INTERVISTA/ Natasha Bega: Pse
e solla në art erosin e Ali Pashës

INTERVISTA/ Natasha Bega: Pse<br />e solla në art erosin e Ali Pashës
TIRANË - Portreti madhështor i Ali Pashë Tepelenës në prehrin e gruas apo më tej i ndodhur ndërmjet dy nudove të vajzave më të bukura të haremit e humbet egërsinë, mizorinë e përfolur aq shumë. Figura e Ali Pashë Tepelenës ka jetuar gjatë në perceptimet e piktores Natasha Bega dhe prej një viti duket sikur ai vetë e thërret dhe e shtyn piktoren në një bisedë intime.

“Erosi i Ali Pashës” është ekspozita që do të çelet sot në orën 18.00 në Muzeun Historik Kombëtar, së cilës piktorja i është dedikuar një vit rresht. Një jetë erotike për të cilën është folur vetëm në formë kronikash, por që ka mbetur edhe sot e kësaj dite plot mistere të panjohura. Piktorja Natasha Bega përvesh mëngët për ta ndriçuar me penelat botën e panjohur të Ali Pashës.

“Ali Pasha nga varri nuk u ngrit dot, meqë nuk u ngrit nga varri unë po e marr siç më vjen”, shprehet piktorja, e cila kërkon e kërkon gjatë shtrirjes së punës në telajo me sytë plot përqendrim, për të ndjekur vijën e dritës që e çon tek qenia njerëzore e Ali Pashë Tepelenës. Në ekspozitën e Natasha Begës gjërat që kanë ngjarë dikur në harremin e Ali Pashës, ose marrëdhëniet e lidhjeve të zjarrta të dashurisë janë shfaqur me kompozime të harmonizuara me finesë.    
 
Përse ju Natasha, zgjodhët Erosin e Ali Pashë Tepelenës si temë të kësaj ekspozite?
-Ali Pashë Tepelenën bota e njeh si diplomat, e njeh si politikan të fortë, e njeh si luftëtar rebel, por nuk është trajtuar me këtë sy siç e jep ekspozita, ku Ali Pasha është qendra e vetvetes, domethënë raporti me njeriun, animusin.  Kam menduar shumë për qenien e tij, që kur i filloi tragjedia që ka të bëjë me përdhunimin e nënës. Aty nis dhimbja e tij, kur nëna i thoshte që ti duhesh të jesh një burrë trim i pasur dhe hakmarrës. Për shembull tek ajo piktura e madhe pa ngjyra është dhënë raporti i tij me nënë dhe motrën.
 
Çfarë të nxit të japësh kaq shumë ngrohtësi në figurat e  grave, edhe pse janë përfshirë në sjellje më tepër  se erotike?
-Gruaja për Ali Pashën ishte si një mbrojtje nga mizoria që iu transplantua brenda tij për arsye të ngjarjeve. Unë besoj se Aliu nuk do të ishtë ky që është, po të mos ishte ngjarja e përdhunimit të nënës së tij. Dhe unë besoj fort se nuk di të ishte Aliu ai që u bë po të mos ishte kjo ngjarje si diplomat e politikan. Ndërsa në këto tablo ka një paraqitje ndryshe. E në fund të fundit raporti i tij me femrën është hyjnor. Edhe gjatë punës që bëja nuk më ngel mizor, nuk më del maçist me femrën, dhe ai mizori siç e quajnë në pjesën e Erosit është një figurë shumë interesante.

Pra, atij historia i preu kohën dhe ia ndau nga trupi, ndërsa femra këtu në art, në këto tablo ia merr kokën dhe ia vë më prehër. Femra është mbrojtja e burrit, dhe te femra kam parasysh erosin dhe te erosi kam parasysh dashurinë e  epërme, që e tejkalon erosin. Është dashuria hyjnore dhe ajo është pa gjini dhe pa formë.

Duke punuar unë “kam komunikuar” me të. Dhe portreti i fundit i tij mua më doli kur unë sapo e kisha mbyllur ciklin e ekspozitës dhe isha e lumtur se rashë rehat, por jo nuk ishte ashtu. Ndjeva se ai mua më kërkonte, dhe unë ndërsa isha e veshur për të dalë, u futa në studio dhe “e hëngra”, mbeta atje se më kërkoi prapë Aliu. Kuptova se isha bërë shumë intim unë me të. Kështu  nisa ta bëja portretin e tij aty në një kanavacë të prerë. Dhe aq u lodha për portretin e tij sa më doli më këtë pamje mirësie.
 
Interesante ajo që thua “lidhja jote intime” me personazhin e veprës?
-Ja po ta shohësh ai ka një dhimbje shumë të fortë, sepse ka shumë komplekse të trashëguara. Ai përjetoi gjithë jetën e tij përdhunimin e nënës, dhe përdhunimi  është më i egër se vdekja. Ne e përdorim keq fjalën vdekje, ajo duhet thënë ikja dhe ikja është hyjnore, sikurse ardhja është hyjnore, por vdekja vetë është përdhunimi që i bëhet qenies njerëzore, i parë ky në raport me gruan, me fëmijën në të gjitha drejtimet.

Vdekja fizike ka një dimension tjetër, njeriu çlirohet nga materia dhe ikën për të bërë ciklin kozmik. Përdhunimi nuk të shpëton nga kuthet e tmerrshme, nga përfytyrimet, dhe mua më doli fytyra e tij e ngjitur me trupin po nëpër vuajtje. Unë kur nisja të bëja veprën e parë dhe të punoja me të pikturat e mëdha nuk më hiqeshin nga dora, u bë një vit me këtë punë. Ato po bëheshin si ameba që merrnin hapje dhe artikulonin  fuqi, artikulonin atë energjinë shqiptare që duhet të rigjenerohet në çdo moment. Në tablo Ali Pasha ka ardhur me një fuqi të madhe, por që në histori është shkelur me këmbë, dhe më duket sikur arti ka një mision për ta mbledhur këtë energji humane, njerëzore, për ta pasqyruar.
 
Çfarë ke lexuar për të, kur nise punë?
-Gjëja e parë që bëra, unë hapa internetin dhe klikova kudo për të parë se çfarë dimensionesh të tij njiheshin, ku është dhe informacioni ishte pa fund, dhe si për të ndezur zjarrin edhe me shumë më nxiti libri i Mira Meksit që ka shkruar për Frosinën e Janinës, një libër i drejtorit të MHK, pastaj libri i historianit Kristo Frashëri që ka shkruar për Ali Pashën. Dhe kur e sheh thellë qenien e tij, Ali Pasha të shfaqet një figurë tepër interesante njerëzore, vetëm duhet të drejtohet vështrimi tek kjo, ai rrezaton fuqi dhe energji të fortë shumë të fuqishme.
 
Një vështrim të tij në aspektin shpirtëror ia ka bërë Bajroni në poezi, tani e shohim tek ju në pikturë
-Duhet të kujtojmë se jo vetëm unë, por bota është impresionuar nga energjia e tij. Unë arrij të kuptoj që brenda Ali Pashës është ajo pjesë e shpirtit të tij që e vuan e gjithë bota, është kompleksi i Elektrës dhe ai nuk fal dot e i poqi në hell burrat e Hormovës, sepse i përdhunuan nënën dhe motrën, ndërkohë që nuk ishte në Shqipëri. Kur ai erdhi dhe i pa ato të shkatërruara, nëna i tha mos vdeksh po nuk more hak, dhe aty u vulos e gjithë historia e Ali Pashë Tepelenës.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!