Intervista e plotë/ Avokati i UÇK: Krijimi i Gjykatës Speciale një gabim i Kosovës! Basha udhëheqësi që duhet të dorëzonte dosjet penale nga UNMIK te vendorët

Kemi pasur edhe reagime emocionale nga ish-drejtuesit e UÇK-së. pamë zotin Krasniqi të përlotur gjatë seancës. Si e komentoni mbrojtjen dhe atë se çfarë ka ndodhur në Hagë gjatë këtyre ditëve?

Faktikisht, mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së ende nuk ka filluar. Këto janë vetëm paraqitjet e para pas arrestimeve të tyre që kanë ndodhur javën e kaluar dhe paraqitjet janë para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili ka këtë emërtim dhe është gjyqtari që ka lëshuar urdhrat për arrestimin e tyre. Sigurisht zoti Jakup Krasniqi ishte shumë emocional, për shkak se as në ëndërr nuk ka pritur që mund të ndodhë një situatë e tillë, që ai të arrestohet në shtëpinë e tij dhe që të inskenohet apo të bëhet një bastisje krejtësisht e panevojshme, spektakolare, me dhjetëra e dhjetëra policë në shtëpinë e tij. Unë besoj që zoti Jakup Krasniqi, me siguri sikur mbi 300 ushtarë të UÇK-së, nëse do të merrte një ftesë të rregullt, ai do të paraqitej, siç janë paraqitur të gjithë, pa marrë parasysh në cilësi të të dyshuarve apo të dëshmitarëve dhe ishte faktikisht shfaqje e një dhembjeje shpirtërore se Gjykata Speciale, e cila është formuar nga institucionet e Kosovës është paksa e çuditshme se merret vetëm me krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe e tha shumë mirë se në këto gjykata me konotacion krejtësisht ndërkombëtar, do të duhej që të gjendeshin pjesëmarrësit e ushtrisë, të milicisë dhe paramilitarët serbë, për shkak të krimeve që bënë në Kosovë gjatë luftës, krime të tilla që bota nuk i kishte parë pas Luftës II Botërore dhe që ishin krime të tilla deri në gjenocid.

Zoti Gashi, në Gjykatën e Hagës, në disa procese gjyqësore ju keni përfaqësuar dhe keni mbrojtur edhe eksponentë kryesorë të UÇK-së. Nga informacioni që ju keni, misioni i UNMIK-ut atje sa e ka ndihmuar Gjykatën e Hagës me dosjet që dispononte në lidhje me këta eksponentë të UÇK-së.

Është fare e qartë, unë kam qenë avokat mbrojtës i zotit Ramush Haradinaj. Pastaj kam qenë në rastin e zotit Fatmir Limaj. Këto kanë qenë dy rastet më të mëdha. Ka pasur edhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së të akuzuar, por unë kam punuar për këta në Gjykatën e Hakës për ish-Jugosllavinë dhe është e ditur që misioni i UNMIK-ut nuk ka qenë menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe për çështje të drejtësisë, të çështjeve ligjore dhe të sigurisë, ishte alfa dhe omega, që do të thotë se një bashkëpunim me Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë me UNMIK-un, ka qenë i domosdoshëm dhe kanë qenë kanalet e vetme me të cilat ato kanë komunikuar. Edhe në periudhën kohore kur ne kemi kërkuar lirimin e zotit Ramush Haradinaj, por edhe të zotit Limaj, garancitë për kthimin e tyre në Hagë janë dhënë nga udhëheqësit e UNMIK-ut në atë kohë, sepse misioni i UNMIK-ut, besoj që të gjithë e dimë, ka qenë mision i Kombeve të Bashkuara në periudhën kohore sa ka ekzistuar këtu.

Ndërkohë, në administratën e OKB-së siç thoni ju, apo në UNMIK, a ka pasur shqiptarë, të cilët kanë qenë të aktivizuar dhe kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre atje? Cili ka qenë roli i tyre në fakt? Ka pasur një debat ditët e fundit në lidhje edhe me rolin e Lulzim Bashës në këtë mision.

Jo se e them unë, por kështu është, po e them në anglisht: United Mission in Kosovo, që do të thotë se është Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Sigurisht që ne kemi pasur me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të Shqipërisë, të cilët kanë punuar në misionin e UNMIK-ut në Kosovë dhe njëri prej tyre ka qenë edhe zoti Lulzim Basha. Kështu që kjo nuk është diçka që po zbulohet tani dhe kjo çështje është ditur. Nuk ka qenë krim që të punoje në UNMIK, ka qenë një punë të cilën e kanë zgjedhur ata, kanë aplikuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara, dhe për vite të tëra kanë qëndruar këtu. Ne kemi pasur përkthyes nga Shqipëria, kemi pasur zyrtarë ligjorë nga Shqipëria, kemi pasur asistentë nga Shqipëria, por nuk kemi pasur gjyqtarë dhe prokurorë sepse nuk ka qenë e lejuar. Kështu që roli i zotit Lulzim Basha këtu është i ditur, ka qenë publik, d.m.th. misioni i tij ka qenë si zyrtar ligjor ndërsa në përfundimin e punës së tij, nga fundi i punës së misionit të UNMIK-ut në Kosovë, ai ka qenë njëri prej udhëheqësve apo i vetmi udhëheqës në çështjen e dorëzimit të çështjeve apo të dosjeve penale nga institucionet ndërkombëtare të UNMIK-ut te vendorët. Mirëpo kjo faktikisht nuk ka ndodhur sepse këto dosje i mori menjëherë EULEX-i, i cili ishte i ftuar nga shteti i Kosovës dhe erdhi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, d.m.th. nuk ka pasur një vakuum kohor, sepse çështjet apo dosjet nga UNMIK-u i mori menjëherë EULEX-i dhe zoti Lulzim Basha ka qenë këtu në cilësinë e udhëheqësit, ka punuar me prokurorin. Besoj se për këtë dihet. Ky ka qenë prokuror amerikan, i cili ka hetuar pretendimet politike të senatorit zviceran Dik Marti dhe pastaj ka qëndruar në çështje juridiko-penale. Kështu që roli i tij ka qenë i tillë, d.m.th. transferimi i çështjeve apo i dosjeve penale nga këto institucione tek institucionet e tjera. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë nuk ka pasur derë tjetër, përveç e vetmja derë e hapur ka qenë përmes UNMIK-ut, d.m.th. të themi se prokurorë dhe gjyqtarë vendorë shqiptarë në Kosova ka pasur, mirëpo absolutisht asnjë shkresë nuk ka kaluar përmes duarve të tyre, të shqiptarëve, pa marrë parasysh se çfarë funksionesh ligjore kanë pasur. Gjithçka ka shkuar përmes misionit të UNMIK-ut.

Ndërkohë, zoti Gashi, a keni ju dijeni në lidhje me një kasetë filmike, e cila i është dorëzuar kryetarit të PD-së zotit Lulzim Basha nga një shtetas i quajtur Milaim Bellanica, i cili ka qenë dëshmitar i masakrave dhe i krimeve makabre që serbët kanë bërë në Krushë të Madhe?

Për masakra të tilla që ka bërë Serbia tanimë e gjithë bota e di. Kanë qenë rreth 400 masakra, të cilat janë të evidentuara edhe nga misionet e huaja të drejtësisë në Kosovë, edhe nga Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë. Kur flas për misionet e huaja po e theksoj përsëri që është çështje e UNMIK-ut, sepse ata erdhën menjëherë pas përfundimit të luftës dhe ishin të dërguarit e OKB-së në Kosovë. Ndërsa për çështje të videove të tilla unë nuk kam njohuri dhe nuk kam si të kem. Nëse ajo i është dorëzuar zotit Lulzim Basha, besoj që nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe do të duhej që ta bënte publike ai.

Ndërkohë, pa i hyrë sigurisht debatit të brendshëm politik këtu në Shqipëri, se gjithmonë politika i tjetërson gjërat edhe kur bëhet fjalë për interesin kombëtar. Sigurisht që ju thoni për zotin Basha se ai ka qenë përfaqësues i UNMIK-ut në atë kohë, por roli i tij ka qenë një rol, i cili e ka ndihmuar po e ka dëmtuar Kosovën në këto procese gjyqësore, që tanimë kanë përfunduar në Gjykatën e Hagës?

Askush nuk mund të thotë se e ka ndihmuar apo e ka dëmtuar, vetëm se ai ka qenë personi kyç, personi kryesor, i cili ka qenë i ngarkuar nga prokurori ndërkombëtar për transferimin e dosjeve. Dhe sigurisht, nëse ka qenë ai i angazhuar direkt për Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, ne kemi parë faktikisht kronika që ka bashkëpunuar edhe me ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët duket se kanë arritur në Shqipëri në mënyrë të fshehtë dhe njëri prej tyre ka qenë drejtor i departamentit për mjekësi ligjore këtu në Kosovë, Hoze Pablo Baraibar. Faktikisht ai ka qenë një kriminel, i cili ka punuar për Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë. Duket që ka pasur bashkëpunim edhe me zotërinë e përmendur, me zotin Lulzim Basha. Dhe unë personalisht, në emër të viktimave, e kam paditur penalisht, kam ushtruar kallëzim penal kundër këtij mjeku, kundër këtij eksperti të mjekësisë ligjore, i cili në Kosovë ka vjedhur 400 klavikula, që janë eshtra të shqiptarëve dhe i ka shfrytëzuar për çështje personale private. Fare lehtë mund të gjeni librin e tij të publikuar, me ekzaminime shkencore nga eshtrat e shqiptarëve, duke i zhvarrosur për çështje krejtësisht të profesionit të tij, por i ka përdorur privatisht, jo për çështjet e Gjykatës së Hagës. Pastaj kemi raportet ku ky ka marrë pjesë në të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, që është në Shqipëri. Ka punuar direkt me Karla Del Ponten, e cila ka qenë kryeprokurore për 8 vite në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, në kohën kur ka qenë edhe zoti Ramush Haradinaj dhe zoti Fatmir Limaj të akuzuar dhe këto çështje kanë të ditura që ai nuk ka gjetur fare, asnjë dëshmi shkencore për trafikim të mundshëm të organeve njerëzore, gjoja të bëra nga UÇK-ja dhe ky ishte një bazament i trishtueshëm, i keqpërdorur nga senatori zviceran Dik Marti, i cili këtë çështje e përpunoi në mënyrën e tij dhe pastaj e dërgoi në Këshillin e Evropës dhe Këshilli i Evropës kërkoi, në vitin 2011 që të formohej një institucion për të hetuar pretendimet e prokurorit dhe këto hetime të pretenduara nga Dik Marti i bëri prokurori.Për 3 vite ky ishte pjesë e EULEX-it në Kosovë, mirëpo baza e tij dhe zyrat e tij ishin në Bruksel. Por është i njohur në Kosovë sepse është prokuror amerikan që për vite të tëra ka punuar në Kosovë dhe pastaj ai në raportin e tij të vitit 2014, që fare lehtë mund ta gjeni, deklaroi se ka vërtetuar pretendime të caktuara të Dik Martit që do të thotë se është i nevojshëm formimi i një trupe gjykuese, pra Gjykata Speciale. Mirëpo ajo që është thënë dhe që është dashur të hiqet ajo njollë e qëllimshme, e bërë nga Serbia përmes Dik Martit dhe nga ndikimet ruse, kjo i mashtroi institucionet e Kosovës saqë ranë në lajthitje dhe formuan një gjykatë kundër vetvetes, duke menduar se do të hiqet njëherë e përgjithmonë njolla, e cila u bë e qëllimshme nga Serbia me dokumente të falsifikuara të Serbisë, kinse për heqje dhe për shitje të organeve njerëzore, trafikim të organeve njerëzore, që sipas tyre kanë ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe për këtë arsye po e them se kjo gjykatë speciale nuk është vetëm e dëmshme për shtetin e Kosovës, nuk është e dëmshme vetëm për ne shqiptarët e Kosovës, nuk është e dëmshme vetëm për pjesëtarët e UÇK-së, por është e dëmshme për krejt kombin shqiptar kudo që të jemi në rruzullin tokësor.

Duke marrë parasysh rolin vendimtar dhe rolin kyç që zoti Basha ka pasur në transferimin e këtyre dosjeve, a do të thirret ai si dëshmitar në këtë proces që ka nisur ose a duhet të thirret si dëshmitar në procesin që ka nisur ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë?

Me siguri është që këto procedura të akuzimeve të fasifikuara, secili mund ta shohë një aktakuzë të Gjykat Speciale, janë raste që fatkeqësisht do të zgjasin shumë, do të zgjasin me vite të tëra dhe gjithçka do të duhej të zbulohej edhe se si kaluan këto dosje. Unë ju thashë për këtë ekspertin e mjekësisë ligjore që me vite të tëra këtu ka qenë po ashtu drejtor i mjekësisë ligjore, i cili peruan, Hoze Pablo Baraibar. Me siguri që këta duhet të ftohen në Gjykatën Speciale dhe të japin sqarime se si u mashtrua opinioni ndërkombëtar, posaçërisht ai evropian, i Këshillit të Evropës, që të votojë një raport politik të Dik Martit, i cili kishte bazamente edhe në librin e Karla Del Pontes dhe pretendimet e tij, d.m.th. se si ai erdhi tek informatat kinse për trafikim të organeve njerëzore. Ne si popull, ne si komb, nuk mund t’i lejojmë kështu. Kështu që përveç zotit Lulzim Basha, përveç zotit Hoze Pablo Baraibar, me siguri që do të ftohet edhe vetë Dik Marti për të dhënë sqarime se si erdhi ai deri te këto informata të falsifikuara dhe të themi kështu që na shndërroi ne ushtarët e UÇK-së. Prijësit e UÇK-së tani shihen si të dyshuar për krime monstruoze, ndërsa asnjë ushtar, asnjë udhëheqës të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë kurrë nuk do t’i shohim nëpër gjykata speciale, sepse kështu ishte dëshira e Fuqive të Mëdha.

Atëherë kjo do të thotë që në gjithë këto vite, Kosova nuk e ka një listë me emrat e atyre kriminelëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë dhe pse?

Është e qartë që nuk e ka një listë të kriminelëve serbë që kanë kryer krime të tmerrshme në Kosovë. Për shkak të pyetjes së parë që ju më bëtë, se kush ka qenë këtu misioni i UNMIK-ut? D.m.th. ata për më tepër se 10 vite janë marrë me çështjet e krimeve të luftës, ka qenë ekskluzivisht e drejta dhe detyrimi i tyre. Pastaj pas kësaj, misioni i EULEX-it ishte deri para 2 viteve këtu, që i bie se ne përafërsisht për 18 vite ishim gjithnjë nën ombrellën ndërkombëtare, edhe të Kombeve të Bashkuara, pastaj të Bashkimit Evropian dhe ata sigurisht që nuk i dorëzuan të gjitha dosjet tek organet kompetente shtetërore të Kosovës, më thjesht te Prokuroria e Kosovës. Ato që janë dorëzuar janë disa qindra dosje që janë tani në duart e prokurorëve shqiptarë, mirëpo numri i saktë dhe identifikimi i kriminelëve serbë, unë besoj që nuk do të dihet kurrë. Nëse do të kishte pasur një vullnet dhe një trysni nga ndërkombëtarët, kjo fare lehtë do të vërtetohej, meqenëse ushtria serbe, policia serbe ishin ushtri dhe polici të rregullta, vepronin me urdhra komandues dhe secili ushtar, secili udhëheqës ushtarak i Serbisë dhe secili polic dhe udhëheqës i serbëve, është ditur se në cilën njësi ishte, është ditur çdo ditë të kaluar në Kosovë se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë, kështu që ka qenë fare e lehtë, mirëpo tani kanë kalur më tepër se 21 vite dhe do të jetë shumë e vështirë që të gjithë ata të identifikohen, por do të jetë edhe shumë më e vështirë që ata të gjykohen në Kosovë, meqenëse ata, përveç të tjerash, i ikin ardhjes në territorin e Republikës së Kosovës dhe dhe ne kemi faktikisht më pak se 3-4 serbë që janë të gjykuar për krime të luftës dhe unë, në mënyrë ironike, po e them që vetëm ata që kanë humbur rrugën dhe kanë ardhur në Kosovë duke menduar që nuk ka prova kundër tyre, kanë përfunduar në pranga tek organet kompetente të Kosovës.

Zoti Gashi, shkurtimisht edhe një pyetje të fundit. A ka emra të tjerë nga jeta publike dhe politike në Kosovë, të cilët mund të përfundojnë në Gjykatën e Hagës për të njëjtat arsye, sepse pamë një proces ndaj zotit Haradinaj që u zhvillua dy herë, në dy vende të ndryshme dhe doli i pafajshëm, ndërsa tanimë janë katër emra nga politika kosovare që shkojnë në Hagë, por sigurisht ka edhe të tjerë që kanë pasur rol në luftë, por aktualisht janë pjesë aktive e politikës kosovare.

Fatkeqësia që ne i bëmë vetvetes duke formuar një gjykatë të tillë speciale, më 3 gusht të vitit 2015, deri në ditën e sotme i dërgoi dhe i paraburgosi 7 pjesëtarë të UÇK-së dhe secili prej tyre ka qenë udhëheqës në periudha kohore edhe në UÇK, pastaj kanë qenë edhe udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës, d.m.th. nuk janë 4, por deri tani janë 7. Atje janë zoti Hashim Thaçi, zoti Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, i cili u paraqit në mënyrë shumë dinjitoze para Gjykatës Speciale dhe kemi më 25 shtator 2 udhëheqësit e Oranizatës së Veteranëve të UÇK-së që u arrestuan kinse për ndikim në drejtësi apo pengimin e Gjykatës Speciale në ato dosjet që u bënë publike, zotin Asim Haradinaj dhe zotin Hysni Gucati. Unë po e them shumë thjesht, secili që e gjen emrin e vet në raportin prej 30 e ca faqesh të zviceranit Dik Marti, me siguri që në një mënyrë do të ftohet në cilësinë e të dyshuarit, pr secili do të kalojë përmes Gjykatës Speciale, pa marrë parasysh se në çfarë cilësie do të ftohet. Dhe Gjykata Speciale deri tani, ka ftuar dhe ka marrë në pyetje mbi 300 ushtarë të UÇK-së dhe të gjithë janë lajmëruar, askush nuk i ka ikur drejtësisë, pa marrë parasysh që janë ftuar në cilëinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve. Gjykata Speciale është e formuar që prej 5 vitesh. Punën e saj “efektive”, nëse lejohet ta themi, e ka pasur vetëm dy javët e fundit dhe arrestimet e para që janë bërë më 25 shtator, por jo për krime lufte, por për pengim të ndikimit në drejtësi. Dhe ne shqiptarët, kudo që jemi, do të përballemi me këtë gjykatë së paku edhe në 10 vitet e ardhshme, dhe do të na bjerë si një lloj shpate përmbi kokë, që do ta kemi permanente dhe do të ndikojë tepër rëndë në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Pak kohë më parë u bë publike edhe një listë me emra, në vitin 2015 më saktë, edhe nga Shqipëria, të cilët cilësoheshin si veteranë lufte të UÇK-së dhe përfitonin një pagë mujore duke marrë parasysh rolin që mund të kishin pasur në drejtimin e institucioneve të rëndësishme në atë kohë. Rrezikojnë edhe këta persona, pra shtetas nga Shqipëria, që të jenë pjesë e këtyre proceseve?

Absolutisht jo. Ata mund të ftohen eventualisht në cilësinë e dëshmitarëve për të dhënë sqarime të caktuara, nëse prokuroria apo Gjykata Sepciale kërkon. Por nuk do të jenë të ballafaquar me akuza apo me pretendime për rastet e akuzave për krime të luftës. Meqenëse ne përjetësisht jemi falënderues për shqiptarët e Shqipërisë që kanë ndihmuar dhe kanë ardhur të luftojnë me ne për çlirimin e Kosovës, por nuk kanë qenë vetëm shqiptarë. Ne kemi pasur ushtarë gjermanë, francezë, amerikanë, britanikë dhe të shteteve të tjera nga pothuajse gjithë Evropa dhe asnjëri prej tyre nuk do të ftohet në cilësinë e të dyshuarit në Gjykatën Speciale. Përfitimet që ata kanë, i kanë krejtësisht në mënyrë të ligjshme dhe janë çështje që ne nuk bëjmë dallim në mes të atyre që janë me shtetësi të Shqipërisë apo të Kosovës, por përfitime të tjera kanë edhe ata që kanë luftuar për Kosovën, nëse i kanë përmbushur faktikisht kërkesat që janë me Ligjin për Veteranët e UÇK-së

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë