Intervista/ Luan Rama: LSI do të
zgjedhë me votim kryetarin e saj

Intervista/ Luan Rama: LSI do të<br />zgjedhë me votim kryetarin e saj
TIRANË - Ky vit do të jetë zgjedhor jo vetëm për Partinë Socialiste, por edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Partia e dytë më e madhe në spektrin e majtë, do të mbajë brenda këtij viti zgjedhje të të gjitha forumeve drejtuese të saj, duke përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e partisë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha në një intervistë për “Shqiptarja.com” se ka filluar puna për organizimin e procesit zgjedhor, si dhe për përgatitjen e të gjitha udhëzimeve që do të mundësojnë atë. Luan Rama saktëson se në zbatim të statutit të LSI-së, zgjedhjet do të përfshijnë çdo nivel të partisë, duke i qëndruar kështu besnik statutit, që përcakton se në çdo katër vite, duhet të ketë zgjedhje të strukturave drejtuese. Në këtë mënyrë, pritet të zgjidhen drejtuesit lokalë të degëve të partisë, si dhe forumet e larta drejtuese, si Komiteti Drejtues Kombëtar apo kryesia.

Luan Rama thotë se në respektim të statutit do të ketë zgjedhje edhe për kreun e partisë së LSI-së, sipas parimit “një anëtar-një votë”. Edhe pse nuk siguron se do të ketë apo jo një garë me rivalitet, Luan Rama thotë se është e sigurt, që Ilir Meta do të votohet nga anëtarët e partisë. Ashtu siç kishte linçuar edhe për kandidatët e saj për jetën parlamentare dhe pushtetin vendor, edhe për drejtimin e partisë LSI do të jetë e kujdesshme për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur, përfshirjen e  njerëzve që vijnë nga bota e biznesit. Burime për gazetën “Shqiptarja.com” thanë se ndryshimet e pritshme, janë kryesisht ato të ardhura si detyrim i riorganizimit pas ndarjes së re territoriale dhe administrative.

Në këtë mënyrë, pritet që edhe LSI të ndryshojë skemën e saj organizative, duke i dhënë asaj një ndarje në 61 degë, ku çdo degë të përkojë një bashki. Pas kësaj ndarjeje të re, pritet që skema të plotësohet me kryetarët e rinj të saj. Edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje, pritet që LSI të mos përjashtojë nga e drejta për të kandiduar për kryetar dege, a funksionarët publikë, si kryebashkiakët apo drejtorët e administratës publike. Një alternativë kufizuese pritet të jetë ajo e deputetëve, të cilët mund të mos lejohen të jenë më edhe kryetarë partie.

Nga Gjirokastra, z. Meta tha se viti 2016 do të jetë një vit zgjedhor për LSI-në. Kur do të do të mbahen ato, dhe ku konsistojnë zgjedhjet brenda partisë?
Viti 2016 praktikisht është një vit zgjedhor për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Bëhen 4 vjet në tetor nga mbajtja e Konventës së kaluar zgjedhore. Ne jemi në fazën e përgatitjes së të gjitha modaliteteve, udhëzimeve, rregulloreve dhe të gjitha procedurave mbi të cilat do të funksionojë e gjithë skema e riorganizimit dhe rivitalizimit tërësor të strukturave të LSI-së në të gjithë vendin.

Jemi në një fazë të diskutimit të projekteve të cilat do t’i paraqiten shumë shpejt forumeve drejtuese të partisë, të partisë, për të bërë të mundur që pas kësaj faze, të përcaktohet kalendari konkret i fushatës zgjedhore, e cila do të përfshijë në përputhje me statutin, çdo nivel të organizimit strukturor të partisë; nga organizata e partisë pranë çdo qendre votimit, deri tek zgjedhjet në Konventën Kombëtare, dhe zgjedhjet për forumet më të larta drejtuese të partisë.

Parashikohet edhe zgjedhja e kryetarit?
Po, edhe zgjedhja e kryetarit, sigurisht.

Do të kemi një garë për kryesimin e LSI-së? Herën e fundit ishit ju rivali i tij. Po tani?
Zgjedhjet për të gjitha forumet drejtuese, përfshi edhe kryetarin e partisë, do të zhvillohen në përputhje me statutin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne jemi rigorozë dhe shumë seriozë në zbatimin e statutit, sepse duke zbatuar statutin  partisë, kultivojmë brenda radhëve tona, edukatën e zbatimit të normave, të rregullave, të ligjit, gjë që duhet reflektuar dhe në zbatimin e ligjit në institucionet shtetërore.

Sipas parashikimeve statutore, në garën për kreun e partisë, duhet të jetë patjetër një rival?
Statuti parashikon votimin sipas parimit një anëtar-një votë, për kryetarin e partisë, dhe natyrisht, votimin e fshehtë në të gjithë territorin e vendit tonë ku ka anëtarë të strukturuar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me apo pa kandidatit, kjo është një çështje tjetër që do të shikohet konkretisht në vijim. I rëndësishëm është parimi i votimit “një anëtar-një votë”.

A do të jenë të përjashtuar nga e drejta për tu kandiduar për kryetarët e degëve dhe të forumeve, kandidatët që vijnë nga bota e biznesit, sikundërse LSI ka deklaruar?
Tashëm është kthyer në një normë, por jo përjashtuar, ku ka një kufizim të hapësirave për të mos e kthyer në fenomen, përfshirjen e të gjithë njerëzve të biznesit në detyrat e partisë, por për të ruajtur një raport përfaqësimi midis njerëzve që kontribuojnë në parti, dhe njerëzve që e mbështesin partinë, apo që e duan partinë. Ne do të zbatojmë me rigorozitet parimin e masës së përfaqësimit, duke respektuar barazinë gjinore 50 % me 50%, dhe natyrisht, duke respektuar me rigorozitet edhe hapësirat statusore për përfaqësimin e të rinjve të Lëvizjes Rinore për Integrim.

Kryetari, LSI: Kreu i partisë dhe kryesitë zgjidhen çdo 4 vjet
Sipas statutit të LSI-së, kryetari dhe të gjitha forumet e tjera drejtuese, zgjidhen çdo katër vjet. Referuar statutit, “Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia sipas parimit një anëtar - një votë dhe me kandidaturë alternative”. Po ashtu, edhe anëtarët e Kryesisë zgjidhen nga radhët e Anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare nëpërmjet konkurrimit me kandidatura alternative.

“Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar zgjidhen nga Konventa Kombëtare për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet një procedure konkurrimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë”, -thuhet në statutin aktual. Ky afat përmbushet në tetor, çka do të thotë se brenda kësaj periudhe, do të rizgjidhen strukturat e saj drejtuese, nga kryesia tek Komiteti Drejtues.

Statuti, Në 2012, u lejua që Meta të drejtonte më shumë se dy mandate
Në 28 tetor 2012, LSI ndryshoi statutin e partisë për t’i dhënë të drejtën Ilir Metës të marrë një mandat të tretë si kryetar. Një nga ndryshimet e LSI-së në konventën e saj ishte pikërisht neni mbi kufizimin e mandatit të kryetarit. Në statusin e mëparshëm, përcaktohej se kryetari i partisë nuk mund të mbante më shumë se dy mandate. “Kryetari është drejtuesi kryesor politik i LSI–së. Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia. Kryetari i LSI–së nuk mund të zgjidhet në funksion më shumë se dy mandate radhazi. Kandidatëve për kryetar të LSI–së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe aksesi në shtypin apo publikimet e LSI-së”, thuhej në statusin e mëparshëm të kësaj partie. Me ndryshimet e bëra, u hoq kufizimi i drejtimit në vetëm 2 mandate.


Redaksia Online
(E. Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois