Intervista/Hueyda El Saied: Sfidova
veten time në moshën 40-vjeçare

Me valixhe në dorë gati për të lënë Shqipërinë, Hueyda El Saied nuk kursen as atë pak kohë që ka në dispozicion për të na rrëfyer lidhjet e saj të pandara me Tiranën, skenën, si dhe projektin e saj parësor, edukimin e Gabrielit.

E qeshur dhe plot motivim për jetën, ajo tregon për “Shqiptarja.com” qëllimin e trofeut “Në 1 Javë”, të ardhurat e të cilit shkuan në ndihmë të fëmijëve autikë dhe shurdhmemecë, një ndihmë kjo e cila shërben si një zgjim për të gjithë artdashësit e këtij vendi. Por, ajo vajza lozonjare e skenës, ku herë e kemi parë si prezantuese, modele, balerinë apo dhe piktore, këtë herë rrëfen një tjetër dimension të saj, të qenit nënë e një djali.

“Gjithçka ka ndryshuar në jetën time! Ajo është mbushur plot dritë që kur Gabrieli është pjesë e saj”, tregon Hueyda. Në këtë udhëtim të shkurtër të saj ndër vite, ajo thotë se edhe pse tashmë ka mbi shpatulla 40 vite, është e lumtur që arriti të sfidoj veten në balet, pasionin e saj të vajzërisë. Me çiltërsinë që e karakterizon, Hueyda na tregon shumë më shumë se kaq...
 
Pse të pëlqen Shqipëria edhe pse prej vitesh je afër dhe larg?

Shqipëria është vendlindja ime, vendi nga ka origjinën i ndjeri gjyshi im Hysen (Shkodra), vendi i cili ruan me kujdes kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës sime. Aq më tepër duartrokitjet dhe inkurajimet e para si artiste i kam marrë këtu. Si të mos e pëlqej?

Spektakli "Në 1 javë” ishte fatsjellës për ju. Cili ishte sekreti i suksesit tuaj në çdo skenë?
Ndoshta nga që kur ndërmarr diçka mundohem ta bëj më seriozitetin e një fëmije kur luan.

Një show për bamirësi. Ishte ky dhe qëllimi i pjesëmarrjes tuaj në këtë spektakël?
Mendoj dhe besoj që roli i çdo artisti, personi publik dhe çdo individi është të ndihmojë e t'i kushtoj kohë personave në nevojë. Kështu që, kur autori i spektaklit Rezart Aga vendosi të shtoi kauzat e bamirësisë mund vetëm ta mirëprisja një gjë të tillë.

Pse zgjodhët fëmijët autik për t’i dhuruar sadopak dashuri...?
Të qenurit nënë prej një viti, përveçëse më ka bërë njeriun më të lumtur në botë, ka bërë që të kuptoj sesa me fat jam që fëmija im është i shëndetshëm. Para disa kohësh një grua më kërkoi ndihmë për fëmijën e saj i cili ishte diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit. Ndërkohë, kisha dëgjuar për "Qendrën Tiss" ku trajtoheshin fëmijët autik me metodat nga më të fundit dhe nëpërmjet artit. Ndaj kontaktova drejtoreshën e saj Anisa Dizdarin për t'i propozuar të garoja në spektakël  duke pasur parasysh që këta fëmijë kanë nevojë për mbështetje financiare, emocionale, sociale...

Veçse një nënë shembullore, jeni dhe një artiste e kompletuar. Çfarë ju motivon çdo ditë kur zgjoheni në mëngjes?
Projektet që kam bërë një mbrëmje më parë janë një motivim i mirë për t'u zgjuar.

Kemi dëgjuar që princi juaj i vogël ishte një dhuratë për ditëlindjen tuaj dhe në intervistat e dhënë është shprehur pasioni yt për të qenë nënë. Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj me ardhjen e djalit?
Gjithçka ka ndryshuar në jetën time! Ajo është mbushur plot dritë që kur Gabrieli është pjesë e saj. Nuk e humb më kohën me gjëra të parëndësishme apo t'i mbush mendjen të tjerëve se nuk jam ashtu siç mendojnë. Shkoj drejt në thelb, të qenurit nënë qenka një udhërrëfyes shumë i mirë.

Ju kemi parë në dimensione të ndryshme, por na çudit fakti që ju tashmë po spikatni me pikturën. Si ju ka lindur ky pasion?
Kam pikturuar gjithnjë, që e vogël. Por, pikturën time me bojëra vaji e kam realizuar me 1996 në Paris. Mendoj që piktura përmbledh gjithçka që kam bërë deri më tani.

Ju jeni pjesë e atij brezi artistëve që i keni rezistuar transformimeve pa i gjetur gjërat gati. Çfarë nostalgjie iu rikthen në kujtesë?
Kujtoj me nostalgji, miqtë e mi që kanë konkurruar tek spektakli "12 vallëzime pa një të shtunë" ku përveç pasionit për të kërcyer nuk kishim asgjë tjetër, madje më kujtohet që një pjesë të veshjes së kërcimit final e kisha krijuar me fijet që mbulojmë pemën e vitit të ri. (Qesh)

Skena për ju është si diamant, sikur jeni bërë për të. Cili ka qenë momenti më i bukur dhe më i vështirë gjatë 25 viteve afër dhe larg skenës ?
Jam amnezike ndaj momenteve të vështira, ose kur i kujtoj i kujtoj për të bërë autohumor. Çdo gjë që kam bërë e shijoj deri në fund. Por, performanca e mbrëmjes finale në spektalin "Në 1 Javë" më ka emocionuar jashtë mase. S'e kisha menduar që 40 vjeç do të mundja të sfidoja veten.

Cilat janë projektet në këtë fillim viti, ku do ta shikojmë Hueyda në vazhdimësi?
Aktualisht kam hapur ekspozitën time të tretë personale në Luksemburg, e cila do të pasohet me të tjera në vijim. Edukimi i Gabrielit është dhe do të mbetet prioriteti im.
 
 Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen