Intervista e plotë/ Balluku për Report Tv: Ecuria e projekteve në 2020 dhe çfarë duhet të presim në vitin 2021

Infrastruktura është një nga sektorët kryesor të ekonomisë së Shqipërisë por shpesh është vënë në qendër të kritikave dhe të opozitës. Por si ka qenë ecuria e projekteve madhore të miratuara nga qeveria Rama gjatë vitit 2020 i cili ishte i mbërthyer nga pandemia dhe çfarë duhet të presim në vitin 2021? Të gjitha përgjigjet i jep për Report TV ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Si do ta konsideronit ju ecurinë e gjithë projekteve infrastrukturore të vitit 2020 u realizuan pritshmëritë që ju kishit në fillim të vitit?

Padyshim që viti 2020 ishte jo i zakonshëm një vit i cili ka afektuar jetën e secilit prej nesh dhe të gjitha punët publike, kantieret e mëdha dhe projektet janë impaktuar negativisht jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Padyshim që do të kishim dashur ti mbaronim më shpejt disa nga projektet që nisën në 2019 por e rëndësishme është se asnjë nga projektet nuk ka dalë jashtë planit dhe ne shumë shpejt do ti realizojmë. Do ndalesha një moment tek tuneli i Llogarasë një projekt ambicioz i të gjitha qeverive i cili gjen realizim në këtë vit kaq të vështirë, ky është nga të vetmit projekte që ne e kemi pasur me 2 faza, kemi pas fazën e parë mes kompanive projektuese dhe kemi hapur garën për ndërtimin e këtij tuneli. Në kuadrin e procedurave tuneli quhet i mbaruar, ky tunel mbështetet nga buxheti i shtetit dhe presim që brenda pranverës të kemi lidhjen e kontratës për të filluar ndërtimi i tunelit të Llogarasë. Një tjetër projekt i rëndësishëm i pezulluar për shkak të goditjes së fushës së aviacionit nga pandemia, aeroporti i Vlorës po shkon gjithashtu mirë.

Në fakt tenderi duhet të ishte mbyllur më 23 dhjetor, pas rihapjes?

Ka pasur një ankesë nga njëri prej operatorëve që ka dashur të marrë pjesë në garë është një procedurë normale, ne nuk i heqim dot të drejtën nga padurimi për të shpallur fituesin, por megjithatë kjo nuk na bën ne që të mos zbatojmë ligjin, kështu që për shkak të një ankese legjitime KPP ka pezulluar punën për 10 ditë ose ndoshta më shumë dhe ne do të kemi në datë 11 janar në dijeninë time porsa i përket ofertave për këtë projekt. Pra në ditët e para të janarit ne do të kemi edhe aeroportin e Vlorës të përfunduar nga ana procedurale për të shkuar  menjëherë tek nënshkrimi i kontratës.

A ka pasur interes nga kompanitë pasi e rihapët garën?

Ka pasur shumë interes dhe ne e hapëm garën se kishte interes pasi përndryshe gara nuk do të niste për shkak se aviacioni vijon në kushte të vështira por kishim shumë kërkesa nga operator të ndryshëm, duke qenë se për të marrë pjesë në garë kompania nevojitet që të jetë një financuar dhe konstruktor por edhe operator. Pra nuk mund të vij një kompani e madhe e huaj që nuk ka pasur eksperiencë, pasi ne kemi vendosur disa limite porsa i përket numrit të përpunimit të pasagjerëve gjatë vitit dhe për të pasur në vend një operator me një eksperiencë të mirë.

Menjëherë pasi të keni përfunduar me sukses garën për aeroportin e Vlorës ju keni paralajmëruar se do të kemi hapjen e garës për aeroportin e Sarandës, sa gati jemi?

Ne jemi shumë gati për aeroportin e Sarandës por ideja është që kemi vendosur që të kemi një skedule kohore e cila shkon hap pas hapi në plan zhvillimi me aviacionin në Shqipëri. Ndërsa në pranverën e vitit 2021 aeroporti i Kukësit bëhet gati për operim, dhe menjëherë pasi ne ti japim start aeroportit të Vlorës i vjen radha aeroportit të Sarandës, që është edhe i fundit i planit të aeroporteve në fushën e aviacionit. Me 2 aeroporte fundore Kukësi në veri dhe Saranda në jug dhe dy aeroportet ndërkombëtare të cilat do të jenë Tirana dhe Vlora.

Me 4 aeroporte çfarë do t’ju ofrohet më shumë qytetarëve shqiptar?

Kushti i parë dhe elementi më i rëndësishëm është konkurrenca e pastër. Kalimi nga një treg monopol në një treg konkurrence është vetëm benefit për qytetarët. Konkurrenca është prezente dhe do të ulë çmimet dhe do të rris cilësinë e shërbimit padyshim. Nga ana tjetër duke qenë se të gjitha këto aeroporte kanë tipologjitë ndryshme, pra aeroporti i Kukësit është rajonal që i përgjigjet kërkesës rajonale dhe jo vetëm Shqipërisë së veriut por edhe Kosovës e më gjerë. Edhe destinacionet që do të nxiten nga ky aeroport do të lidhen me diasporën e veriut të Shqipërisë dhe zonave përreth. Do të jenë destinacionet të Evropës veriore kryesisht pra do të jetë Londra, Hamburgu, Zyhriu apo destinacionet të tjera të këtij lloji. Ndërkohë i Tiranës mbetet i kryeqytet por me probleme teknike, pasi ka një pistë të shkurtër nuk është e mundur që të kryhen fluturime trans-oqeanike nga ky aeroport dhe sigurisht është një aeroport që sot ndodhet në limitet e përpunimit të kapaciteteve, pra në verën e vitit 2019 unë kam dalë publikisht jo vetëm për sigurinë e aeroportit por edhe për arsyet e kapaciteteve sa i takon numrit të pasagjerëve. Aeroporti i Tiranës mbetet ndërkombëtar por duhet investim që ti përgjigjet tregut.

Ndërkohë aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport totalisht tjetër, një aeroport i dizenjuar nga fillimi nëpërmjet një masterplani të përcaktuar dhe ka dy komponentë kryesor. I pari është pista nga 3 deri në 3.2 kilometra e cila akomodon të gjitha llojet e avionëve që mund të mbulojnë direkt udhëtimet trans-oqeanike dhe si e tillë ne do të kemi fluturime trans-oqeanike nga Shqipëria pra pa pasur më nevojë që të shkojmë në aeroporte të huaja duke paguar gati dyfishin e biletës për të shkuar në Neë York, Detroit apo Boston ku kryesisht ndodhet diaspora shqiptare. Përveç kësaj në aeroportin e Vlorës edhe zhvillimi i shumë bizneseve do të jetë shumë i rëndësishëm siç është rasti i zhvillimit të biznesit të hangarëve pra të mirëmbajtjes të avionëve. Ne e kemi një kompani të interesuar e cila do të vihet menjëherë në kontakt me fituesit për të krijuar edhe një lloj tjetër biznesi i cili do të risi kapacitetet e punësimit dhe do të krijojë një industri të re në Shqipëri atë të avionëve e cila është shumë e rëndësishme potencial i rritjes ekonomike dhe pse jo zhvillimit të një sektori që vjen nga fusha e aviacionit, që shkon nga inxhinierët e avionit qoftë të teknikëve të një kategori më të ulët që janë shumë të rëndësishëm në këtë industri. Aeroporti i katërt është një aeroport sezonal, i cili do të jetë i destinuar vetëm për turizëm dhe plan biznesi i tij do të jetë i njëjtë me ato të Korfuzit. Janë aeroporte që e nisin punën në fillim të pranverës dhe mbyllet para nisjes së dimrit maksimumi deri në nëntor.

A do ketë limite dhe kapacitete të përcaktuara?

Patjetër, është kryesisht i fokusuar tek përpunimi i turistëve, sesa tek udhëtimeve në bazë të një skedule. Mund të ketë një skedulë verore të vazhdueshme, nga Kukësi në Sarandë sa e bukur do të jetë si ëndërr por sigurisht do të jenë për një periudhë të caktuar kohe.

Përveç ndikimit që do të kenë në ekonomi sepse do të rrisin punësimin dhe turizmit, por një tjetër çështje që ka po të njëjtin ndikim le të themi sa projektet aeroportuale janë edhe ato infrastrukturore të cilat faktikisht janë edhe më të kontestuarat. Në këtë vit ne prisnim që të nisin punimet për dy koncesione të kontestuara Milot-Balldren dhe Orikum Dukat. Çfarë po ndodh?

Atëherë Orikum-Dukat në informacionin tim zyrtar ka nisur puna kantieret janë ndërtuar, unë kam qenë shumë e zënë dhe nuk kam pasur mundësi për ti vizituar kantieret për inspektim për të parë se si ecën puna atje por do ndodh gjatë janarit. Është një kontratë e firmosur janë përmbushur të gjitha kushtet kontraktuale dhe puna ka nisur. Ndërsa porsa i përket Milot-Balldrenit kemi pasur një pamundësi nga kompania për të plotësuar kushtet kontraktuale dhe si e tillë ministria nuk mund të konsiderojë vazhdimin e këtij koncesioni.

Projekti tjetër i cili pak ditë më parë është njoftuar që është anuluar ishte ajo e Milot-Fierit. Kur parashikohet të rihapet përsëri gara, pasi në tenderin e parë pjesëmarrja ishte me vetëm një kompani?

 Pjesëmarrja nuk luan një rol të madh në rastin e këtyre lloj koncesionesh dhe garimesh, pasi flitet për investime shumë të mëdha dhe ne nuk presim që të vijnë 20 kompani siç ishte edhe rasti i Karavastasë që është një investim 100 milionë euro, ndërkohë që ne flasim për një investim që arrin në vlerën e 1.2 miliardë eurove, kështu që edhe numri i investitorëve është i kufizuar dhe sidomos në një vit krize si ky. Megjithatë duhet theksuar pasi nuk e kemi folur shpesh, që gjatë garimit ka pasur me të vërtetë një ofertë shumë të mirë, e cila ka ardhur edhe më poshtë shifrës për kilometër që ne kishim vendosur si tavan, 0-75 euro për km, ndërsa ofertuesi ka ardhur me 0.62 euro për kilometër, ndjeshëm më poshtë. Problematika ka qenë afati që ne kishim përcaktuar që ishte për të fituar apo dhe dështuar që ishte 60 muaj, ndërkohë që ofertuesi ka ardhur me 96 muaj dhe ishte e pamundur nga ana e njësisë e vlerësimit që të jepet mundësia për të vazhduar garën dhe ne e kemi ndërprerë menjëherë pasi ky kusht binte ndesh. Megjithatë ne do e rihapim garën pasi asgjë nuk do të ndryshojë do të jetë po e njëjta procedurë me të njëjtat kushte dhe kritere dhe duke pasur shpresë që do të kemi investitor të interesuar edhe me shpresën se situata do të përmirësohet nga ana e pandemisë.

Po me dy lotet e tjera të Milot-Fierit çfarë po ndodh kur do të hapet tenderi janë gati procedurat?

Dy lotet e tjera janë gati, do të thosha që loti i dytë është më gati, pasi i tretë është në përpunim. Loti nga Muriqani në Milot është drejt përfundimit i gjithë studimi nga ËBF me të gjitha të dhënat teknike për ta pasur gati në fillim të vitit tjetër, ndërsa segmenti i tretë Baypass i Gjirokastrës është akoma në gjenezat e tij dhe do ti duhet më shumë se 6 ose 7 muaj për të pasur një produkt të gatshëm për të dizenjuar më pas specifikimet teknike.

Zonja ministre në muajit e fundit të drejtimit të institucionit nga Damian Gjiknuri ka qenë debatuar shumë, një tjetër koncesion zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, çfarë do ndodh me këtë projekt?

Ne nuk kemi një projekt për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës pasi të gjitha studimet tregojnë se në momentin e  ndërtimit të segmentit Milot-Fier, apo më saktë të ndërtimit të korridorit Blu nga Muriqani në Kakavijë autostrada Tiranë-Durrës do të humbë sasinë e trafikut që ka pasi do të ketë vetëm një destinacion, pra nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, pra nuk do të ketë më rëndësinë nacionale që sot ka.  Deri në momentin kur i gjithë trafiku shkonte nga Durrësi sigurisht autostrada kishte super ngarkesë, dhe i gjithë trafiku nga veriu në jug kalonte përmes një dalje jo natyrale nga rrjedha sepse rrjedha kërkon që të dalësh poshtë dhe jo të dalësh në perëndim të ultësirës perëndimore dhe shkonte në Durrës për të aksesuar jugun. Me hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan ne pamë që një pjesë e mirë e trafikut shkoi në Elbasan. Imagjinoni kur të kemi një autostradë të mirëfilltë shpejtësie e cila do të nis nga Muriqani dhe do të jetë një hinkë e pastër e të gjitha daljeve të autostradave që ne kemi, të rrugës së Kombit dhe të gjitha të tjerat, për të mbledhur këtë trafik për ta çuar në jug ose anasjelltas nga jugu në veri. Kush është funksioni i Tiranë-Durrësit? Asnjë funksion tjetër përveçse një rrugë lidhëse përmes së cilës lidhen dy qytete shumë të rëndësishme pra portit tonë ndërkombëtar të Durrësit dhe kryeqendrës dhe ne mendojmë që sasia e korosive ashtu edhe drejtimi i saj janë të mjaftueshëm për atë lloj rrugë, mjafton që të kemi mirëmbajtje të vazhdueshme.

Zonja ministre në muajin shtator ju keni pasur një seancë të gjatë për ecurinë dhe zvarritjet e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, e dimë që ai projekt kishte probleme me financimin përveç problemeve që kishte me studimin e fizibilitetit, por çfarë faze është tani kredia që ne do të merrnim për ta nisur edhe një herë pjesën e papërfunduar?

Po ju jap një lajm të mirë, që vetëm disa ditë më parë ne kemi marrë aprovim nga institucionet financiare që ne kemi aplikuar, dhe kredia është miratuar dhe ne po vijojmë procedurat që ta mbyllim sa më parë dhe për të nisur me të gjitha pjesët e mbetura të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Qytetarët shqiptar kanë interes të veçantë për dy projekte të mëdha Rruga e Arbrit dhe Unaza e Madhe e Tiranës. Kur do të kemi një finalizim të këtyre dy projekteve?

Atëherë rruga e Arbrit për të thënë të drejtën pavarësisht se në kushte kontraktuale duhet të dorëzohen në nëntor të vitit 2021, ka pasur një angazhim të kompanisë që ta përfundojë brenda afatit. Ajo është një nga veprat më të mëdha që ne kemi në vendin tonë është një rrugë që është model me disa tunele të përfunduara dhe me disa ura që shënojnë edhe nivele lartësie në Ballkan, ka pasur kompleksitet shumë të madh gjeologjik pasi kemi kaluar në zona të ndryshme nga zona e Tiranës që është shumë e pasur ujore që e kthen në një zonë problematike për të pasur infrastrukturë dhe deri në zonat e larta të krahinës së Dibrës.  Kemi pasur një problem teknik të rëndësishëm në zonën e tunelit të Murrizit, i është dhënë një zgjidhej teknike për momentin dhe kompania vijon të punojë atje. Dhe në rast se kompania të mbaj të njëjtin intensitet unë besoj se shumë shpejt puna do të përfundoj edhe pse kontrata thotë 2021, kjo rrugë do të dorëzohet për akses sigurisht që mund të ketë gjëra të vogla që do të përmbushen në kohë por pjesa më e madhe do të dorëzohet.  Porsa i përket unazës së madhe ajo ka kompleksitet tjetër. Ka problem shpronësimet, dhe është e vështirë të ndërtosh në kryeqytet sot pasi janë zona të tëra informale të ndërtuara rreth e përqark kryeqytetit apo edhe qytete të mëdha ku ne ndërtojmë të cilat janë informale, dhe shtetit në këtë rast nuk mund të kompensojë askënd por nga ana tjetër ne flasim për familje të tëra dhe qeveria Rama është shumë sensitive në këto raste dhe jemi munduar edhe ti mbështesim edhe ti akomodojmë dhe kemi gjetur zgjidhje, kështu që edhe afatet kohore ndonjëherë tërhiqen që dhe ata njerëz të akomodohen pavarësisht se kanë ndërtuar në mënyrë ilegale.

Por mos të harrojmë që tek rrethrrotullimi do të jenë 5 tunele, dhe kur ato do të jenë funksionale do të jetë shumë interesante që të shikojmë se si edhe në vend mund të kemi një vepër kaq të komplikuar e cila do të menaxhohet në mënyrë automatike, pasi tunelet që ndodhen nën rrethrrotullim, do të menaxhohen nga një qendër speciale e menaxhimit të tuneleve dhe do të pasqyrohet nëpër ekranet LED shumë të mirë studiuara që nuk shqetësojnë drejtuesit e automjeteve por që do japin informacione të rëndësishme se cili tunel të dërgon ku dhe me radhë. Katër tunelet e para janë pothuajse në përfundim dhe mendojmë që shumë shpejt një pjesë të trafikut ta kalojmë tek këto tunele para se të bëjmë hapjen finale, ndërsa po punojmë në tunelin e pestë në kushte maksimale. Duke nisur nga nëntori 2020 dhe deri në muajin mars 2021 tunelet e nëntokës do të bëhen të disponueshme. Ndërkohë punohet në lotin e Pallatit me Shigjeta me shumë ritme të shpejta dhe gjithashtu edhe në lotin e dytë. 

Janë një sërë projektesh që pritet të përfundojnë përpara zgjedhjeve elektorale, dhe për këtë ka pasur aludime se po bëhen për fushatë apo për të qëllime elektorale për të fituar vota, si i keni konsideruar të gjitha kritikat dhe akuzat e opozitës?

Opozita ka punën e vet, dhe nuk presim që të na duartrokas është e kuptueshme që sa më shumë të afrojnë zgjedhjet më shumë akuza dhe agresivitet pritet nga ana e opozitës. Është një opozitë si kudo në botë dhe është detyra e asaj që të kritikojë por jo të shajë dhe të mallkojë qeverinë do të thosha unë, porsa kohë kritikat janë konstruktive edhe nga ana jonë ne nuk i kemi veshët e mbyllura dhe sigurisht që dëgjojmë dhe kuptojmë. Por të thuash që Unaza e Madhe është vepër elektorale është qesharake pasi ka nisur në vitin 2018, pra janë 2 vite. Çfarë duhet të bëjmë? Nuk është se e nisëm pardje për të thënë është vepër elektorale. Të thuash që aeroporti i Vlorës është vepër elektorale është qesharake sepse e kemi hapur këtë proces para 3 vitesh, dhe sigurisht ne nuk kemi në kontroll as investitorët turq, dhe as pandeminë që të mos ndodhi dhe ta kishim mbyllur. Të thuash që tuneli i Llogarasë është vepër elektorale sepse kemi 2 vite që punojmë, dhe këtë kanë dashur ta bëjnë të gjitha qeverisë, dhe tani të na akuzosh për vepra elektorale. Vepër elektorale do të thotë që ne s’kemi pasur asnjë studim dhe asnjë plan dhe në një mëngjes të bukur thjesht për ti hedhur hi syve të elektoratit vendosëm të nxirrnim sisa projekte nga sirtari. Ne i kemi pasur dhe i kemi bërë mirë me studime dhe do ti realizojmë sepse askush tjetër nuk mund të bëjë projekte kaq të rëndësishme për Shqipërinë përveç qeverisë Rama.

Projekti tjetër shumë i rëndësishëm që e keni shpalosur pak ditë më parë është edhe rialokimi i portit të Durrësit. Çfarë presim në vitin 2021 për këtë projekt?

Në vitin 2021 presim që të nisim procedurat për të dy projektet. Kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm pas firmosje së marrëveshjes me Emiatet e Bashkuara dhe Republikën e Shqipërisë dhe është përzgjedhur nga ana e tyre një nga kompanitë më prestigjioze që operon atje dhe jo vetëm ‘Emar’, për të ngritur Ballinën Ujore e portit të Durrësit dhe Marinën Elitare të Jahteve Private dhe menjëherë pas ndërtimit të këtij projekti gjigant i cili llogaritet të jetë rreth 2 miliardë euro investim, i gjithi i vendosur nga Emar Grup që ka ndërtuar ‘BushKahlifa’ se u akuzua nga opozita që nuk ka ndërtuar marina dhe na kërkuan që të informojmë që ne kemi ndërtuar mbi 20 marina në të gjithë botën. Megjithatë kjo është e vështirë pak për tu kuptuar pasi është luftë politike. Për të bërë këtë projekt përveç rregullimeve që ne do të bëjmë për ti dhënë start sa më shpejt dhe në portin e Durrësit ka hapësira për të filluar punën. Ne kemi prej muajsh me ndihmën e një kompanie prestigjioze ‘Ernst and Young’ kemi nisur dizenjimet  e specifikimeve teknike kemi bërë planin e biznesit për rialokimin e Durrësit nga vendndodhja në një zonë industriale.

Cila është arsyeja? Arsyeja kryesore është që qyteti i Durrësit ka përqafuar portin e vjetër, që ka histori 2400 vjeçare dhe duhet të kthehet në një perlë të Mesdheut, në një atraksion turistik dhe nuk mund të jetë një port që është kthyer në një burim kancerogjen. Sipas master planit të ri në portin që do të ndërtohet dhe në ballinën ujore do të ketë hotele me 5 yje do të ketë qendra rekreative për të rritur dhe fëmijë, do të ketë ndërtime për shtëpi do të ketë një marinë për jahtet private dhe më e rëndësishme është se do të ketë terminalin e ri të pasagjerëve, për ti dhënë më shumë larmi qytetit. Ndërsa porti i ri që do të ndërtohet në zonën industriale është një port i parametrave evropian që do të plotësoj kriteret ambientale, teknike dhe do të plotësojë të gjitha nevojat teknike për 10-vjeçarin e ardhshëm. Do të kemi edhe një zonë ekonomike të veçantë jo brenda në port, që do të aksesoret me një hekurudhë 4 kilometra në zonën e Spitallës ku do të vendoset zona e lirë ekonomike prej 60 hektarësh e ndodhur mjaft afër me Spitallën dhe me hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës dhe anasjelltas.

Zonja ministre kemi kthim të kompanisë ‘Bektel’ në vend për Skavcën..

Jemi të lumtur që e kemi.

Është kritikuar shumë për punimet në rrugën e kombit?

Tani fatmirësisht nuk po kritikohet më. Ndërtimi i HEC Skavicës nuk ka të bëjë vetëm me një HEC më shumë në gjerdanin e kaskadës së Drinit, por është rregullator i kaskadës. Ky projekt ka marrë udhë ka marrë jetë, ne jemi ulur në tryezë kemi bërë takimet e para jo vetëm me Bektel por edhe me financues dhe besoj që shumë shpejt do të konkludojmë me një kontratë të favorshme për shtetin shqiptar. Dhe nuk është vetëm Skavica projekt kryesor me qeverinë amerikane ne kemi nisur nga puna për ndërtimin e një projekt-ide për qytetin e Vlorës për rivitalizimin e qytetit. Kemi në proces edhe vënien në punë të TEC të Vlorës tashmë as me qymyr as me naftë por me gaz të lëngshëm, dhe për ta  bërë eficent këtë projekt duhet të ketë edhe një mbështetje të dytë për këtë projekt, dhe kemi vendosur krijimin e një porti lundrues në zonën industriale të Vlorës për importin e gazit të lëngshëm.

A do të kryhen plotësisht me financimin e tyre?

Absolutisht që po , por nga ana tjetër ka ardhur falë bashkëpunimit me ambasadën amerikane.

Ju keni si objektiv që të ulni importin e energjisë elektrike dhe i keni dhënë një sforco energjisë së rinovueshme, pasi kemi 2 parqe të konkretizuara, ne kemi parë që ka interes edhe për parqet eolike. Çfarë presim në vitin 2021 në këtë drejtim?

Diversifikimi i energjisë për Republikën e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm si dhe për BE. Ne e dimë qartësisht që prodhojmë 100% energji të rinovueshme dhe duke prodhuar energji synim është të ulim importin, duke mbrojtur edhe buxhetin e shtetit. Parqet eolike, gjithçka që prodhon energji të rinovueshme është e mirëpritur, parqet eolike janë një trend i ri në Evropë dhe ne kemi vendosur që ti japim një mundësi investitorëve shqiptar duke i mbështetur pasi kanë çmimin e paracaktuar siç është PPA, për të vazhduar përpara. Kemi pasur interes mesatar jo shumë të lartë siç ndodh me parqet fotovoltaike por që ka filluar të lëvizi. Është një nën-sektor i energjisë elektrike i cili ka filluar të lëvizi.

Po ashtu do doja të thosha që në bashkëpunim me BERZH vitin 2021 do të nisim ankandet hibride.

Ku konsistojnë këto ankande?

Ankandet hibride janë të mbështetura me çmim të paracaktuar nga shteti shqiptar por pa pasur angazhime të tjera. Në rastin e ankandeve fotovoltaike ne vendosim edhe tokën, ndërsa në rastin e ankandeve hibride nuk na duhet që të kemi një tokë apo angazhime të tjera, i vetmi angazhim është çmimi i paracaktuar siç ligji e parashikon. Çmimi i paracaktuar është një mbështetje e pastër ekonomike që buxheti i shtetit i jep investitorëve për ta nxitur atë. Dhe pas përfundimit të periudhës 15 vjeçare shteti shqiptar ka të drejtën që ti nxjerrë përsëri në ankand këto parqe apo edhe ti përdor vetë për burime energjetike.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja