Intervista e plotë/ Ademi për Report Tv nga karantina: 8 ditët e para të vështira! Do vazhdoj të jem kryetare Bashkie, vlerësim që PD më futi në listë për deputete!

Jeni diagnostikuar me Covid-19 rreth 13 ditë më parë. Si ka qenë gjendja juaj shëndetësore?

Në fakt u bënë rreth dy javë. Besoj se duhet të jem në fazën e fundit, drejt shërimit të plotë. Nuk është e lehtë, është e vështirë. Është gati si një sëmundje e pakuptueshme, në një moment ndihesh mirë, më pas ndoshta ke simptoma të shtuara dhe nuk e kupton. Kërkon një vëmendje të përditshme, të çdo momenti, që lidhet me temperaturën e trupit, me kollën, me djersitjen, me frymëmarrjen, me oksigjenin e me radhë. Jam përpjekur ta menaxhoj. Mendoj që e kam pasur jo të lehtë, ka qenë e vështirë sidomos në tetë ditët e para kam marrë mjekim gjatë gjithë ditës. Vazhdoj të jem nën mjekim. Kuptohet që tani ndiej pak lodhje, si rrjedhojë e kalimit të dy javëve, por mendoj që po e kaloj. Në fakt, është diçka që ashtu sikurse thuhej, një pandemi që do të prekte dhe prek një popullsi të madhe. Edhe unë jam pjesë e asaj popullsie që po kalon Covid-19.

Cili ka qenë reagimi i kolegëve tuaj, të PD-së por jo vetëm. Besoj se keni marrë telefonata nga të gjithë.

Po, në momentin e parë në fakt kur u bë mediatik lajmi, jo se nuk e prisja që të bëhej lajm, por në fund të fundit nuk ndihesh mirë sepse je në një situatë sëmundjeje dhe nuk e parapëlqen këtë. Por ajo pastaj ndoshta u shoqërua edhe me një mori telefonatash që në momentin e parë dukeshin sikur të ngacmonin, por në fakt kanë pasur impaktin e një mbështetjeje. U jam përgjigjur të gjithëve. Më kanë shkruar shumë, por edhe më kanë marrë në telefon. Kanë qenë shumë qytetarë dhe i falënderoj me zemër. Kanë qenë bashkëpunëtorë që ne punojmë në komunitete të ndryshme, kryetarë të fshatrave p.sh., apo njerëz që ndoshta me atë kujdesin e vet dhe me atë njohjen nga afër janë përpjekur që të solidarizohen. Patjetër kanë qenë edhe personazhet e politikës, me të cilët kam komunikuar në vazhdimësi dhe i falënderoj me gjithë zemër. Kuptohet që autoritetet e larta të shtetit më kanë telefonuar dhe përgjithësisht për të ndjekur, në njëfarë mënyre, nëse do të kishte ndonjë nevojë për ndonjë shtim të kujdesit, por nuk e kam gjykuar të tillë. Jam përpjekur ta menaxhoj vetë.

Cila ka qenë vëmendja e autoriteteve shëndetësore ndaj situatës suaj? Ka pasur një vëmendje më të shtuar, duke pasur parasysh që jeni kryetare e bashkisë?

Edhe kjo është një histori për t’u treguar në fakt, jo se ka lidhje me mua direkt, por mendoj që sistemi ka shumë probleme në adresimin e Covid-19. Dhe ky ishte ndoshta problemi më i madh që, ashtu sikurse në fakt unë e kam pas verifikuar më përpara, por tani edhe e kam jetuar, dhe në këto raste kryetari i bashkisë nuk bën ndonjë dallim. Sigurisht që unë kam komunikuar me kolegë mjekë sepse ata janë miqtë e mi dhe më kanë telefonuar vazhdimisht për të më pyetur si jam, por jo duke qenë pjesë e një sistemi. Mendoj që sistemi i kujdesit të mjekut të familjes dhe i shërbimit parësor, i domosdoshëm për t’u përfshirë në sistem, nuk ekziston në rastin e përballimit të Covid-19. D.m.th. një të diagnostikuari me Covid-19 nuk i atashohet dikush që ta ndjekë në bazë të një protokolli të mjekut të familjes e me radhë, sikurse në fakt do të duhej të ishte,

mendoj unë. Apo sikurse është edhe në vendet e tjera të Evropës. Po ashtu edhe pjesa që lidhet me mjekimin e kontrolluar dhe të analizave të gjakut. Pra ka një protokoll. Por këtë nuk e dinë pacientët, njerëzit nuk e dinë. Dhe kjo i lihet një sistemi pyetjesh dhe marrjesh informacioni në mënyrë informale, jo në mënyrë të sistematizuar. Mendoj që ky është një problem shumë i madh dhe nuk ka një sistem të përballimit të Covid-19, kur bëhet fjalë për asistencën e orientuar, të synuar, të ndjekur hap pas hapi për gjithsecilën familje që është e sëmurë. Pra, jo gjithsecili duhet t’i drejtohet një mjeku që njeh për të marrë informacionin apo për të marrë mjekimin dhe këshillimin. Por, gjithsecilit pacient duhet t’i shoqërohet mjeku përkatës, i cili e ndjek ashtu sikurse mjeku i familjes. Unë e gjykoj që ky sistem nuk funksionon në Shqipëri. Kur them nuk funksionon, dua të them që nuk funksionon aspak. Është edhe pjesa tjetër pastaj që lidhet me kostot e shtuara që k një familje në rastin kur përballet me mjekimin. Mjekimi nuk kushton pak, kushton shumë. Ne po flasim për një situatë jo të rënduar, por për një situatë të përballimit të Covid-19. Nuk po flas për atë situatën e rënduar, që në fakt kushton shumë më tepër. Në këtë rast nuk është se shteti ka menduar për këto raste. Sistemi nuk ofron një asistencë të tillë të referencës për mjekimin përkatës apo për rimbursimin e ilaçeve, që mund të ishte një ndihmë shumë e madhe për të gjithë ata që kalojnë Covid-19. Nuk është rasti im, por imagjinoni duke llogaritur rastin tim, unë kam vënë re se sa i kushton përballimi i sëmundjes një familjeje kur ka vetëm një të sëmurë me Covid-19. Në këtë rast sistemi shëndetësor dhe mbështetja e shërbimit shëndetësor për familjet nuk është mbështetur fare nga shteti. Fare. Dhe kjo është shumë e rëndë për një familje. Është e rëndë për një familje ku mund të punojnë dy persona dhe imagjinoni se sa e rëndë është për ata që nuk punojnë. Në këtë rast, përballimi i Covid-19 nuk është pjesë e një sistemi mbështetës të shtetit. Këto janë dy mësime që, në fund të fundit, nuk kanë nevojë për një provë apo për fakte. Unë i kam të faktuara tashmë dhe mendoj që në fund të gjithë kësaj historie them se Zoti dhe ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të ruajtur vetveten. D.m.th. Zoti na ruan, por na ruan duke u kujdesur vetë ne për vetveten. Dhe mendoj që kujdesi i shtuar për gjithsecilin, për anëtarët e familjes, p.sh., në rastin tim unë jam përpjekur, kemi disa muaj që, në njëfarë mënyre, ne kujdesemi për njëri-tjetrin, sepse unë jetoj dhe punoj duke lëvizur jashtë dhe kam pasur kujdes. Dhe fatmirësisht unë nuk kam infektuar njerëz të tjerë as në punë, as në shtëpi, të afërmit me të cilët unë kam punuar apo ata me të cilët unë jetoj, por nga ana tjetër dhe ky është një kujdes, e njëjta gjë vlen për gjithë të tjerët sepse në fund të fundit, pasoja është jo e lehtë, është e vështirë. Është sëmundje shumë e vështirë për t’u përballur, lë pasojat e veta, bie imuniteti në njëfarë mënyre, nuk është si më parë, do kohë për ta marrë veten. Por nga ana tjetër, ka edhe një kosto të konsiderueshme, është e rrezikshme për shëndetin, por edhe kosto e konsiderueshme për t’u përballur me familjen.

Fatmirësisht gjendja juaj shëndetësore është më e mirë. Kur do ta keni përgjigjen e testit të dytë të tamponit për të parë pozitivitetin apo negativitetin e sëmundjes?

Unë jam më mirë. Sigurisht mendoj që jam në fazën e fundit, për tejkalimin e Covid-19. Ndoshta nga dita e hënë mund të bëj një test, kjo gjithnjë duke u konsultuar me Drejtorinë e Shëndetit Publik në Shkodër, sepse bëhen dy javë nga testi i parë kur unë dola pozitive. Pastaj do të shihet nëse rezultati do të jetë negativ, në mënyrë që të bëhem gati për të vijuar punën jashtë shtëpisë sepse gjatë këtyre dy javëve, sigurisht nuk mund të them se kam punuar e angazhuar 100%, pasi është e pamundur, do të ishte gënjeshtër po ta thosha, por jam përpjekur që në rastet e emergjencës të adresoj apo të japë ndonjë këshillë e orientim. Kaq ka qenë angazhimi im në punë.

Sa e vështirë ka qenë për të menaxhuar nga shtëpia të gjithë Bashkinë e Shkodrës, duke qenë se gjendja shëndetësore nuk ka qenë e mirë.

Kam vërejtur një angazhim të mirë të administratës publike, gjë që tregon ndërtimin e një sistemi pune, që pavarësisht se është apo jo kryetari, strukturat funksionojnë. Ne kaluam dy ditë emergjence jo të vogël në Shkodër, por shumë të madhe në fakt. Sigurisht që ne ishim në një gjendje gatishmërie, në saje të një urdhërese që ne shpërndamë për të gjithë, por në operativitetin e punës më pas u verifikua që të gjitha skuadrat e punës, ndërmarrja e ujësjellësit, shërbimi i ndriçimit rrugor, shërbimet me të cilat ne operojmë në shërbimin e pastrimit apo të gjelbërimit rrugor për shkak të dëmeve që u shkaktuan, apo forcat e ndërhyrjes së shpejtë që lidhen me mbrojtjen e shpëtimin nga zjarri, të gjitha kanë qenë në operatvitet me kohë të zgjatur pune. Janë vërejtur këto. Unë nuk kam marrë pjesë direkt në koordinimin e operacionit. Kanë qenë vetë drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës, drejtori i shërbimeve publike gjithashtu, drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit, në koordinim me njëri-tjetrin, nënkryetarët e Bashkisë, të cilët kanë bërë punën. Por në fund, unë dua t’u vë një notë pozitive, i falënderoj që ata kanë ditur të punojnë dhe kjo tregon në njëfarë mënyre atë që kemi ndërtuar në Bashkinë e Shkodrës, një sistem pune ku gjithsecili bën punën e vet pavarësisht, pa pritur një urdhër apo pa pritur një angazhim të detyrueshëm medoemos të lidershipit në terren. Prandaj gjykoj që kemi operuar mirë dhe kanë shërbyer këto dy javë edhe për të refletuar edhe për të parë ndoshta ku mund të bëjmë më mirë, ku ndoshta sistemi ka nevojë për përmirësim në administrim.

Pavarësisht se ju nuk keni qenë e pranishme në mbledhjen e këshillit të bashkisë, kjo nuk i ka penguar anëtarët e këshillit që të miratojnë një padi ndaj jush. Ju do të përballeni në gjykatë për vendimet e asamblesë së “Vllaznisë”. Pavarësisht se ne kemi komunikuar, ka pasur edhe një reagim, por si e shihni këtë çështje? Po tentohet që të përdoret politikisht?

Unë uroj që jo. Nuk dua kurrsesi që çështjet që lidhen me shërbimet e përditshme apo me çështje të rëndësishme të komunitetit të Shkodrës të politizohen, aq më tepër në këtë moment. Kam qëndruar larg kësaj. Asnjë gjë. Unë jam e qetë, mendoj se gjërat mund të qartësohen në aspektet ligjore. Kushdo që ka një paqartësi ekziston mundësia edhe në gjykatë për t’i sqaruar

gjërat. Mbase ndoshta është vendi i duhur, nuk e di. Por ajo që më ka lënë pak shije të hidhur është që unë nuk kam qenë e pranishme në sallë, nuk kam pasur dijeni. Dhe në çdo rast ekziston mundësia në fakt për t’u përballur me fakte. U përpoqa në kohë që të dërgoja disa nga argumentimet, të cilat janë publike, të situatave të ngjashme me vendimmarrje të ngjashme, por edhe të njëjta të kryetarëve të bashkive, për shkak të detyrimit ligjor që kanë. Por nga ana tjetër nuk shërbeu, por në fund të fundit dua ta trajtoj si një procedurë. Sigurisht që do të verifikohet në fund. Kjo është diçka që ka ndodhur gjatë viteve, nuk ndodh për herë të parë. Dhe nga ana tjetër është një procedurë e konfirmuar jo vetëm për sh.a. “Vllaznia”, por është për të gjitha shoqëritë aksionere që administrohen nga Bashkia e Shkodrës. Do të jap edhe një shembull të fundit, në saje të udhëzimit të Ministrisë së Financave, bashkisë i është kaluar një shoqëri tjetër aksionere, ajo e trajtimit të shërbimit ndaj studentëve, e cila përsëri funksionon, është një ndërmarrje që funksionon si një shoqëri aksionere, ku me udhëzimin e Ministrisë së Financave është autorizuar kryetari i bashkisë për të regjistruar statutin, organet drejtuese e me radhë, për të konfirmuar të gjitha pasqyrat financiare. Pra në këtë rast, edhe vetë shteti ynë, vetë ministria, edhe vetë kjo qeveri, sigurisht në bazë të ligjit, autorizon atë që ka përfaqësimin për ta bërë ekzekutimin e detyrimeve që lidhen me administrimin e një shoqërie aksionere. Pastaj çështje të tjera besoj që mund të sqarohen rrugës. Nuk ndihem e shqetësuar, përkundrazi, por nga ana tjetër mendoj që nuk do të duhet të ndërhyhet, të përdoret politikisht. Ne nuk jemi përpara zgjedhjeve vendore, jemi përpara zgjedhjeve parlamentare dhe në këtë rast nuk mendoj që duhet të ketë një lidhje.

Jemi përpara zgjedhjeve parlamentare. Ju nuk keni qenë prezente, por në PD-në e Shkodrës janë konfirmuar 23 emrat për kandidatë të mundshëm në listën e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme. Një ndër emrat është edhe i juaji. Do ta shohim Voltana Ademin në sallën e Parlamentit, apo do të vazhdoni detyrën në krye të bashkisë?

Unë falënderoj komisionin, së pari falënderoj PD-në për vlerësimin që më bënë, duke më bërë pjesë të një liste të përfaqësuesve politikë të një qyteti. Unë aktualisht jam kryetare e Bashkisë së Shkodrës, por në fund të fundit ky është edhe një vlerësim tjetër që më jepet. Sigurisht, në kushtet në të cilat unë jam, kam detyrën dhe përgjegjësinë që në emrin e qytetarëve të Shkodrës të vazhdoj të administroj Bashkinë e Shkodrës. Kuptohet, kam vlerësuar dhe vazhdoj të vlerësoj atë që PD-ja, në një proces përzgjedhjeje ka bërë. Është hera e parë në fakt që ndodh, në këtë mënyrë, në këtë formë. Dhe sigurisht, unë jam pjesë, jam autoritet politik, jam nënkryetare e PD-së, kam qenë anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam qenë patjetër anëtare e Këshillit Kombëtar e me radhë dhe duke qenë pjesë e angazhimit tim politik, e kam vlerësuar, pavarësisht kushteve në të cilat janë, që janë në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës, nuk mendoj që mund të ketë ndonjë premisë d.m.th. në këtë rast. Ajo që ne presim është që të kemi zgjedhjet vendore. Kjo është shumë e rëndësishme, të paktën në angazhimin tim të deritanishëm, por për mua është nder që të jem pjesë e një liste fituese të PD-së, të vlerësuar në lidershipin dhe në drejtimin politik, në administrimin e qeverisjes në përgjithësi.

Meqë flasim për zgjedhjet vendore, ditët e fundit politika me apel dhe të ndërkombëtarëve, të cilët ngulin këmbë te Gjykata Kushtetuese. Është një padi e juaja në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht ndaj zgjedhjeve të 30 qershorit. Besoni që do të ketë një vendimmarrje të shpejtë dhe një ngritje të shpejtë të këtij institucioni të rëndësishëm?

Nuk e di, nuk mund ta di. Kam po aq informacion sa keni edhe ju, informacion lidhur me procesin. Ajo që unë pres, se unë nuk jam pjesë e asaj vendimmarrjeje politike në këtë rast, nuk e di, por duke qenë një ndër përfituesit sikurse është i gjithë populli në fakt, por në këtë rast ndoshta me interes më të madh, për shkak të një padie që unë kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese, dëshira ime është që të kemi një Gjykatë Kushtetuese, të kemi një vendimmarrje sa më të shpejtë për procesin e 30 qershorit. Kjo vazhdon të jetë një pengim, të jetë akoma një proces i pambyllur dhe mendoj se do të duhet të shkojë sa më shpejt drejt fundit sepse njerëzit, p.sh. në Shkodër, ne do të donim të kishim sa më shpejt zgjedhje vendore. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë zgjedhjet janë anatemuar, pra procesi i votimit të 30 qershorit është anatemuar. Është konfirmuar nga një sërë institucionesh ndërkombëtare njëkohësisht apo edhe përfaqësuesish politikë në nivelin ndërkombëtar, të cilët në fakt e kanë verifikuar këtë gjë dhe e kanë thënë me zë të lartë. Dhe ata janë shprehur që Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet më në fund. Unë atë po pres, në mënyrë që të kemi sa më shpejt një verdikt të kësaj gjykate për një proces që në fakt ngriti pikëpyetjet e veta të një sistemi që nuk funksionon dhe aq më tepër të përfshirjes së kriminalitetit dhe të mungesës së vullnetit politik. Pra verifikimi që në rastin kur nuk ka një vullnet politik për të zbatuar ligjin, ajo çartet dhe prishet dhe prish vullnetin e njerëzve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës