Intervista e plotë/ Shehi: Nëse do shkonin në protesta dhe do bojkotonim zgjedhjet për Kodin Zgjedhor, do i bënim qejfin Ramës! Basha më i mirë se Berisha

Si mendoni për vizitën e zotit Varhelyi për sa i përket politikës, por edhe progresit që ka bërë Shqipëria?

Uroj që përtej sherreve politike që ka Shqipëria, t’i hapen negociatat, d.m.th. të bëhet kjo konferenca. Në qoftë se jo, do të jetë një shenjë shumë e keqe për Shqipërinë.

Sinjalet a janë të mira?

Sinjalet janë të këqija, që të jem i sinqertë. Do të jetë një shenjë shumë e keqe për Shqipërinë, përtej interesit që mund të ketë opozita që këtë e shkaktoi Edi Rama, se ky e ka shkaktuar, për të qenë të sinqertë. Mirëpo këtë çmim e paguajnë të gjithë shqiptarët, përfshi edhe vetë opozitën që do të hyjë në zgjedhje. D.m.th. edhe nesër po të vijë në pushtet, një Shqipëri e lënë kështu përgjysmë, larg Evropës, pa ekonomi, do të jetë gjithmonë e zorshme. Kështu që uroj që të mbyllin një sy për zullumet e këtyre shqiptarëve që janë në pushtet.

A janë premtuese projektet për investime?

Projektet për investime janë shumë të mira, por nuk kanë të bëjnë me këtë situatë tani, 1-vjeçare apo 2-vjeçare, sepse janë afatgjata. Janë projekte, në qoftë se e kuptuat atë sinjalin, që në njëfarë mënyre shënojnë një sferë ekonomike të caktuar, nuk shpërndahen, nuk janë para për sevap, pra merrini ju dhe prishini. Projektet e ambientit, të transporteve, të gjitha që duhen edhe sikur t’i japin paratë nesër duhen minimalisht një vit projektime.

Ndërsa politikisht përmendi marrëveshjen e 5 qershorit dhe të lejohen koalicionet paszgjedhore.

Paszgjedhore dhe parazgjedhore përmendi. E tha fare mirë ai. anglisht dimë të gjithë ne këtu, një pjesë edhe më mirë se Rama. Por e tha edhe parazgjedhore. Megjithatë nuk është më ky shqetësimi bazë për ne tashmë. Ne si të thuash, opozita është përgatitur që të hyjë në zgjedhje me çfarëdo lloj ligji që ka bërë zoti Rama për zgjedhjet. Nuk është më ky që na shqetëson. Ky në fakt duhet të jetë diçka që të shqetësojë shqiptarët në përgjithësi sepse edhe një herë u hoq një shans për të ushtruar pak më shumë demokraci. Ky është realiteti. D.m.th. çfarë bëri ky? Duke i mbajtur listat mbyllur i hoqi qytetarit shqiptar të drejtën për të zgjedhur, a bën ky individ apo s’bën? Këtyre ua ka bërë. Opozitës nuk është se i ka bërë gjë ky në këtë mes. Madje mund të ketë brenda opozitës që ndoshta ndihen edhe pak më ngrohtë me këto listat e pahapura. Kështu që ky zotëria erdhi, tha disa realitete evropiane, si e shikon Evropa Shqipërinë, nga të cilat më optimiste, më e mira dhe dashtë Zoti të ndodhë kështu, është që të mos na ndajnë nga Maqedonia, se do të ishte fatale që të na lënë jashtë dhe do të ishte dy herë fatale që ne me fqinjët tanë, që mirë apo keq këto 30 vite rrugëtimi i kemi bërë bashkë, ata t’i afrohen. Do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i dobët. Maqedonia shumë gjëra i ka më të mira, ka bërë zgjedhje më të mira, ka një shkallë korrupsioni më të ulët.

Të fokusohemi pak te qëndrimi i zotit Basha. Ka pasur kritika për mënyrën sesi ka reaguar zoti Basha teksa ndodhi i gjithë procesi në parlament. Më fuqishëm dhe më aktiv kemi parë zotin Meta edhe pse në cilësinë e Presidentit të Republikës. Çfarë roli ka pasur në të gjithë këtë histori zoti Basha?

Rolin që i takon. Zoti basha, sigurisht që duke qenë kryetar i opozitës, i një gjëje më të madhe sesa Meta, të jemi realistë. Opozita është shpresa e Shqipërisë, është gjysma e shqiptarëve që mendojnë ndryshe, që mendojnë edhe për gjysmën tjetër sesi mund ta rregullojnë.

Po kjo heshtje e zotit Basha mund të lexohet si dakordësi?

Jo. Zoti basha e bëri propozimin e vet që të hapen listat deri në fund. Zoti Rama nuk e respektoi. Jo vetëm zotin Basha që nuk e respektoi, por nuk respektoi në njëfarë mënyre marrëveshjen që kishte shkruar para ambasadave. Kështu që nga kjo pikëpamje këtu mbyllet roli. Në qoftë se shqiptarët kanë frikë se zoti Basha do të bëjë miting tani për këtë çështje, unë gjykoj që nuk është më koha për miting. Ne e kemi pranuar me keqardhje. Çmimin politik të kësaj pune do ta paguajë zoti Rama. E kemi pranuar që me çfarëdo lloj ligji ne do të hyjmë në zgjedhje. Zoti Rama ka menduar që do ta provokojë opozitën deri në fund, që këta ose të largohen nga zgjedhjet ose të fillojnë të dalin në rrugë. Ne nuk kemi ndërmend as të largohemi nga zgjedhjet, as të dalim në rrugë.

Çfarë do të thotë “të dalim në rrugë”? Për protesta që tha zoti Meta?

Po. Ne do të futemi në zgjedhje dhe do të fitojmë zgjedhjet.

Por zoti Meta tha: “Ne do të bëjmë protesta dhe do ta rrëzojmë përpara se të vijë data e zgjedhjeve”. Tani ju thoni që “nuk do të dalim në rrugë”.

Ne mund të dalim në rrugë edhe një muaj me radhë, por për këtë çështje që po diskutojmë sot, teorikisht dhe praktikisht nuk ka më një reagim të tillë që të dilet në rrugë. Po të kishte do t’ua thoshim qytetarëve. Kështu që këtë çështje ne nuk është se e konsiderojmë të mbyllur, ne presim nga zoti Meta që ta kthejë mbrapsht.

Çfarë ndodh realisht nëse e kthen zoti Meta?

Ne presim nga zoti Rama që të reflektojë për ato që i tha komisioneri për zgjerim, për ato që i erdhi sinjali nga Evropa, nga SHBA-të, nga të gjithë komponentët ndërkombëtarë që luajnë një rol, afektojnë goxha politikën shqiptare, që të reflektojë, për t’u gjetur në ekstreme një lloj marrëveshje. Ka kohë akoma. Siç tha edhe Meta mbrëmë, e dëgjova diku që tha ka kohë dhe realisht ka kohë. Në qoftë se ka dëshirë. Kështu që pasi të mbyllet e gjithë kjo procedurë do të shikojmë dhe do të reagojmë, por e thashë që reagimi ynë është ky. Ne po bëhemi gati për zgjedhjet.

Jo në rrugë, jo protesta, jo bojkot.

Nuk ka nevojë. Ditën që do të mbushen kushtet për t’u bërë protestat, bojkot jo, ne do të hyjmë në zgjedhje, do të fitojmë zgjedhjet dhe gjykojmë që me zgjedhje të fituara mund të rregullojmë shumë e shumë nga këto. Por sigurisht që ka edhe punë të tjera më të mëdha Shqipëria. Në qoftë se ne do të vazhdojmë të merremi me këtë lloj situate, unë kam frikë që po biem në lojën e Edi Ramës. Edi Rama ka 6 muaj që një herë i heq një vesh ligjit, një herë i heq hundën, si t’i teket, dhe mendon se e gjithë opozita, qorrazi do të merret me këtë punë. Ne nuk merremi me këtë punë. Sepse s’ka ligj që e shpëton

Tani, si do të shkojmë në zgjedhje? Ju keni qenë partitë e vogla mbështetëse tradicionale, sigurisht me kontribut, por tashmë të penalizuara nga ajo se çfarë prodhoi parlamenti. E keni kërkuar herë pas here, jeni thirrur nga zoti Basha. Çfarë ka thënë zoti Basha? Si do të përfshihet LZHK-ja? Si do të përfshihen partitë e tjera?

Kjo ka rëndësi të dorës së dytë.

Tani ose bëhesh pjesë e parlamentit ose jo, por gara bëhet për të qenë në parlament.

Edhe ne do t’i nënshtrohemi garës për të qenë në parlament. Ne tani do ta caktojmë pra, pasi të mbyllet kjo punë, edhe kjo rrëmuja administrative, po e quaj kështu, që maksimumi do të shkojë deri në fund të muajit. Do të bëjmë një marrëveshje politike, që do të përcaktojmë mënyrën sesi do të hyjmë.

Ju, zoti Mediu e të tjerë, çfarë i keni kërkuar zotit Basha?

Ne i kemi kërkuar përfshirjen, në qoftë se do të jetë një listë e përbashkët, përfshirjen në lista. Në qoftë se do të jetë e pamundur për t’u bërë, do të hyhet në zgjedhje veç e veç, do të hyjmë në zgjedhje veç e veç. Në fund pas zgjedhjeve do t’i bashkojmë prapë votat për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Është e njëjta formulë, d.m.th. të gjitha rrugët, edhe po t’i biem kodrës këtu përmes, edhe po t’i biem rrotull, do të dalim matanë kodrës. Kjo është e gjitha, gjithë të tjerat pastaj janë hipoteza. Brenda këtyre hipotezave dikush humb më pak, dikush fiton më shumë, por janë të një rëndësie relative. Ne e kemi marrë parasysh këtë punë që kur dolëm nga parlamenti. Në qoftë se do të ishte për një karrige parlamentare do të kishim qëndruar siç kanë qëndruar disa zotërinj të tjerë këtu që po rrinë për turpin e tyre. ne kemi ikur se kemi menduar që është më e rëndësishme të rivendosim demokracinë në Shqipëri, jo për të ardhur në pushtet. Një pjesë prej nesh nuk ka lidhje me pushtetin. Prej vitesh dhe as që i bie ndërmend për pushtetin ekzekutiv.

Politika është garë për të ardhur në pushtet, për të lënë gjurmë etj.

Këtë e thatë bukur, pra për të bërë garë, për të lënë gjurmë dhe këtë e bën edhe pa qenë në pushtet, këtë e bën edhe pa qenë në qeveri dhe e bën më mirë biles. E bën shumë mirë këtë për të lënë gjurmë, për t’i shërbyer shtetit shqiptar.

Është e vërtetë që PD-ja tashmë, paraprakisht ka nisur të ndajë tortën e pushtetit deri te drejtoritë? Ju jeni pjesë e këtyre diskutimeve?

Jo, jo, absolutisht. Jo vetëm që s’jam unë, se unë nuk bëj pjesë në këtë lloj kategorie, e kam lënë pushtetin.

Ju jeni ekspert i mirë.

Po të ishte ashtu isha bërë unë se janë sa gjysma ime dhe janë bërë edhe më tepër. Kështu që me atë pjesë nuk merrem. Dua t’u them edhe një gjë tjetër shqiptarëve, që PD-ja nuk merret me këtë lloj pisllëku. Sado që i ka të gjitha defektet e veta, PD-ja ka akoma shumë e shumë njerëz me një dinjitet shumë të lartë. Me këtë punë merren drejtorët e Edi Ramës, të cilët kanë dalë turravrap me listë në dorë, për të detyruar nëpunësit e tyre, vartësit e tyre, me një nivel paturpësie të paprecedent në historinë e Shqipërisë. Janë bërë edhe në kohën e PD-së këto. Por që ta mbledhësh të gjithë administratën shtetërore, 100 mijë veta, me lista, me numra telefoni, me kod celulari, d.m.th. se për kë do të votojë, për kë do të votojë djali i xhaxhait, vajza e hallës. Këto i di e gjithë Shqipëria, përfshirë edhe të gjitha ambasadat e rëndësishme këtu sepse çdo javë u nisim nga një dosje për ndërmarrjet dhe institucionet. Këta janë në pushtet.

Në rast se e djathta nuk vjen në pushtet, çfarë do të ndodhë me zotin Basha? Do të ketë analiza për vendimmarrjet, për humbjet, për të gjitha.

Nuk e di, kjo është një çështje që duhet t’ia drejtoni, për korrektësi, zotit Basha, pastaj njerëzve të PD-së.

Por vlen edhe për ju, se jeni mbështetës politik.

Unë e shikoj si një çështje të brendshme të PD-së, por jam i bindur që kush humb zgjedhjet do të reflektojë thellësisht mbi rezultatin. Ky është principi.

E kemi pritur edhe më herët, por nuk ka ndodhur. Ka të bëjë kjo ndoshta me sjelljen e zotit Basha apo me mënyrën sesi funksionon PD-ja?

Tani unë e di që ky televizioni juaj anon pak majtas.

Kjo nuk ka të bëjë me televizionin, se ne njihemi herët bashkë. Unë kam punuar jo vetëm në Report TV.

Shumë bukur, tani unë po të them, ne këtu si shqiptarë, edhe ju si qytetarë.

E keni thënë edhe më herët zoti Shehi që duhet të bëjë analiza të brendshme dhe s’ka ndodhur kurrë. Prandaj duhet ta bëjmë këtë pyetje.

Do t’i bëjmë edhe proceset. Ne te LZHK-ja i bëjmë vazhdimisht. Edhe ata do t’i bëjnë. Kjo është një pyetje që nuk qëndron, por megjithatë unë po të përgjigjem. Po të isha unë zoti Basha, sigurisht që ditën kur do të humbja do të reflektoja për shumë gjëra. Mbaroi kjo punë, besoj se u mbyll pyetja. Tani shqiptarët janë të interesuar besoj, që pas 8 viteve ç’do të bëjë Edi Rama për këto zullume që i bëri Shqipërisë. Zoti Basha ka një ofertë më të mirë, në kuptimin që hajde t’i ndryshojmë disa gjëra. Ndërsa ju thoni se çfarë do të bëjë nëse humb.

Por duhet të kesh kontribut, përfaqëson të gjithë partinë, përfaqëson të gjithë demokratët.

Po pra, po. Ju thoni tani se ç’do të bëjë zoti Basha, me hipotezën kur t’i humbë zgjedhjet.

Po s’është çudi, se edhe mund t’i humbë, se garë është kjo.

Për të humbur zgjedhjet është kryeministri se ka 8 vite.

S’e dimë ne këtë.

Mirë pra, por edhe atë të Bashës s’e dimë. Kur t’i humbë e pyesim. Ndërsa logjika normale më çon mua që pas 8 viteve, i ka humbur Basha zgjedhjet e veta.

Unë nuk besoj që ju jeni politikan që prisni se i ka bërë orët Rama e të ikë tani që të vijë Basha, të vini ju. Unë nuk e besoj që ju hyni te kjo kategori.

Orët i ka bërë me kohë Rama.

Mund t’i bëjë por duhet të kesh alternativa. Çfarë alternative keni? Nuk mund të presë zoti Basha me partinë më të madhe, që t’i mbarojnë orët Ramës.

Më të mirë sesa Basha, të them të drejtën, këto vitet e fundit nuk ka pasur Shqipëria, edhe pse gjithsekush ka pëlqimet e veta.

Më i mirë se Sali Berisha?

Absolutisht. Kjo është një tezë e vjetër, reaksionare, që ushqen Edi Rama, që kush është i pari Sali Berisha apo Lulzim Basha. U bënë 8 vite, nuk mund të konsumohet më.

Nuk nisem nga Edi Rama, por unë nisem nga demokratët e vërtetë.

Nuk mund të konsumohet më opozita me këtë tezë. Unë besoj se edhe vetë Berishën po ta pyesësh, si politikan serioz që është dhe që e di ku i dhemb shtetit e ku i dhemb edhe opozitës e së djathtës, që kjo është një tezë e mbyllur. D.m.th. kush do t’i bëjë dëm opozitës hap nga këto teori: kush është i pari i opozitës, Basha apo Berisha; është i pari Meta apo Basha. Është e thjeshtë fare, i pari është Basha, sepse përfaqëson zyrtarisht partinë më të madhe. Ne i jemi bashkuar Bashës. Nuk i jemi bashkuar as këtij, as atij tjetrit. Se kush është historia e PD-së, se kush janë të rëndësishëm, kur të bëhen librat për historinë, i bëjnë ata atje. Ne po shkojmë në zgjedhje dhe nuk shkojmë në zgjedhje me dyshimin që doni të ngreni ju se kush është i pari e kush është i dyti. Kështu që jo është një temë e mbyllur. Ne kemi zotin Basha atje, për bukuri të Zotit. Ne duam një program të mirë.

Do të jetë kartë e fortë çështja ekonomike, programet ekonomike, pasojat që na ka sjellë tërmeti, pandemia? 

Sigurisht, të gjitha, por që na ka sjellë tërmeti apo kovidi. Pasojat që na ka sjellë Rama, sepse historia e tërmetit dhe e kovidit është një histori 1-vjeçare, madje kovidi i shkretë nuk ka bërë vitin akoma. Ndërsa kovidi i Ramës është 7-vjeçar, prandaj do ta marrim analizën për t’ua shpjeguar shqiptarëve, se nuk mund të fshihemi pas gishtit, që gjithë kjo varfëri, gjithë ky trishtim ekonomik që është sot vjen thjesht prej kovidit ose vjen thjesht prej tërmetit. Kovidi i ka rënë të gjithë botës, s’i ka rënë vetëm Shqipërisë.

Por e gjithë bota ka probleme ekonomike, se të gjithë po i analizojnë ato.

Absolutisht, ka. Ne dimë t’i ndajmë se kush ka ardhur nga kovidi, kush ka ardhur nga keqqeverisja, se po të jetë për kovidin edhe zoti Basha kur të vijë nesër, me kovid do ta gjejë, se nuk ikën kovidi për 2-3 muaj. Absolutisht që me kovid do ta gjejë, kështu që ne kovidit i kemi vënë një koeficient, do ta abstragojmë nga kjo analizë 7-vjeçare dhe do të merremi me zotin Rama, me qeverinë e Ramës, pse jemi kaq keq, pse borxhi ka shkuar kaq i lartë.

Kush do të dominojë si kartë, se PS-ja kartën më të fortë, të paktën sa kam lexuar deri tani dhe sa thonë ata, ka rindërtimin. Dhe nuk është pak, pavarësisht detyrimit të çdo qeverie në konceptin tim, që t’i bësh shtëpitë nga e para. Ata e kanë si histori suksesi. Cila do të jetë karta më e fortë për ju të tjerët?

Dakord, do të isha shumë i lumtur që të ishte një histori suksesi. Shiko sa bukur e ka formuluar, 3D e bën Rama. Shtëpitë nuk kanë filluar akoma, ky thotë është një histori suksesi. Nuk kanë filluar, jo të mbarojnë.

Po si nuk kanë filluar, se po jepen çelësa përditë.

Po ku po janë këta çelësa përditë? Se u bë si ai hoxha që ndan shtëpia. Tallemi me shtetin ne? E para kjo.

Hoxha ka fondacion.

S’ka rëndësi, hoxhë apo prift, njerëz shumë të mirë, bamirës. Shteti nuk është thjesht bamirës, shteti ka detyrime ligjore. Ky ndan shtëpi sikur të jetë bamirës. Në fakt ky e ka për detyrim se për atë punë ka marrë paratë. I ka marrë nga buxheti i shqiptarëve, i ka marrë nga buxheti i Evropës, nuk është në gjendje që t’i disbursojë sepse përpara se t’i ndërtojë e t’i shpenzojë, ky mendon sesi mund t’i korruptojë, sesi do t’i ndajë me miqtë e vet. kështu që kjo është e keqja. Kështu që kjo historia e suksesit le të jetë për këto 3D-të, për televizionet, sepse histori suksesi në terren kur të mbarojë kjo punë dhe dashtë Zoti mbaron, dhe unë do t’i lutem Zotit që të mbarojë në vitin 2022, jo siç thoshte ky që vitin tjetër jeni në shtëpi. Unë pse jam njeri realist them që do kohën e duhur, pra do edhe më shumë kohë dhe punë, nuk do gënjeshtrat e tij sepse ky i ka lidhur gënjeshtrat me zgjedhjet. Unë do t’i them: zotëri nuk ke nevojë të gënjesh për zgjedhjet, bëj aq sa është e mundur për të bërë, bëj aq sa të lejon ligji të bësh dhe ne jemi dakord, të gjithë palët bashkë. Kështu ai ka bërë historinë që thoni ju, ka bërë kalë karroce, kalë beteje.

Jo, unë thashë atë që ka si kartën më të fortë, se kam pyetur drejtpërdrejt.

Ne shkojmë përtej tërmetit, se tërmetin e kemi detyrim. Ne shkojmë në ringritjen e të gjithë ekonomisë shqiptare, por që do të jetë e zorshme, do të jetë pak e gjatë sepse dëmi është bërë shumë i madh. Sot e kemi 85% të GDP-së borxhin. Ky njeri, vetëm brenda 3 viteve të fundit ka marrë 3,5 miliardë borxhe, por jo nga bankat ndërkombëtare që ne t’i nënshtrohemi një borxhi afatgjatë. Por ky ia ka marrë buxhetit shqiptar për t’ua dhënë 4-5 apo 10 shqiptarëve që janë miqtë e tij dhe që do t’i lajnë fëmijët tanë me vite e me vite. Po ashtu PPP-të e shëndetësisë, PPP-të e inceneratorëve, PPP-të e rrugëve, pa i parë ndonjëfarë të mirë kësaj situate, aq më tepër që i provuan shqiptarët në kurriz PPP-të e shëndetësisë kur ra kovidi, se ku kishin shkuar paratë, se po t’i kishte pasur këto para shteti shqiptar, të kishte investuar për disa vite në strukturën publike, do t’u ishte përgjigjur shqiptarëve me një tjetër frymë, me një tjetër dinjitet përpara këtij halli të madh që u ra. Kështu që ne do të merremi me këto. Do t’u shpjegojmë shqiptarëve pse ka rënë ekonomia këtu dhe do t’u japim shpresën e besimin edhe me shifra sesi do ta ngremë ekonominë dhe paralel me këtë edhe shtetin shqiptar që sot është në gjunjë.

Sot ka një vendim për të falur të gjitha ato gjoba që kanë vënë për shkelje në kuadrin e masave antikovid. Është vendimi më i mirë që është bërë në këta 7 muaj për t’i lehtësuar disi qytetarët? Dhe si njohës i ekonomisë, a ka një faturë që rëndon?

 Ajo fatura që rëndon nuk është ndonjë hata e madhe. Edhe mirë ka bërë që ua fal, për të krijuar një atmosferë më të paqtë në këtë kohë dimri që po vjen, se po vjen dimri tani. Ata të tërmetit, ata 3D-të janë në çadra, por çadra nuk është 3D, është fizike. Ata të kovidit po vijnë duke u shtuar dhe kam frikë se në dimër do të jemi në vështirësi për sa i përket kësaj pune dhe jo thjesht për ata fatkeqët që do të ikin, që mund të jetë kushdo prej nesh, por edhe për ata fatkeqët që nuk do të kenë se ku të punojnë, sepse është edhe ky një hall i madh. Kështu që nga kjo pikëpamje, si gjest, ai e bën për politikë, e bën për zgjedhjet. Dhe ne kemi një jetë që e dimë fort mirë këtë punë, që e bën mirë për zgjedhjet. E megjithatë, unë si Dashamir po them që, edhe pse e bën për zgjedhjet, edhe pse ka një dozë të madhe hipokrizie në këtë mes, prapë mirë që e bën. Kur bëhet një gjë për të mirë, le të bëhet, qoftë edhe brenda me koeficientin e votave, të hipokrizisë, s’ka rëndësi. Për mua bën mirë që e bën, që i fal. Mbaroi, u mbyll.

Edhe unë të falënderoj që e thua kaq drejt sepse janë me qindra shqiptarë që po na ndjekin.

Absolutisht, unë po ua shpjegoj shqiptarëve pse ai po e bën, por megjithatë, përtej motivit pse e bën, bën mirë që e bën, edhe për leverdi, dhe, siç ta thashë, edhe për një atmosferë më specifike që është këtë vit. Normalisht gjobat, borxhet nuk duhen falur. Pse? Sepse ai i ndershmi që i ka paguar gjobat ndihet pak i dhunuar në këtë lloj situate, sepse është në rregull me shtetin, i ka paguar borxhet e veta, si ai që paguan taksat, si ai që paguan energjinë elektrike, kur falen borxhet ndihet pak i dhunuar në të drejtën e vet. Kështu që unë e kuptoj edhe zhgënjimin e kësaj pune, por duke menduar që shumica e këtyre njerëzve do të jenë në vështirësi këtë dimër dhe janë në vështirësi, le të falen. Nuk e shikoj si hallin më të madh. Në qoftë se e ka bërë këtë gjest, mirë e ka bërë.

 Duket sikur i gjithë ky debat është përqendruar mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Ka qenë i qartë kryeministri kur ka thënë në parlament, ditën që kaluan edhe amendimet, se ajo që preket më shumë është LSI-ja. A duket sikur kemi një debat të përqendruar midis këtyre dy eksponentëve? Unë i referohem kësaj pyetjeje sepse ju thatë që keni prioritet keni terrenin, fushatën, pjesëmarrjen në zgjedhje, jo në shesh. Është e kristalizuar, e qartë, nuk ka më sekrete. Por pse po shpërthen presidenti?

Presidenti ka të drejtën e vet që të ushtrojë të gjitha kompetencat e veta, si të thuash, ka të drejtën që ta mbushë karrigen e vet presidenciale. Është në të drejtën e vet dhe Meta është një burrë i zgjuar. E di atë punë, e ushtron mirë, d.m.th. është një politikan i vjetër race, nuk është se i ikin shanset, mundësitë për ta ushtruar funksionin e vet politik, në ndryshim nga presidentët e tjerë, të cilët kanë qenë më institucionalë, më të distancuar. Meta vazhdon betejën e vet. Por ne gjykojmë që kjo, për sa kohë që bëhet në mbrojtje të Kushtetutës, opozitën e ka me vete dhe ne e kemi treguar këtë punë, e kemi treguar më 2 prill kur iu përgjigjëm mitingut të Metës, e kemi treguar në të gjithë historinë e këtyre muajve që ne, presidentin e konsiderojmë kryetarin e shtetit një aleat potencial jo në rreshtimin partiak, por në rreshtimin për të drejtën që kemi ne për të mbrojtur këtë Kushtetutë që është dhunuar disa herë. edhe deri këtu jemi në rregull. Edhe do të vazhdojmë që t’ia japim këtë mbështetje presidentit dhe ne shpresojmë nga presidenti që të reagojë në mënyrë demokratike, si institucion presidence, sa herë që dhunohet Kushtetuta, sa herë dhunohet ambienti politik shqiptar, sa herë dhunohet atmosfera midis shtetasve shqiptarë, se presidenti supozohet në njëfarë mënyre që është fryma e përbashkët e shqiptarëve, përfaqësuesi i të gjitha palëve në mënyrë të barabartë. Tani, kur vjen puna që i gjithë debati politik, me dëshirën e Edi Ramës dhe nën boritë e Edi Ramës, do që të shfaqet sikur është një betejë midis Ramës edhe Metës, e gjithë situata e sotme politike, ne këtu si opozitë nuk jemi dakord.

Partitë e vogla.

Jo partitë e vogla, opozita e bashkuar. Partitë e vogla mund të jenë dakord fare. Unë për vete, të paktën si Dashamir, por gjykoj që edhe shumica e PD-së, dhe PD-ja në radhë të parë, gjykojmë që beteja e Ramës, mos bëjë teatër kot tani me opozitën. Opozita është një dimension shumë më i madh se Meta, se institucioni i presidentit. Opozita është institucioni permanent i situatës politike shqiptare, nuk është i përkohshëm.

Por LSI-ja del e vetme dhe ne vërtet e ndajmë zotin Meta nga LSI-ja, por po aq sa e ndajmë po aq e dimë lidhjen.

Po edhe LSI-ja. Kur them Meta ndoshta nënkuptoj edhe LSI-në. Unë gjykoj që opozita shqiptare, me në krye PD-në, edhe ata që nuk janë fare as në PD as në LZHK as në LSI, një qytetar i thjeshtë, i ndershëm si ti, në mënyrë automatike në situata të caktuara, është pjesë e opozitës. Dëshiron të rindërtohet Shqipëria, të rregullohet ekonomia, të rivendosen të drejtat dhe këtë të drejtë, të gjithë popujt, të gjitha vendet ia kanë deleguar historikisht opozitës, jo një individi dhe jo një institucioni. Dhe për këtë punë unë jam këtu për t’u kujtuar shqiptarëve që ne do të vazhdojmë betejën me Ramën deri për zgjedhje. Është i mirëpritur zoti Meta, sa herë ka betejë për të mbrojtur Kushtetutën, për ta ushtruar. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë betejë, por këto janë dy gjëra që ne nuk i ngatërrojmë. Këtë lloj sensi do që ta krijojë zoti Rama vetë, t’u thotë shqiptarëve që alternativa është midis tij dhe zotit Meta, kush është më i mençur, kush është më i gjatë, kush është më i zoti. Nuk është kështu. Këtë gënjeshtër të madhe mund ta besojnë vetëm ata që janë budallenj. Beteja është midis qeverisjes së Edi Ramës me Ramën në krye dhe me Rilindjen dhe opozita është e djathta e bashkuar, ku brenda ka edhe një komponent shumë të rëndësishëm, LSI-në.

LSI-ja ka deklaruar që do të dalë e vetme në zgjedhje.

Po pra, por ne presidentin madje, për korrektësi institucionale, nuk e konsiderojmë pjesë të opozitës, se nuk mund të jetë për ligj, për Kushtetutë. Presidenti është mbi të gjitha palët dhe jam i bindur që zoti President i respekton edhe socialistët me të njëjtin respekt që ka ndaj opozitës. Kjo është formula. Pjesa tjetër është dëshira e Ramës për të krijuar një rrëmujë të madhe dhe e veglave të Ramës nëpër media. Ta thashë, si ajo përralla e vjetër që 5 vite me radhë jemi marrë me këto punë që kush e drejton PD-në, e drejton ky, e ka në dorë ky, vendosi ai, a është ky. Jo. Ne këtu jemi një opozitë, opozita më e madhe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, ka një kryetar, ka një platformë të përbashkët, ka vendosur të hyjë në zgjedhje, do të fitojë zgjedhjet. Brenda kësaj skeme të madhe të shqiptarëve Meta ka rolin e vet si president, por jo për të bërë opozitarin, se ditën që do të bënte opozitarin, do të hipte te tribuna e opozitës për të udhëhequr popullin, Meta automatikisht nuk do të ishte më president i kësaj pune. Kështu që duam të operojmë brenda rregullave demokratike, brenda mentalitetit demokratik.

A e pranon PD-ja se, si pasojë e gabimeve për të dalë nga çdo lloj institucioni, kemi këtë ligj që kundërshtohet deri diku dhe u bë me votat e deputetëve që njihni apo jo, ata janë aty, legjitimë.

Në daljen nga parlamenti, sigurisht që kanë rrëshqitur brenda këtij parlamenti që s’është parlament, ligje si ky, por edhe të tjera, sidomos aferat korruptive. Për këto është përdorur ky parlament, se zhurma është bërë sikur duhej për këtë ligj. Absolutisht ky parlament për të votuar vjedhje.

A është përgjegjësi e zotit Basha me vendimmarrjet e tij?

Prit. Tani, ne e gjykojmë që e kemi sjellë në këtë situatë edhe duke dalë nga parlamenti. Është tamam ajo që konfrontimi të jetë total, të jetë në të gjitha aspektet e jetës politike. A është bërë mirë apo është bërë keq, kjo nuk është tema e sotme, as tema jonë. Kjo është një temë që do ta gjykojë koha, kur të distancohemi nga kjo periudhë e ngrohtë, e nxehtë. Në njëfarë mënyre, historia mund të na gjykojë nëse bëmë mirë apo bëmë keq. Sot nuk e gjykojmë dot. Ne e kemi bërë për mirë dhe ne gjykojmë që kemi lëvizur disa elementë pë mirë. Çfarë kemi lëvizur? Shoqërinë shqiptare, në njëfarë mënyre, që të fillojë të bëhet reflektive për atë që po i ndodh përqark.

Zoti Shehi, e latë pa përfaqësuar në bashki, pa përfaqësuar në parlament, i dhuruat këto ligje që i kundërshtoni po vetë sot, u hapët dritën jeshile deputetëve që nuk i vlerësoni sot.

Dakord. Për çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Edhe lista ka fillim dhe fund. Tani këtu ka hyrë fundi dhe s’është ndonjë çështje krenarie kjo punë. Por të gjitha këto i thoni sikur kjo e keqe vjen nga ky gabim. Kjo nuk vjen se janë ata. Sado të këqij ata 40 veta që kanë hyrë atje, turp kanë bërë por punë e madhe, e keqja vjen se andej janë 80 të Edi Ramës, të cilët votojnë. Këtë nuk e merrni në konsideratë juve. Ju thoni sa keq u bë prej jush. Jo more jo. E keqja jonë mund të jetë kjo që ndoshta nuk kemi pasur fuqi.

Ne nuk mund të kërkojmë llogari pse nuk e përçan PS-në zoti Rama dhe pse zoti Basha mori këtë vendim.

Jo, ke të drejtë, hiqe fare. Mos kërkoni për këtë juve, se nuk keni punë me partinë. Ju kërkoni pse ky parlament voton këto ligje për hajdutët. Apo qaheni për këtë ligj juve, që është ligj i keq. Ju thoni se zoti Rama me gjithë bandën e vet votoi këto ligje për zgjedhjet. Kaq thoni.

Ju i kundërshtoni dhe i referoheni një marrëveshjeje. Unë nuk thashë këtë. Dhe thoni që e prodhoi Rama, madje keni shkuar deri aty sa keni thënë që ka blerë votat.

Po, patjetër.

Ndërkohë mos ma vini mua se nuk po e kërkoj unë, nuk po ju kërkoj llogari. Po pyes, ju si politikanë, me këtë vendimmarrje, a ia hapët rrugën zotit Rama duke i dhënë të gjithë autoritetin e duhur?

Ai me atë parlament që ishte aty, se prandaj u larguam ne, çfarë ishin ligje për grabitjet e Shqipërisë i bënte dhe pa neve, dhe prandaj nuk donim të ishim më pjesë e këtij pisllëku të madh. Kjo punë mbaroi. Mirëpo kjo u bë si puna e lopës. Kush e qeveris Shqipërinë prej 8 vitesh? A e qeveris zoti Rama? Dhe ju na ngarkoni neve gabimet. çfarë krimesh i paskemi bërë ne Shqipërisë? Ne, maksimumi kemi gabuar në orientimin, në zigzagun tonë politik, nuk kemi gjetur atë trajektoren e duhur në momentin e caktuar. Por në qoftë se Shqipëria vidhet, në qoftë se është pa bukë, pa shkollë, e sëmurë, jashtë Evropës, fle te kufiri me Greqinë, nuk hyn dot më pa letra nga kufiri i avionëve në Vjenë apo në Berlin, këtë e ka qeveria e Ramës.

Por një opozitë e fortë është ajo që frymëzon dhe më pas çon në fitore. Ju jeni një opozitë jashtë çdo institucioni dhe PD-ja ka vetëm dy javë që po bën fushatë.

Një opozitë e fortë sigurisht që luan një rol në kontrollin e pushtetit. Por një pushtet, një mazhorancë e mirë ushtron atë që i ka dhënë të drejtë populli për të ushtruar në mënyrë normale një pushtet. Ne marrim përsipër gabimet tona, por po shikojmë që këtu duan të lavdërojmë këtë qeverisje, që ka pasur mazhorancën më të madhe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, e ka pasur zoti Rama. Por nuk i mjafton. E mori timonin, tepsinë, kurabinë, i mori të gjitha. Dhe çfarë i bëri Shqipërisë? E solli në këtë gjendje ku është sot, që jemi duke pritur atë Varhelyin. Nëpunës i mirë është ai, por një nëpunës i vogël i Evropës së madhe, që e presim a do të na thërresin neve në pranverë apo në vjeshtë tek ajo konferenca, apo nuk do të na thërresin, pas 8 viteve të zotit Rama. Presim atë. Dhe presim a do të vijë ndonjë lek nga bota që të rregullojmë shtëpitë e fatkeqëve tanë. Këto presim ne pas 8 viteve të qeverisë së zotit Rama. Kush është i lumtur, le të vazhdojë të votojë. Ky popull ka votuar edhe Enver Hoxhën, me dhunë. Le të vazhdojë. Ne do t’i ofrojmë një alternativë më të mirë, një shans për të ndryshuar gjërat. Kush ka dëshirë të na ndjekë, mirë se të vijë. Është një investim që bëhet për një Shqipëri ndryshe, në radhë të parë për ne që kemi njëfarë moshe, pastaj edhe për fëmijët tanë. Këtë po i ofrojmë ne, as përrallat në 3D as gënjeshtrat. Duan të vazhdojnë të dëgjojnë këtë lloj teatri që e luan vetëm një aktor? Ky e ka bërë monodramë. Le të vazhdojnë të dëgjojnë përrallisjen e përditshme. Unë i ftoj që t’i kthehemi një realiteti më normal, më konkret, një Shqipërie që mund të bëhet dhe që bëhet me njerëz normalë, si Basha, si unë, si të tjerët. Nuk ka nevojë për heronj, nuk ka nevojë për Skënderbe Shqipëria. Ka nevojë për njerëz që të bëjnë ligjet që të zbatojnë ligjet, jo të bëjnë ligje për t’i hipur këta sipër ligjit vetë. Kjo është e gjitha.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë