INTERVISTA/Hervin Çuli: Rrogat
e përjetshme në Teatrin Kombëta

INTERVISTA/Hervin Çuli: Rrogat <br />e përjetshme në Teatrin Kombëta
TIRANE - Teatri Kombëtar duket se po vuan ende krizën e një institucioni totalisht të vjetruar. Dhe kjo çdo ditë e më tepër del në pah nga mënyra e menaxhimit, nga dhënia e 32 rrogave standarde e “të përjetshme” të punonjësve, nga mospërmbushja e kritereve artistike që ofrojnë të punësuarit në këtë institucion.

Aktori dhe regjisori i njohur Hervin Çuli ka reaguar hapur dje për “Shqiptarja.com”, pas reagimit të drejtorit të Teatrit të Komedisë, Kastriot Çipi, i cili është shprehur se “në Teatrin Kombëtar paguhen aktorë që kanë 10 vjet pa u ngjitur në skenë”. Ndërkohë vijon të flitet hapur se në Teatrin Kombëtar ka edhe nga ata që paguhen dhe nuk e dinë s’e ka ndryshuar hyrja në sallën e provave. Ja si e rrëfen aktori dhe regjisori Hervin Çuli situatën e “rrogave të përjetshme”, për 32 aktorët e Teatrit Kombëtar...
  
Si është zhvilluar historia e pagesave të aktorëve në Teatrin Kombëtar. Kur keni marrë për herë të fundit rrogë atje dhe sa ka qenë rroga juaj?

Rrogat e përjetshme në Teatrin Kombëtar janë një mbetje e  realizmit socialist. Kuptohet po flas për paga të përjetshme dhe jo për kontrata sezonale, ku një aktor paguhet për punën që bën përgjatë asaj kohe që i shërben institucionit me aftësitë dhe talentin e tij. Aktorët e Teatrit Kombëtar janë punonjës të përjetshëm që marrin rroga të përjetshme.

Kjo është arsyeja që gjithkush që merr një rroge në këtë institucion, mjafton që në fund të muajit të afrohet tek një bankomat dhe të tërheqë pagesën pa e vrare mendjen për ndonjë detyrim institucional. Madje ka dhe raste të denja për barcaleta, ku aktorët të ndryshëm pasi kane marrë rrogën për vite e vite të tëra, pa iu afruar godinës së Teatrit Kombëtar, një ditë të bukur janë kujtuar të bëjnë ndonjë shëtitje nga Teatri, por nuk kanë ditur si të futen në skenë, sepse nuk e dinin që hyrja për në sallën kryesore kishte ndryshuar.

Nuk them se në TK janë të gjithë kështu, padyshim ka dhe një pakicë që përpiqen të justifikojnë personalitetin e tyre artistik. Rroga ime e fundit ka qene rreth 7 vjet me parë kur drejtori aktual i TK-se me pushoi nga puna me motivacionin "armik i institucionit". Atëherë unë i lodhur nga degradimi i këtij Tempulli të Artit Skenik, ngrita zërin në disa gazeta dhe televizione pikërisht për të njëjtat gjëra që po shprehem dhe sot.

Rroga ime atëherë ishte rreth 54000 mije lekë të reja. Teatri në atë periudhe përfitoi nga një vendim i Ministrit të Financave pas një urdhri të Kryeministrit Fatos Nano për pagesa të diferencuara të aktorëve të Teatrit Kombëtar. Unë isha kategoria e tretë, ndërkohë që kategoria e dytë ka pasur një rrogë rreth 64000 lekë dhe e para diku tek 76000 lekë. Kuptohet me kalimin e viteve rroga është ngritur me shtesat e qeverisë për pagat e buxhetoreve. Sot kategoria e parë thuhet që paguhet aty tek 87000 lekë.

Drejtori i TK-së thotë se paguhen aktualisht 32 aktorë. Çfarë kriteri është zbatuar që Teatri Shtetëror të ketë të punësuar dhe paguar vetëm 32 prej tyre?
Pikërisht këtu qëndron absurdi. Përzgjedhja e aktorëve të teatrit ka të bëjë me rrethana dhe periudha të ndryshme dhe s'ka të bëjë fare me vlerat artistike. Një kontingjent i madh aktorësh i përkasin emërimit që kanë përfituar dikur në kohën e diktaturës kur teatri mbahej nga shteti. Padyshim atëherë në teatër u emëruan disa nga aktorët më të mirë shqiptarë të asaj kohe (fatkeqësisht shumë pak prej tyre janë ende aktivë), por edhe shume aktorë të dorës se dytë, madje edhe nga klasa punëtore.

Në atë kohe kjo ishte e domosdoshme, sepse në teatër viheshin vepra me skena masive dhe shfaqjet kishin nevojë për më të mirin, por edhe për mediokrin dhe figurantin. Një vend i vogël si Shqipëria nuk mund t’i kishte të 60 apo 70 aktorët e emëruar në TK të gjithë të nivelit të parë.

Po ashtu shume nga këta aktorët e dorës se dyte ishin një kontingjent plotësues për 14 filmat që Kinostudio, që kishte në plan të xhironte brenda një viti. Me rrëzimin e diktaturës teatri fatkeqësisht nuk pësoi ndryshime të mëdha, përkundrazi në periudha të caktuara u përkeqësua dhe arriti që të ofronte në tregun artistik një performancë tejet mediokre dhe jashtë kohe.

Arsyeja që e thjeshtë: përveç disa individualiteteve të spikatura të teatrit dhe të filmit pjesa tjetër e "te mbijetuarve" si rrogëtarë në TK ishin totalisht të paaftë përballë kërkesave të kohës. Edhe nëse ndonjë drejtues progresiv tentonte t’i ndryshonte gjërat, të hiqte nga puna dembelet apo të paaftët, "te mbijetuarit" mblidheshin të gjithë bashke dhe shkonin në zyrën e ministrit e përplasnin grushtin në tavolinë duke i përmendur personazhet butaforike që kishin interpretuar një herë e një kohë.

Sot edhe pse kanë humbur forcën e dikurshme "të mbijetuarit" vazhdojnë të jenë të fortë. Tashmë politikës nuk i hyn fare në xhep Teatri dhe arti në kuptimin estetik, por thjeshte i futet në xhep në nivel politik. Shikoni sa herë që duhet firmosur ndonjë peticion kundër opozitës së sotme të parët që firmosin janë "të mbijetuarit e TK-se".

Mirë e bëjnë, se në një fare mënyre sigurojnë rrogën për aq kohë sa u ka mbetur nga pensioni. Pjesa tjetër e të emëruarve në teatër i përkasin përsëri ndërhyrjeve të mirëfillta politike. Sapo në teatër del dikush nga "të mbijetuarit" në pension, futet me shpejtësi dikush tjetër. Kriteri që i sapofuturi duhet të plotësojë është- të ketë njohje të mira politike.

Po iu përmend një rast shume të bukur që kam përmendur edhe me parë me emër dhe mbiemër, kur në emërimin e një aktoreje në TK ka ndërhyrë vetë Liri Berisha. Nuk them që të gjithë ata që e kanë kapur një vend pune në teatër janë të paafte, por edhe me të aftët nga ata pak që kane përfituar një vend pune në TK këto 20 vjetet e fundit, janë futur në institucion me miqësi e jo si rezultat i përzgjedhjes artistike.
    
Gjithashtu, në marrëveshje me Ministrinë e Kulturës edhe Teatri i Komedisë ka fituar statusin e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Ju jeni edhe regjisor, ka ndonjë dallim specifik ngjitja në skenë e komedisë nga e dramës ose tragjedisë, sepse aktorët e komedisë paguhen shumë herë më pak?
Në fakt pyetja juaj është e çuditshme, sepse e çuditshme është ç’do gjë që pjell mendja e Kryeministrit aktual. Ai ndërtoi një Teatër Kombëtar të Komedisë si një kundërpërgjigje kundër Edi Ramës që mbylli Estradën e dikurshme. Këtë e bëri përpara zgjedhjeve lokale vetëm për një grusht votash me tepër.

Por fatmirësisht drejtori aktual i Teatrit të Komedisë, ndofta i ndihmuar dhe nga kriza financiare që po kalon kjo qeveri, ka krijuar një klime më të favorshme për ta menaxhuar më i lirë dhe më ndryshe institucionin e sapokrijuar. Kam vënë re se në Teatrin e Komedisë kemi aktorë që paguhen me kontratë.

Kam vënë re se në Teatrin e Komedisë kemi energji të djemve dhe vajzave të reja që duan të futen në tregun e teatrit nëpërmjet punës dhe jo miqësisë. Duket si paradoksale, por dhe nga një e keqe mund të vijë një e mirë. Një gjë është e sigurte, që Teatri i Komedisë sot e meriton me shumë se Teatri Kombëtar në mbulimin me para nga shteti. Në Teatrin Kombëtar rrogëmarrësit përgjithësisht vegjetojnë.

Ah, mos harrojmë që edhe projektet me të suksesshme të tij viteve të fundit kanë pasur si protagoniste aktorët e jashtëm, që nuk paguhen me rrogë aty. Sa për thelbin e pyetjes suaj me vjen të qesh, sepse se kuptoj ç’do me thënë që një zhanër i teatrit të paguhet me shume se një zhanër tjetër!

Drejtori i TK-kombëtar shprehet pak e a shumë se puna e aktorit nuk mund të matet me orar. Aktorët që marrin role, a kanë shpërblime shtese për këto role?
E lexova intervistën e drejtorit aktual të TK-së. Zoti Skrami ende nuk e di që sistemi publik e ka për detyrim transparencën dhe nuk mund të barazohet kurrë me një ndërmarrje private. Ose ndofta kujton se institucioni që drejton tashmë nuk i përket me publikut por atij dhe miqve të tij, firmëtarët e devotshëm të peticioneve...

Ka gjasa që të paguhen edhe aktorë që kanë dhjetë vjet pa u ngjitur në skenë, siç ka ngritur akuzën drejtori i teatrit të Komedisë, zoti Cipi?
Në mënyre absolute po. Madje mund t’u them se rrogat me të larta i kanë ata që kanë vite pa u ngjitur në skenë. Një rast i denjë për Gines është bërë publik me emër konkret nga unë. Bëhet fjalë për një aktor që merrte rrogën në TK edhe pse kishte 25 vjet pa dalë në skene.

Para pak kohësh duke e ndjerë që kjo gjë filloi të mbante erë, e futën (sa për të thënë që u ngjit në skene) në një rol të vogël në një dramë për Ismail Qemalin. Përveç tij ka shume emra të tjerë që as vete nuk e mbajnë mend se kur e kane parë për here të fundit dritën e skenës. Por e përsëris edhe një herë, skandali më i madh që përbën lajm madhështor është refuzimi i Drejtorit për të bërë publike rrogat e një Institucioni Publik.

Cilat janë marrëdhëniet e tua si aktor i njohur me Teatrin Kombëtar?
Unë jam në një serial të pafundmë gjyqesh me Drejtorin Aktual të TK-së. Njërin prej dy gjyqeve, atë të heqjes pa asnjë lloj kriteri nga puna e kam fituar. Gjyqin tjetër, ku unë jam akuzuar si armik i Teatrit Kombëtar dhe më është kërkuar një dëmshpërblim prej 30 milion lekësh (akuza: kam thënë publikisht frazën rrogëtarët e TK-së, duke fyer figura të mëdha të kombit) e fitova në shkallën e parë, por Gjykata e Apelit e ktheu për procedurë.

E dini kush është arsyeja e kthimit në shkallën e parë?:- Kristaq Skrami ka kërkuar si të pandehur në gjyq gazetat dhe televizionet, që më mundësuan, si edhe ju sot fjalën e lirë. Gjyqtari i shkallës së parë nuk e pa të arsyeshme t’i thërriste mediat, sepse vetë kërkesa është absurde dhe qesharake, ndërsa apeli ka vendosur që procedura dikton që ata të thirren. Mezi po pres të shijoj vazhdimin e farsës së Drejtorit kur të akuzoje edhe shtypin si armik të Teatrit Kombëtar. Pas këtij shkrimi kujdes, mund të merrni dhe ju ndonjë thirrje për në gjyq.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 23 shkurt 2013
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit