Intervista/ Meta: Vota e gjerë
mesazh për ndryshim

Intervista/ Meta: Vota e gjerë<br />mesazh për ndryshim
TIRANE - Në intervistën e tij në “Opinion” kryetari i LSI, Ilir Meta ripohon se qeverisja me Partinë Socialiste do të jetë një e tërë. Për kreun e LSI, forca e tij politike në zgjedhjet e 23 qershorit ka pasur dy targete, rininë dhe gratë.
 
Z. Meta duket se keni qenë i vetmi që keni i vetmi që keni ditur me një saktësi të përafërt rezultatin e zgjedhjeve. Keni deklaruar një muaj e gjysmë para zgjedhjeve se koalicioni juaj merr 80 mandate dhe se LSI-ja do të marrë mbi 15 mandate. Ishte ky parashikim fryt i sondazheve, i ndonjë vëzhgimi tjetër, apo thjesht e kishit caktuar se do të merrnit këtë numër votash dhe ia arritët qëllimit?
Jo, absolutisht. Ishte fryt i një vlerësimi tërësisht objektiv dhe kompleks të një kërkese për ndryshim nga ana e qytetarëve shqiptarë. Të mundësive që ka e majta në çdo kohë në Shqipëri, kur është bashkë, për të qenë shumicë automatike. Gjithmonë kam vënë buzën në gaz kur kam parë që bëhen këto llogaritë aritmetike.

Jeni rritur në fushatë apo jeni rritur në mënyrë progresive gjatë 4-vjeçarit?
E para, një herë në rastin e LSI-së nuk duhet bërë krahasimi me 2009-n, sepse LSI-ja që nga themelimi i saj e në vazhdimësi në katër zgjedhjet e bëra përveç 2009-s ka treguar se ka një rezultat të qëndrueshëm prej rreth 120 mijë votuesish. Në 2009-n dihet që ishte një kod komplet kundër LSI-së, gjithë trysnia bëhej kundër LSI-së dhe ishte përpjekja e parë për të implementuar kodin që zhdukte çdo parti tjetër përveç dy partive më të mëdha dhe LSI-ja në këto zgjedhje kishte numëruesit, kishte komisionerët e saj në KZAZ dhe votuesit që gjithmonë janë të lëkundur, sepse duan që vota e tyre të jetë e dobishme dhe të mos shkojë kot, ishin të sigurt që vota e tyre për LSI-në do të shkonte atje ku duhej, nuk do të manipulohej.

Kështu që janë shumë faktorë të cilët kanë qenë mjaft pozitiv. Por dy faktorët më kryesorë për ne janë puna e jashtëzakonshme që ne kemi bërë me rininë, kjo është puna e mirë dhe investimi më i mirë dhe më afatgjatë që ne kemi gjatë gjithë kësaj kohe dhe votat tona kryesisht që janë shtuar janë vota që i takojnë rinisë. Dhe e dyta, puna shumë e mirë që ne kemi bërë sidomos gjatë viteve të fundit me LGI-në.

Z. Meta, keni blerë vota ju apo jo?
Mendoj se kjo është fare qesharake. Këtë e dëgjuam në vitin 2011 kur ne arritëm një rezultat të paparashikueshëm për ata që përsëri bënin sondazhe në Tiranë, se i morën votat si ja hoqën njerëzit nga puna. Tani ne na i hoqën të gjithë njerëzit nga puna sepse ne dolëm në opozitë dhe tani dalin me pretendime të tilla. Këto janë tepër qesharake dhe janë rezultat i politikanëve të dëshpëruar, të cilët nuk pranojnë faktorët kryesorë që u sjellin një rezultat të caktuar por gjithmonë kërkojnë të krijojnë pretekste dhe justifikime për humbjen e tyre.

Një pretendim i tillë është publikuar edhe tek Uashington Post që thotë se shqiptarët u joshën nga pagesat në cash dhe nga vendet e punës dhe se askush përveç makinerisë së Metës nuk e bën më mirë këtë punë. Si i komentoni këto deklarata?
Kjo është një gjë fare qesharake që po dëgjoj dhe natyrisht edhe unë kam të drejtë të them se sa euro është paguar ky artikull. Vetë një diplomat amerikan në Shqipëri ka parë dy sondazhe dhe të dyja sondazhet në Fier dhe Tiranë kanë qenë fiks në 13 maj siç kanë dalë rezultatet në 23 qershor. Kështu që këto janë shkrime të porositura, siç janë edhe analistë që nuk mund të pranojnë dështimin e tyre, të cilët janë tendenciozë dhe natyrisht unë tashmë mund të vë në pikëpyetje se sa kanë marrë për këtë apo për atë.

Z. Meta, ju thatë se e majta fitoi sepse e majta në Shqipëri ka qenë gjithmonë shumicë . Për ju, vota e 23 qershorit a ishte një votë ndëshkuese për qeverinë Berisha dhe nëse ishte, pse nuk ishte e tillë edhe për ju që keni bashkëqeverisur për katër vjet?
Së pari, e majta është shumicë dhe kjo është konfirmuar nga të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri. Pse kjo shumicë kaq e gjerë? Unë mendoj sepse ky ka qenë një mesazh për një ndryshim, njerëzit janë lodhur shumë nga presioni i politikës në shoqëri, nga presioni i politikës në jetën sociale, nga presioni i jashtëzakonshëm i politikës në media, nga protagonizmi i tepruar i politikës  dhe nga konflikti që ajo sjell.

Dhe natyrisht ka qenë një trysni e madhe që e ka marrë përgjigjen në mënyrë të qetë në fund fare. Të jeni të sigurt se një pjesë e madhe e atyre që kanë shkuar nëpër mitingje kanë votuar për opozitën. Shkonin nëpër mitingje sepse nuk donin të humbitnin vendin e punës. Lidhur me LSI, sepse ju shpesh flisni për LSI-në, unë nuk kam folur për këto gjëra dhe jam përpjekur që të jem korrekt pasi kam pasur një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe nëse shqiptarët e vlerësojnë Ilir Metën dhe LSI-në, e vlerësojnë për karakterin e tyre dhe jo për mungesën e karakterit.

Aty ne mund të prishnim çdo marrëveshje me çdo forcë politike kushdo qoftë, që kundërvënë Shqipërinë me NATO-n, që kundërvënë Shqipërinë me Bashkimin Evropian, apo që cenojnë rëndë stabilitetin dhe Kushtetutën e vendit. Për çështje të tjera ne jemi të detyruar të jemi të përmbajtur. Marrim atë përgjegjësi që na takon. Por, jo të krijojmë probleme të cilat dëmtojnë thelbin e një marrëveshje që në fakt ka  në thelb të saj stabilitetin e vendit.

Çfarë garancie ekziston që këto probleme të mos ndodhin edhe me Partinë Socialiste?
Marrëveshja me Partinë Socialiste është një marrëveshje shumë e natyrshme. Mendoj se është një marrëveshje shumë e hapur, transparente. E përgatitur në kohë. Nuk është një marrëveshje që vjen si rezultat i një situate delikate. Ne kemi vendosur një aleancë strategjike që do thotë që para zgjedhjeve, që edhe në rast se humbitnim do të qëndronim në opozitë. Natyrisht që thelbi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi ynë që brenda 8 viteve Shqipëria të jetë një anëtar i Bashkimit Evropian, siç u bë Kroacia sot.

Çdo të thotë marrëveshje në kohë? Kur kishit vendosur ju të largoheshit nga mazhoranca dhe të bashkoheshit me PS pavarësisht se kur e bëtë publike ?
Asnjëherë nuk është menduar dhe nuk është menduar nga unë që LSI në zgjedhje të hynte bashkë me PD. Kjo ishte tërësisht e papranueshme politikisht. Ne kemi qenë në zgjedhjet lokale, që nuk janë zgjedhje politike dhe ishim pjesë e një marrëveshjeje dhe pjesë e një vazhdimësie e një qeverisje katër vjeçare. Lidhur me këtë çështje ne kemi qenë të prirur dhe të përgatitur për të dalë vetëm.

Kemi pasur një ide për të krijuar një pol të tretë, ndoshta me FRD-në, ndoshta me disa parti të tjera. Kemi pasur vështirësi për të arritur dhe për të plotësuar një kuadër të tillë marrëveshje normale. Vetëm në fund të marsit është marrë një vendim dhe mbase pas një kërkese në rritje nga faktori i majtë evropian për të dalë së bashku në zgjedhje. Pra, kjo është në fund të marsit dhe 1 prilli është njohur si dita e marrëveshjes edhe pse ajo u mbajt në Shkodër.
     
Sa korrekte e quani një marrëveshje të prishur 2 muaj para zgjedhjeve e cila rrezikonte edhe zgjedhje të parakohshme në qoftë se edhe 2 deputetë të PS nuk do të ishin bashkuar votat me PD-në për të mbajtur qeverinë dhe për të zhvilluar zgjedhjet normalisht?
Duhet t’ju them se marrëveshja me Partinë Demokratike asnjëherë nuk është konsideruar nga unë e prishur. Ajo është konsideruar një marrëveshje e përfunduar, Sepse përpara zgjedhjeve në respekt dhe të kodit partitë duhet të përcaktojnë dhe të regjistrohen, do dalin më vete, do dalin në koalicion, në çfarë koalicioni do dalin, kështu që dhe LSI kishte detyrimin e saj për tu përcaktuar përpara zgjedhjeve.

Dhe në këtë kuadër ne e vlerësuam të mbyllur marrëveshjen me PD, duke i qëndruar nga ana jonë shumë korrekte 100% gjithë angazhimeve që ne kishim marrë. Së dyti, duhet t’ju them juve, tu them gjithë demokratëve sot që na dëgjojnë, se unë kur kam bërë bisedën me z. Berisha i kam thënë; që e konsideroj të mbyllur për këto arsye, pozicioni im  për të ardhmen dhe i LSI do të jetë ky pozicion, të falënderoj shumë për bashkëpunimin që kemi pasur, ne kemi pasur një bashkëpunim të qëndrueshëm pavarësisht nga vështirësitë dhe i kam thënë këtë gjë, që ne natyrisht s’mund të rrimë në qeveri por ne nuk votojmë kundër kësaj qeverie, sepse nuk ka moral që ne deri tani jemi në këtë qeveri dhe të votojmë kundër saj. Dhe as z. Rama nuk ka kërkuar asnjëherë që ne të bënim gjoja një komplot siç u paraqit më vonë.

Si ka qenë takimi i fundit me Berishën?
Ka qenë shumë normal, korrekt dhe i përmbajtur. Pra ky ka qenë qëndrimi ynë. Ashtu sikurse qëndrimi ynë ka qenë që ne do të vazhdonim bashkëpunimin me PD në nivel vendor dhe s’kemi pasur asnjë kusht nga PS që ju nëse doni të bëni koalicion me ne duhet të prishni marrëveshjen me PD, në Bashkinë e Tiranës apo në vende të tjera.

E kam thënë dhe herë tjetër, në qoftë se do më thoshte zotëri na krijohet njëproblem në KQZ, unë do isha përpjekur atë problem ta zgjidhja në mënyrë shumë normale dhe njerëzore duke kërkuar personit që ishte propozuar nga ana jonë që të jepte dorëheqjen.

Sepse as për këtë nuk  ka patur ndonjë komplot që ne të merrnim KQZ, sepse duke pasur shumicë në KQZ do të ndryshonim vullnetin e popullit. Pra, mendoj që raporti ynë ka qenë tepër korrekt me PD dhe me kryetarin e saj. Në politikë ka marrëveshje, marrëveshja kishte një afat, afati ishte katër vjeçar.

A bën pjesë në marrëveshjen tuaj me PS ideja që ato ministri që do i drejtoni ju në nivelin politik do i drejtoni vetëm ju, dhe ato që do i drejtojë PS do i drejtojë vetëm ajo, sepse ju thatë që marrëveshja me PD nuk ka qenë e natyrshme, por dhe marrëdhëniet tuaja me PS nuk kanë qenë të lehta?
Mendoj se e kaluara ka sjellë mësime të vlefshme për të gjithë ne. Ne kemi detyrë të mësojmë jo vetëm nga gabimet tona, por të mësojmë dhe nga gabimet e Berishës, e demokratëve dhe e gjithë të tjerëve dhe në këtë kuptim të ecim më shpejt drejt një mënyre të re të bërit politik. Dhe mendoj që Shqipëria me zgjedhjet e 23 qershorit na bëri të gjithëve një mesazh të qartë që duhet të bëjmë një politikë tjetër. Një politikë e cila të jetë në funksion të shoqërisë dhe jo të jetë si presion ndaj shoqërisë.

Pra të respektojë ato kërkesa që ka shoqëria, që ka qytetari ynë për një të ardhme më të mirë. Dhe në raport me PS të jeni të sigurt që do të jetë një marrëveshje që do të funksionojë shumë mirë, sepse është një marrëveshje parimore dhe qeveria do të funksionojë si një e tërë. Do të ketë frymën e ekipit dhe të angazhimit të përbashkët kështu që nuk do të ketë disa nënqeveri.
 
Ikeni ndarë postat e ministrave?
Jo nuk i kemi ndarë. Janë përgjegjësitë e kryeministrit dhe të kryetarit të kuvendit. Po punohet për të konkretizuar programin qeverisës, pra programin elektoral duke e shndërruar në një program qeverisës. Po punojnë ekspertët.
 
Do shtohet numri i ministrive?
Këtë gjë nuk e di nëse do të shtohet apo jo, dhe nuk është kjo më e rëndësishmja. E rëndësishme është qeveria do të jetë një e tërë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (prin) 02.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK/ U arrestua në Itali, kush është Arian Tuku, tentoi të vrasë Aleks Ndrekën e siguroi kushte për vrasjen e Durim Bamit

Operacioni i SPAK/ U arrestua në Itali, kush është Arian Tuku, tentoi të vrasë Aleks Ndrekën e siguroi kushte për vrasjen e Durim Bamit