jam unë. Duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të imponuara te ç'do aktor që është në tavolinën e saj ka të gjithë mendjepremhtësinë të më japë opinionet e tij kur ia kërkoj. Pa, jam unë që i kërkoj opinione dhe ai mi jep kur unë ia kërkoj. Është fat dhe kënaqësi që të mund të komunikosh me ata që e kanë pasur këtë detyrë që të të japë një këshillë. Askush që nuk e ka pasur këtë detyrë nuk e kupton dot vetminë e majës. Të gjithë kujtojnë se shkon fjollë. Në majë je vetëm, ku era fryn nga të gjitha anët dhe duhet të marrësh vendimet kyçe", tha Rama.
Në intervistën e gjatë të dhënë para pak ditësh në "Opinion" ish-Kryeministri i vendit Fatos Nano u shpreh se Edi Rama është maturuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit dhe në detyrën e Kryeministrit, "Kur e bën me seriozitet të maturon. Të bën të ndjesh deri në pore përgjegjësinë e vendimarrjes në dobi të shumicës së njerëzve", tha Nano.
Kujtojmë se Nano foli me përçmimin më të madh për një njeri, Presidentin aktual Ilir Meta. "Më lër ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh 7 mëkatet kapitale të Biblës, është Presidenti i sotëm", tha Nano për Metën.
Ndërkohë, teksa foli për ish-Kryeministrin Berisha, rivalin e tij kryesor në 25 vite politike, Nano tha se nëse Sali Berisha nuk do të ishte në politikë, Shqipëria do të kishte ecur më përpara, pasi e ka cilësuar atë si një politikan konfliktual që e ka të vështirë që të pranojë mendimin ndryshe. Nano foli për 2 episode të rëndësishme, ku gishtin e drejton nga Berisha, që është burgosja e tij dhe 21 janarit. Për këto 2 ngjarje, Nano thotë se Berisha është marrë personalisht me to, madje ai shkon më tej duke thënë se nga "kafshë politike", pas 21 janarit, Berisha mbeti vetëm një "kafshë".