Intervista/Kush janë faktorët që
 e kushtëzojnë kancerin e gjirit

Intervista/Kush janë faktorët që<br /> e kushtëzojnë kancerin e gjirit
TIRANË - Kemi ardhur në Institutin e Shëndetit Publik. Përballë meje është zonja Sonela Xinxo, specialiste në këtë Institut. Është kënaqësi që jemi bashkë dhe kënaqësia arrihet sigurisht, kur si rezultat i kësaj bisede të gjitha ato gra të cilat nuk kanë informacionin e duhur, do të mësojnë diçka më shumë, do të dinë të sillen me veten e tyre dhe me sëmundjen e tyre.

Besoj se është me interes që të ndalemi pak te faktorët e rrezikut: ato që e shkaktojnë dhe ato që mendohet, të paktën nga studimet e dala nga mjekët, se çfarë e shkakton pra këtë problem, këtë problem të madh në jetën e një gruaje, kancerin e gjirit.
 
Kancerin e gjirit, paraprakisht dua të them që ne e konsiderojmë si një sëmundje jo infektive, dhe studimet e shumta të kryera nga një sërë mjekësh ose nga organizata të ndryshme, të cilat janë të fokusuara në studime në fushën e mjekësisë, kanë rezultuar që ndër faktorët e rrezikut për sëmundjet jo infektive dhe në rastin tonë për kancerin e gjirit, është përdorimi i duhanit, përdorimi i alkoolit, dieta jo e shëndetshme, jo kequshqyerja por më tepër cilësia e dietës që përdoret, gjithashtu është edhe aktiviteti fizik.
 
Aktiviteti fizik i munguar
Po, aktiviteti fizik i munguar, d.m.th. jeta sedentare, është më mirë që ta cilësojmë. Secila prej tyre, secili nga faktorët e riskut, por sidomos në qoftë se faktorët e riskut ndërthuren me njëri-tjetrin rrisin akoma më tepër mundësinë që një grua gjatë jetës së saj të zhvillojë kancerin e gjirit.
 
A ka faktorë risku të pandryshueshëm?
Faktori i riskut është faktor gjenetik, trashëgimia, që nuk mund të ndryshohet, por ne flasim në përgjithësi për ata faktorë risku të cilët janë të modifikueshëm, çka do të thotë që me ndërhyrje të ndryshme qoftë në nivelin individual, qoftë dhe në nivel popullate, ne mund ta ndryshojmë prezencën e faktorëve të riskut duke ndikuar në rezultatet afatgjata që është ulja e nivelit të incidencës të sëmundjeve infektive dhe të kancerit të gjirit.
 
A mund të ndalemi specifikisht te të gjithë këta faktorë që ne përmendëm në mënyrë të përgjithshme, për të sqaruar më mirë sepse shpeshherë duhani dhe faktorë të tjerë që ju përmendët, duket sikur i dimë dhe i dëgjojmë shpesh, por nuk dimë sesi të sillemi, si të jetojmë me ta, si të bashkëjetojmë me ta, si t’i heqim nga jeta jonë.
 
Heqja nga jeta jonë është së pari, duke u ofruar të gjithë individëve, grave në këtë rast, informacionin e duhur që sa i rrezikshëm është përdorimi i duhanit, qoftë edhe pirja pasive e duhanit është gjithashtu një faktor që ndikon, përdorimi i alkoolit. Më duhet të theksoj që vitet e fundit në Shqipëri kemi një rritje të përdorimit të duhanit nga femrat, dhe rritjen e përdorimit të alkoolit gjithashtu nga femrat, dhe kjo është një kambanë që akoma më tepër duhet të shtohen masat njohëse, fushatat promovuese që të mos kemi përdorimin e duhanit dhe të alkoolit.

Në lidhje me dietën, dietë të mirë që prezenca e yndyrave në dietën e përditshme është një faktor risku. Është faktor risku pothuajse për të gjitha llojet e kancerit. Edhe për kancerin e gjirit në këtë rast, kur gruaja kalon në menopauzë, kemi ndryshimin, d.m.th. nga indi muskulor kalon në indin dhjamor dhe përdorimi i një diete të shtuar me yndyra favorizon akoma më tepër këtë transformim duke tentuar për shfaqjen e formacioneve neobazike ose të degjenerimeve.

Gjithashtu edhe aktiviteti fizik ndikon shumë. Siç e dimë, kryerja e aktivitetit fizik ndikon në metabolizmin e individit, ndikon gjithashtu në përmbajtjen e peshës trupore ideale dhe në mënyrë indirekte ndikon edhe në zhvillimin ose në parandalimin e kancerit të gjirit.
 
Kur i referohemi aktivitetit fizik, çfarë nënkuptojmë?
Të flasim për aktivitetin fizik brenda kufijve kohorë që kemi, do të doja të fokusohesha në dy çështje, në dy pika: kemi aktivitet fizik të moderuar, kemi edhe aktivitet fizik intensiv. Kjo është në varësi të kohës që ne harxhojmë, flas më tepër për përcaktimin se çfarë është aktiviteti fizik i moderuar dhe intensiv.

Aktiviteti fizik i moderuar është 30 minuta aktivitet për 5 herë në javë, ku ne bëjmë një aktivitet fizik, i cili gjithsesi na lejon që ne na lejon të komunikojmë me personin që jemi duke folur normalisht, por kemi pak ndjenjën e djersitjes. Ky është aktivitet fizik i moderuar, ndërsa aktiviteti fizik intensiv është që kemi për më tepër pamundësinë që kemi për të folur me personin që kemi pranë dhe kemi rritjen e rrahjeve të zemrës dhe një sërë faktorësh të tjerë.

Ky është aktiviteti fizik intensiv që duhet të jetë të paktën 3 herë në javë, mbi 20 minuta, që ne të themi se kemi një aktivitet fizik normal për një person. Mund të alternohet aktiviteti fizik i moderuar me aktivitetin fizik intensiv që individi të quhet se ka një aktivitet fizik sipas normave. Këto janë çështje që sapo janë futur në Shqipëri dhe ne akoma vazhdojmë që të promovojmë akoma edhe më tepër çështjet e aktivitetit fizik. Kryesisht jemi të fokusuar te shkollat.
 
Tjetër gjë çfarë mund të themi për sa i përket faktorëve të rrezikut. Të ndalemi pak dhe te ndërthurja e faktorëve me njëri-tjetrin sepse ju i vutë edhe një theks të rëndësishëm kësaj pjese.
Po. Një tjetër element shumë i rëndësishëm, që është i lidhur edhe ky me stilin e jetës, është sesa ne kemi kulturën e nevojshme shëndetësore për të kërkuar ndihmë ose për të shkuar te mjeku.
 
Që do të thotë?
Që do të thotë sesa jemi ne të vetëdijshëm për të shkuar te mjeku në momentin e duhur dhe jo kur ka arritur piku, kur kanë rënë kambanat dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë në ato momente.

Kam idenë që lidhur me kancerin e gjirit, fushatat e shumta që janë bërë, puna që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik, së bashku me një sërë mediesh këtu në Shqipëri, kjo tregon sesa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërsektorial, është shumë, shumë i mirë, ka treguar ose duhet të them që kemi një rritje të ndërgjegjësimit të grave për të bërë kontrollin e gjirit, në këtë rast, për të kapur në fazat sa më të hershme kancerin e gjirit. Vjet kanë qenë fushatat, çdo tetor dihet që është fushata për kancerin e gjirit.
 
Është muaji i luftës kundër kancerit të gjirit.
Ju e dini më mirë se ne, si media, sesi janë të dhënat e viteve të fundit, që gjithmonë akoma më tepër është rritur.
 
Është rritur dhe mosha e kapjes.
Po, është rritur edhe mosha e kapjes. Nga kjo edhe mund të thuhet që njerëzit janë akoma dhe më tepër të ndërgjegjshëm që të shkojnë edhe më herët të bëjnë kontrollin dhe kapjen në moshat më të hershme. Edhe ky është një faktor.
 
Për sa i përket ndërthurjes së faktorëve të riskut me njëri-tjetrin, çfarë mund të themi për këtë pjesë?
Unë, siç e përmenda edhe në fillim të bisedës, thashë që secili nga këta faktorë rrit gjasat, themi ne, mundësinë që të zhvillohet kanceri i gjirit. I ndërthurur, do të thotë që një person, që ka një faktor risku të pamodifikueshëm, pra faktorin gjenetik, në qoftë se do të ketë përdorimin e alkoolit, përdorimin e duhanit, një dietë jo të përshtatshme, jo të shëndetshme, në qoftë se do të ketë edhe një jetë sedentare, do t’i rriten akoma më tepër gjasat ose shanset për të zhvilluar më tepër kancerin e gjirit.

Kjo është ajo që flasim ne në gjuhën tonë, gjuhën shkencore, në gjuhën e shëndetit publik që kur kemi ndërthurjen faktorët rriten akoma më tepër gjasat, shanset për të pasur kancerin e gjirit.
 
Ndalemi edhe te një hallkë tjetër, te mënyra e kontrollit. Si mund ta vlerësojë një grua në veten e saj që ajo ka probleme dhe duhet të drejtohet te mjeku për të bërë më pas analizat dhe ekzaminimet e duhura.
Siç e thamë, një nga faktorët të pamodifikueshëm ishte edhe trashëgimia ose faktori gjenetik, trashëgimia familjare. Kështu që një grua që ka pasur nënën, motrën me këto probleme, dihet që është më e prirë për të zhvilluar kancerin e gjirit.

Por duke njohur ose duke u rritur ndërgjegjësimi i grave se cilët janë faktorët e riskut së pari, dhe së dyti, siç e dimë në Shqipëri tashmë ka filluar programi i Check-up-it për të gjithë qytetarët shqiptarë, nga mosha 40-65 vjeç, pra kuptohet që edhe në këtë rast janë të përfshira edhe gratë e moshës riprodhuese dhe më tej, për t’u kontrolluar.
 
Është një përfitim mjaft i madh.
Është përfitim. Pra në këtë mënyrë, gratë përfitojnë jo vetëm për sëmundjet kardiake apo sëmundjet e metabolizmit si diabeti etj., por në mënyrë indirekte përfitojnë për të ditur nëse kanë prezentë ose jo disa nga faktorët e riskut për të pasur kancer gjiri. D.m.th. që në Check-up bëhet kontrolli për prezencën e faktorëve të riskut, pra përdorimi i duhanit, përdorimi i alkoolit, yndyrat e larta në gjak, kështu që secila grua mund ta dijë nëse ka faktorë risku prezentë për ta zhvilluar një kancer gjiri.

E ndërthurur kjo edhe me njohuritë e mjekëve në lidhje me kancerin e gjirit, si të thuash do të dalë një rezultat që gratë do të ndërgjegjësohen më tepër për faktorët e riskut që i kanë ose jo. Pra, si të thuash, tashmë jemi në atë pikën kur shumë ndërhyrje të ndryshme në nivel popullate dhe individual po bashkohen së bashku dhe po na japin rezultatet e punës në vite në lidhje me sëmundjet kanceroze dhenë rastin tonë me kancerin e gjirit.
 
Sigurisht që dera e parë pritëse është mjeku i familjes.
Patjetër. Në Shqipëri kështu është funksioni i sistemit shëndetësor, që porta e parë është mjeku i familjes. Nëpërmjet mjekut të familjes ti futesh në të gjithë sistemin shëndetësor për të përfituar nga të gjitha shërbimet shëndetësore që ofron sistemin shëndetësor publik në Shqipëri.
 
Nga të gjitha këto fushata të rritjes së sensibilizimit, mendoni që ka pasur edhe një rritje të sjelljes së individit në lidhje me shëndetin e tij dhe me situatat që duhet të përballet?
Mendoj se po. Mund të themi që është akoma herët për të parë nivelin që ka dhënë Check-up-i ose kontrolli, përqindja sa ka shkuar, por të dhënat paraprake tregojnë që ka një interes, individët kërkojnë që të shkojnë dhe të kontrollohen pranë mjekut të familjes.

Pra, mjeku i familjes dalëngadalë po konsiderohet nga e gjithë popullata si një portë hyrëse në të gjithë sistemin shëndetësor, si një pikë ku pacienti merr informacionin e duhur në lidhje me faktorët e riskut që ka, në lidhje me kontrollin, për mënyrën e ushqyerjes dhe në këtë mënyrë për të gëzuar një shëndet të plotë.
 
Le të themi që mjeku i familjes është një faqe ditari nga jeta jonë për sa i përket shëndetit. Mund ta quajmë kështu?
Po, patjetër. Mjekun e familjes duhet ta konsiderojmë si pjesën kryesore të ditarit.
 
Unë ju falënderoj shumë. Besoj që keni ndihmuar shumë persona që na kanë ndjekur sot. Ne do të kthehemi përsëri sepse me Institutin e Shëndetit Publik kemi një marrëdhënie të vazhdueshme dhe kjo gjë do të vijojë edhe në emisionet e ardhshme.
 Faleminderit edhe juve! Miqtë e mi, faleminderit që ishit edhe sot me ne.


Redaksia Online

(E.Ç./shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë