Intervista/ Luftar Paja: Aktorët
 e karrierës po lihen në hije

Intervista/ Luftar Paja: Aktorët<br /> e karrierës po lihen në hije
Është aktor i karrierës Luftar Paja, dhe me një profil shumë të spikatur, ashtu si Albert Vërria, Guljem Radoja, Zyliha Miloti, etj. Ka qenë dhe është i aftë të luajë komedi, teatër, film. Dikush mund ta kujtojë si Çobon tek “Isha unë Çobo Rrapushi, Hanxhiun te “Udha e shkronjave”, Velon tek “Gunat përmbi tela” e në shumë filma të tjerë artistikë, si “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Ëndrra për një karrige”, “Zëvendësi i grave”, etj.

Aktori Paja ka mbetur në kujtesën e publikut edhe për rolet e tij në drama si “Vite të paharruara”, “Fytyra e dytë”, por edhe në komedi. I kudogjendur në skenë dhe në ekran, është nderuar për kontributin e tij në vitin 1979 me titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptarë si Kadri Roshi, Roland Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, etj. Regjisorët, por edhe kolegët e vlerësojnë si një partner kreativ e dinjitoz dhe për këtë, ende pa e mbyllur karrierën e tij, në vitin 1990 merr titullin e lartë “Artist i Popullit”. Pas viteve 2000, Luftar Pajës, ashtu si shumicës së aktorëve të talentuar që zyrtarisht kanë dalë në pension, nuk u jepen më role.

Mos vallë rolet e kanë humbur konceptin artistik dhe po konvertohen sot me një të drejtë page, apo lënia në hije e e një gjenerate aktorësh të profilizuar i ka rrënjët më të thella. Me intuitën e një përvoje të gjatë në skenë dhe ekran, aktori Luftar Paja hap një debat ende të munguar në zhvillimin e dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare: sa regjisorë të aftë ka për të ngjitur në skenë aktorë të këtij niveli...
 
 
Zoti Paja, ju jeni një aktor i gjithëpërfshirë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në filmat artistikë shqiptarë dhe keni krijuar një profil artistik të veçantë si aktor. Me profil të spikatur janë edhe disa kolegë të tutë që kanë dalë në pension. Sa hapësira ka gjenerata juaj në skenë dhe teatër?
 
- Artisti sa të jetë gjallë, nuk ka pension. Duhet të ketë veprimtari, aktivitet. Megjithatë, sot kështu janë kushtet, Bëhen të atilla edhe nga konjukturat institucionale, edhe nga simpatitë personale të drejtuesve, e kështu nisin keqkuptime në trajtimin e aktorëve, si jo këta janë të vjetërsuar, jo janë të demoduar. Prandaj në qoftë se do që të marrësh vlerat e një artisti duhet t’i gjesh edhe vendin atij artisti. Duhet t’i gjesh dhe t’i pështatësh rolin në një vepër, sepse jo në çdo vepër mund të marrë pjesë një artist, qoftë edhe brilant ai. Lënia në hije e aktorëve të karrierës nuk duhet të ndodh, se është investim i madh tek ata, edhe pse mua më bëhet shumë qejfi që breza të rinj artistësh me zotësi dhe me talent po debutojnë me sukses në disa organizma shtetërore dhe private, qoftë te Teatri i Metropolit, qoftë te Teatri Kombëtar, qoftë tek teatri alternativ apo edhe në rrethe.
 
Ju po flisni me admirim për brezin e ri që po krijon një fizionomi të re, por në gjithë botën, siç ndodhte  më parë edhe në Shqipëri aktorët e karrierës kanë luajtur deri në fund të jetës në skenë si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka apo Drita Pelingu. Pse nuk merren sot parasysh nga regjisorët profilet e krijuara të gjeneratës suaj?
 
-Pyetja është shumë e drejtë. Teatri nuk do vetëm dashnorë, por do edhe rolin e gjyshit, edhe të babait, edhe gjyshen. Shteti duhet të interesohet për vlerat artistike që ka investuar, sepse art nuk po bëhet vetëm sot që u futëm në demokaci. Art është bërë në të gjitha kohërat, edhe në kohën e diktaturës. Ne mund ta shajmë diktaturën për të keqen e saj, por nuk mund t’u vëmë një kryq punëve të mira, artistëve të mirë. Teatri shqiptar në fund të fundit ka pasur kolosa, siç është i madhi Pirro Mani, e gjenerata e aktorëve si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi apo i madhi Mihal Popi, apo Marija Logoreci, etj. Nuk mund të harrohet figura e Prokop Mimës që kishte një figurë të shkëlqyer, që kishte një plastikë që rrallë se e gjeje diku. Kështu që edhe pasardhësit e tyre më vonë nën gjurmët e tyre janë munduar të lënë gjurmë edhe për gjeneratën e sotme. Del çështja se kjo gjenerata e sotme duhet t’i ndërthurë mirë punët me gjeneratën e vjetër. Sido që të jetë, përvoja e tyre duhet, duhet patjetër gërshetimi i traditës me të renë.
 
Meqë ra fjalë në bashkëpunimin e brezave, ju keni një djalë aktor të talentuar, Gazmend Pajën. Sa bashkëpunëtor është ai me ju në këtë rast?
 

-Ju faleminderit që më pyetët. Shumë më kanë pyetur shumë sesi e sa e kam ndihmuar djalin në këtë profesion. Por ju kujtoj një histori. Ismail Kadareja kur shkonte në Korçë shoqërohej gjithmonë me një tjetër që i ngjitej si servil dhe i shkonte mbrapa. Një shofer, ndjesë pastë, që e kishte vënë re këtë, i thotë një ditë “shoqëruesit” të Kadaresë: “-Hej, mos i rri aq shumë afër se talenti nuk është grip që të të ngjitet”. Unë jam i kënaqur që djali im ka marrë drejtimin e duhur vetë. Unë i bëj vërejtje sigurisht, se shkolla që bëri në Greqi, në Londër djali im duhet justifikuar me punë, me djersë: Prandaj i them “në qoftë se do mjaftohesh me shkollën, do mbetesh atje ku ishe, në qoftë se do luftosh e punosh do të bëhesh dikushi...”
 
 
Cilët nga aktorët e brezit tuaj do të doje t’i shihje në skenë?
 
-Për artistët që unë dua t’i shoh në skenë, megjithëse janë rralluar, por nuk janë rraluar vlerat e atyre që kanë mbetur gjallë, them se: dua të shikojë në skenë Zyliha Mioltin e Shkodrës, dua të shikojë në skenë Robert Ndrenikën e Mirush Kabashin, të cilët janë produktivë ende. Dua të shikojë në skenë Guljem Radojën. Dua të shikoj edhe Albert Vërrinë, i cili është një figurë shumë e spikatur si aktor, por që ka mbetur në hije. Pse jo, dua të shikojë në skenë edhe aktorët e Korçës si Petrika Rizën, e shumë të tjerë që në çast nuk më vijnë në mendje, por sido që të jetë, këta njerëz duhen aktivizuar dhe shteti duhet të bëjë diçka, për të përgatitur regjisorët. Ndihet kjo mungesë, është më mirë që shteti të harxhojë para për dhjetë studentë të talentuar që të shkojnë e të kualifikohen jashtë, në Francë apo Gjermani, ku të jetë më e mira. Nga ata që dërgohen në këto specializime sikur edhe dy të kthehen me sukses, e të punojnë në drejtim të teatrit dhe kinematografisë si regjisorë, do t’i ndryshojnë faqen teatrit kombëtar. Duhet investim dhe jo shpërdorim në fushën e krijimtarisë. Shohim që ka festivale në rrethe, disa prej tyre janë ndërkombëtare, po në fund çfarë del... Nuk jam kundër festivaleve si i Elbasanit apo i Fierit e Korçës, etj. Por është koha që ne të përqendrohemi në një konkurs të dramaturgjisë apo letërsisë artistike që shërben për skenarë me qëllim që në shumë vepra të dalin dy tre të zgjedhura, sepse në fund të fundit populli shqiptar ka nevojë të shprehet në skenë edhe tradita e tij, edhe doket dhe zakonet e tij.
 
Ju sapo më kujtuat që nuk po ndodh më ngjitja ne skenë e veprave më të mira të autorëve shqiptarë, me pikënisje nga zhanri i letërsisë....
 

-Duhet të ulet dikush e të shfletojë për shembull krijimtarinë e Dritëro Agollit, siç ka bërë Pëllumb Kulla, apo siç doli nga krijimtaria e Musarajt Çobo Rrapushi me shokë. Letërsia e shkruar dhe artet duhet të bashkëveprojnë. Ndaj për këtë bashkëveprim duhet të drejtosh dikë, por që ta drejtosh duhet t’u japësh edhe disa shkolla të mira në vendet që janë të zhvilluara në këtë drejtim.
 
Kujtoheni si aktor, jo vetëm në komedi apo teatër, por edhe në filma. Regjisorët e filmave krijonin një kolorit me personazhet në filmat shqiptarë.
 
-Problemi sot qëndron tek mungesa e regjisorëve dhe skenarëve ose dramave dinjitoze. Kjo mungesë, së pari ka ardhur se është harruar kritika dhe bashkëpunimi mes aktorëve e regjisorëve, skenaristëve apo autorëve. Tani është bërë si një parafabrikat çdo gjë që shfaqet në film. Pra, kur bëhet fjalë për prodhimin e një filmi, nuk del i pastër. Shikoj disa filma të viteve të fundit, ku ka një mungesë të theksuar të mjeshtërisë aktorekse. Dikush e bën rolin, por nuk ka lëng, s’ka nur, i themi ne në zhargonin e aktorit. Aq më keq në teatër. Mos mendoni se unë dua të them se vetëm ne kemi bërë art në atë kohë dhe këta nuk po bëjnë të rinjtë. Art po bëjnë të rinjtë. Mirëpo, qoftë teatrot shtetëror, qoftë edhe privatë merren me shumë gjëra, që edhe pse janë të nevojshme, më parë duhet të mendohet që të japin sa më shumë teatër, sa më shumë spektakël që t’i edukojnë njerëzit, t’i bëjnë të ndjejnë ata, jo vetëm të priren nga një modernizëm dhe abtraksion i pabazë. Publiku shqiptar është miks, ka që priren nga artet moderne, ka që duan teatro klasike. Shqipëria nuk është vetëm elita. Artistët kanë frikë, kur thuhet art për masat, për popullin, ose art për gratë, art për pleqtë. Po po për të gjithë duhet bërë art. Dhe nëse thashë se gjenerata jonë është në hije, nuk e kisha fjalën vetëm për rolet, por edhe se duhet dhënë një kontribut së bashku artistë të vjetër dhe të rinj. Për shembull, këtu para dy ditesh erdhi emblema e regjisurës shqiptare, i madhi Pirro Mani. Por sa morën vesh artistët se erdhi ai lajmëruan njëri-tjetrin dhe u mblodhën si asnjëherë tjetër në hollin e teatrit. Nuk diskutohet që teatri është shtëpia e artistëve, por duhet një klub, jo për të pirë kafe e uiski, por që vijnë aty me idetë e tyre. Duhen kjo pikët takimi si nisje e projekteve paraprake, si bashkëveprim mes brezash e përvojash


Shkrimi u publikua sot (16.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print

Redaksia Online
(k.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër