INTERVISTA/ Fehmi Abdiu: Ma riktheni Kushtetutën e 1998-s, arnat e shëmtuan

Fehmi Abdiu

Edhe pse ka vite që ka dalë në pension e mosha ka bërë të veten-sot është 80 vjeç, konstitucionalisti Fehmi Abdiu, nuk ka lënë në asnjë moment punën për pasionin që e mban një jetë, ligjin.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish-deputeti dhe një nga autorët e Kushtetutës së Republikës, rri çdo ditë, së paku deri në mesditë në mjediset pranë Gjykatës së Tiranës. Ku së bahku me jurist, avokatë, ekspertë të jurispridencës pinë kafenë e flasim pr zhvillimet e ditës.

Abdiu, është njeriu kryesor i mazhorancës socialiste që në 1998 udhëhoqi procesin e hartimit të ligjit themeltar të shtetit. Kushtetuta e hartuar dhe e miratuar në 1998-n, nesër bën 26 vjet. Fehmi Abdiu është shumë irrituar, që sot askush nga institucionet nuk u kujtua për të bërë një aktivitet në përkujtim të aktit themeltar të shtetit që sot është në moshë pjekurie. Por në intervistën për gazetën TemA, Abdiu shkon dhe më tej, ku kërkon me forcë të rikthehet ajo formë e Kushtetutës që u ndryshua në 2008 dhe më tej.

Zoti Abdiu, Sot kemi 26 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, si e shikoni këtë indiferencë për ta kujtuar siç duhet përvjetor?

E vërtetë është se ditën e nesërme Kushtetuta e Republikës ka 26 vjetorin e miratimit të saj me referendum nga votat e shqiptarëve, dhe këto si rregull duhet të përkujtonin këtë ngjarjen të rëndësishme të aktit themeltar të shtetit të ri demokratik. Por ajo që më bën përshtypje mua është ndër të tjera edhe fakti se siç kam vënë re unë, për këtë ngjarjen shumë të rëndësishme të aktit, dokumentit themeltar më duket se ekziston një injorim, të mos themi indiferencë i këtij përvjetori. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se për këtë përvjetor të kushtetutës të mos zhvillohet asnjë aktivitet shtetëror apo shoqëror në shkallë vendi. Ndër shumë gjëra të tjera, ky tregues mendoj se dëshmon për faktin se institucionet kanë harruar apo injorojnë përpjekjet që u bënë në fund të viteve 90 për hartimin e këtij akti shumë të rëndësishëm për popullin tonë. Prandaj desha të rikujtoj edhe njëherë disa momente themelore më të rëndësishme lidhur me hartimin e saj.

Kam ndjekur nga afër procesin e hartimit të Kushtetutës nga një grup i madh ekspertësh, baza ose thelbi i idesë suaj ishte që të ndërtojmë një shtet ku pushtetet të jenë të ndara dhe të ketë llogaridhënie. A mendoni që kushtetuta ja ka dalë për ta krijuar këtë superstrukturë institucionale?

Para se t’i japim një përgjigje direkte për këtë pyetje, mendoj se e rëndësishme do të ishte për çdo lexues fakti që ka të bëjë me historikun e përpilimit të këtij akti themeltar. Proces i cili ka filluar që para vitit 1990. Që vazhdoi në Parlamentin e parë pluralist me miratimin e Dispozitave themelore Kushtetuese, vijoi me punën serioze të Komisioneve parlamentare për hartimin e Kushtetutës deri në vitin 1994, vijoi me Komisionin që përgatiti projektin e Kushtetutës së Berishës që u rrëzua me referendum popullor, ju rikthye punës, e cila u përfundua nga mesi i vitit 1998 dhe që u miratua me referendum më  datën 28 nëntor të atij viti.

I përmendëm këto momente, për faktin se tek shumë persona ekziston mendimi sikur ky akt është miratuar pa asnjë vështirësie dhe në një moment të caktuar. Për historikun e hartimit të këtij akti, mendoj se do të ishin me shumë interes shumë studime historike dhe juridike për të evidentuar me detaje momentet më të rëndësishme për këtë qëllim dhe veçanërisht bashkëpunimi që ekzistonte ndërmjet Parlamentit dhe Komisionit të Venecias. Me të cilin që në vitin 1991 është deleguar një grup pune ekspertësh parlamentarë dhe jo parlamentarë që kanë punuar për një javë pranë komisionit të Venecias me specialistët e tij.

Por le të kthehemi tek pyetja. Në përgjithësi, mendoj se Kushtetuta e ka pasur për detyrë këtë mision dhe përgjithësisht e ka realizuar këtë që në dispozitat kryesore, pjesë e Kushtetutës dhe deri pas plotësimit të saj, është evidentuar saktë koncepti i ekzistencës dhe balancimit të tre pushteteve kryesore; legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Duke u mbështetur në parimet ligjore e kushtetuese të çdo vendi që është Republikë Parlamentare siç është vendi ynë. Pra, Shqipëria si Republikë Parlamentare ka pasur dhe ka si pushtet qëndror Parlamentin, i cili si rregull duket të përçojë gjithë politikat e fushave të ndryshme dhe të sigurojë ecjen përpara të Shqipërisë me synim pranimin në Bashkimin Europian.

Parimisht ekziston koncepti i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, por me keqardhje mendoj se në praktikë, ky balancim ka çaluar ndër vite, pasi sipas mendimit tim Parlamenti për mjaft kohë nuk ka arritur synimet e veta. Pasi shumë akte ligjore e shumë vendime të tij nuk kanë siguruar numër të kënaqshëm votash, por një pjesë e ndjeshme e akteve janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Së dyti pushtetin ekzekutiv, edhe pse sipas Kushtetutës është ndryshe, ka demonstruar, aplikuar herë herë, momente vetëvendosëse, pa bërë shumë përpjekje për të siguruar unanimitet, bashkëpunim dhe realizim të objektivave që kërkon Bashkimi Europian, së bashku me opozitën.

Së dyti, lidhur me këtë pushtet, ekziston mendimi se po realizohet nëpërmjet urdhërimeve apo akteve individuale të cilat herë-herë kanë qenë edhe të befasishme, të panjohura për publikun, pse jo edhe në ndonjë moment të caktuar, të pazbatueshme si duhet.

Po kështu, lidhur me pushtetin gjyqësor, për të cilin mund të bëhen botime nga më të ndryshmet, në përgjithësi jemi marrë dhe po merremi vetëm me punën e bërë nga SPAK si pjesë përbërë e reformës në drejtësi, pa analizuar me objektivitet dhe me dashamirësi, të gjithë punën e institucioneve të tjera, që duket se në shumë aspekte çalojnë.

Për këtë lloj pushtetin, vijon të ekzistojë dhe ndihet fort pavarësisht se nuk e pranojmë, ndikimi i fuqishëm i politikës që shumë herë, e ka ndrydhur veprimtarinë gjyqësore nga trysnia dhe nga ajo që prodhoi ky pushtet nga reforma në drejtësi, në lidhje me largimet nga puna.

Ky pushtet duhet të jetë tërësisht i pavarur nga politika si teorikisht pore dhe në praktikë. Për ta arritur këtë synim lipset që organet e drejtësisë, që aktualisht sot ndodhen në kushte të vështira, të përballojnë edhe trysnitë që i vijnë nga politika, siç ndodh edhe në vendet e tjera. Këtë mision, institucionet e drejtësisë e kanë detyrë të tyre të parë.

Zoti Abdiu, kemi pasur dy-tre ndërhyrje të forta në Kushtetutën e 1998. Sipas jush këto ndërhyrje sa e kanë cënuar bazën e asaj filolofie që kërkonit ju kur e hartuat dokumentin themeltar?

E vërtetë është se aktit themeltar i janë bërë disa ndryshime. Në pamundësi për t’i analizuar një për  një për efekt kohe, duhet thënë ajo që është pranuar në opinionin publik që në disa raste, në most hemi në të gjitha, sepse ka ndodhur edhe ndryshimi i pushtetit vendor, këto ndryshime kanë qenë të panevojshme.

Kanë qenë pjesërisht të palogjikshme, siç përmendim si ndryshim klasik, ndryshimin për zgjedhjen e Presidentit, për të cilin njerëzit me të drejtë janë të revoltuar. Sepse Presidenti i Republikës sot zgjidhet me votat e mazhorancës, megjithëse përfaqëson unitetin e popullit.

Për këtë do të dëshiroja që në mënyrë të domosdoshme të rikthehemi tek gjendja e mëparshme kushtetuese, ose tek ajo që shumë jurist e kanë deklaruar do të qe që Presidenti të zgjidhej me votë direkte, siç ndodh në shumë vende që kanë përvojë më të madhe demokratike se te ne.

Po ta trajtoni me kujdes këtë mendim, mund të parashtronim fakte nga më të ndryshmet që veçanërisht për ne shqiptarët, e bëjnë të nevojshme zgjedhjen e presidentit me votë direkte.

Po kështu, mendoj se Kushtetutës, edhe pse në tërësi është vlerësuar në kohën e hartimit të saj dhe i ka përmbushur përgjithësisht detyrimet që ka marrë përsipër, i ka ardhur koha që të ribëhet ose të përmirësohet, duke u plotësuar shtrati i saj në disa aspekte që ka nxjerrë koha. Fjala vjen, edhe pse janë dhënë disa vendime shumë të rëndësishme nga Gjykatës Kushhtetuese  ndër vite, ku janë intepretuar dispozita kushtetuese të ndryshme, asnjë nga ato nuk gjejnë pasqyrim në kushtetutë. Me këtë rast, një pjesë e rëndësishme e ideve të këtyre vendimeve tyre duhet të evidentohen në Kushtetutë.

Më e rëndësishmja nëse do të çmohej kjo gjë si e dobishme mendoj se duhet riparë së pari sistemi zgjedhor, që krerët e partive të mos përzgjedhin të “dashurit” e të njohurit e tyre si deputetë. Deputet të shpallet ai që fiton ndaj disa kandidaturave siç ka qenë.

Me pak fjalë, mendoj se sistemi mazhoritar në thelb qoftë dhe i plotësuar mbetet si sistemi më demokratik, veçanërisht në kushtet ku ndodhemi ne.

Zoti Abdiu, ju bëni fjalë për kthimin e mazhoritarit alla francez me dy turne, jo ai që u ndryshua në 2001 ku fiton ai që merr edhe një votë më shumë…

Qoftë edhe ky variant i dytë të ekzistojë, do ta pasqyronte më mirë vullnetin e populli.

Veç të tjerash, ajo që më duket mua se nuk ekziston fare, por që duhet të ishte si domosdoshmëri në një demokraci, është parimi i llogaridhënies para zgjedhësve. i cili duket se është harruar, e mendimi i zgjedhësve është i papërfillshëm.

Flasin mediat përditë për ngjarjen të rënda, por asgjë nuk evidentohet lidhur me këtë parim të rëndësishëm, përjashtuar punës që bëjnë emisionet investigative.

Ky aspekt duhet parë lidhur ngushtë me një tipar të rëndësishëm të demokracisë siç është referendum, që thuajse nuk ekziston, pse jo edhe njihet nga elektorati.

Të përmbysim mentalitetin ekzistues e të rikthehemi tek problematikat për të cilat duhet, fjala vjen, siç kanë qenë problemet që qeveria i shtron ër diskutim, mund të jenë object i referendumeve. i cili është një matës i rezultateve të rëndësishme që kërkohet të arrihet në politikat qeverisëse./TemA

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë