TIRANE - Marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet peng i vullnetit politik deri tani të munguar. Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti në një intervistë për Deutsche Welle me gazetarin Arben Muka. Duke fajësuar opozitën për mosmiratimin e tre ligjeve të cilat kërkojnë 3/5 në Parlament, akt absurd, siç e quan ministri, Panariti thekson se ky ngërç duhet të zgjidhet para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.

Në fokus të intervistës ishte edhe angazhimi i Tiranës zyrtare në lotimin për njohje të reja të shtetit të Kosovës, mbi të cilën ministri u shpreh se mbetet ndër objektivat e rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare.

“Unë nuk do humbas asnjë rast të vetëm për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që nuk e kanë bërë. Ky është objektiv i përbashkët i qeverisë Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit të arrijmë numrin 100 të njohjeve që të vazhdojmë më pas me njohjet e reja, dhe aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OKB, për të synuar pastaj me arritjen e 2/3 të njohjeve në OKB dhe anëtarësimin e plotë në këtë organizatë”, -u shpreh ministri Panariti.

I pyetur nga gazetari Muka për vizitën e mundshme të ministrit të gjerman të Punëve të Jashtme në Tiranë, Panariti u shpreh se “Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe kontribuuese e pazëvendësueshme e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.”

INTERVISTA E PLOTE E MINISTRIT PANARITI


Zoti Ministër, nga viti 2012 kemi të mbartur një mosrealizim që është madhor për Shqipërinë: marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Nga pikëpamja juaj, si e parashikoni kapërcimin e këtij provimi, që nëse do ta shprehnim në mënyrë figurative "kemi mbetur tri herë në vjeshtë"?
Përmes një akti absurd, të konsumuar nga një veto e pakuptimtë nga ana e opozitës, politika shqiptare shndërroi një realizim, pra rekomandimin për dhënien e statusit, në një mosrealizim në mosmarrjen e tij ashtu sikundër pritej në dhjetorin e vitit të shkuar. Kjo u arrit duke bllokuar miratimin e dy ligjeve dhe të një rregulloreje, si pjesë e detyrimeve që mbeteshin për t'u plotësuar pas rekomandimit të Komisioni Evropian. Ajo që e bën të pakuptimtë këtë akt pengues të miratimit të dy ligjeve dhe të rregullores, është se të dy palët nuk kishin asgjë me thelbin dhe përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe madje kishin arritur konsensus të plotë në procesin e diskutimit dhe aprovimit paraprak të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare. Pra, nuk ekzistonte asnjë arsye që këto ligje të mos miratoheshin me tre të pestat e votave në Kuvend, ashtu sikundër ndodhi në qershor me ligjin për Kodin Zgjedhor dhe ligjin për kufizimin e imunitetit për zyrtaret e lartë dhe gjykatësit. Por për fat të keq arsyeja u gjend të mosarsyeja si pretekst i bllokimit të procesit. Zhbllokimi mbetet thjesht peng e vullnetit politik deri tani të munguar. Votimi sa më parë i tri ligjeve do t'i krijonte Shqipërisë, shansin për ta marrë statusin e vendit kandidat në pranverë, pra, para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Sa e rrezikuar është Shqipëria nga procesi i rikthimit të regjimit të vizave për në zonën Schengen të BE-së? Kam parasysh shqetësimet e kohëve të fundit të Brukselit dhe të vendeve anëtare për rritjen e fluksit të kërkesave për azil nga qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e vendeve problematike për thyerje të regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, prandaj nuk është e rrezikuar për rikthimin e regjimit të vizave. Por duke qenë se autoritetet e BE-së, kanë vendosur si kriter të rikthimit të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse do të konstatohet një rritje në mbi 50% të numrit të kërkuesve të azilit nga këto vende për te vendet e BE-së në shifrat e raportit të vlerësimit, atëherë vendi ynë duhet të bëjë padyshim shumë kujdes që të mos arrijë në këto kuota, sikundër edhe po ndodh edhe falë forcimit të kontrolleve dhe ndërgjegjësimit publik.

Zoti Panariti, viti që lamë pas duket se nuk ka qenë shumë i favorshëm për raportet me fqinjët, dua të veçoj këtu raportet me Greqinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ju si institucion, çfarë angazhimesh do të keni në rikthimin të një situate më të mirë në marrëdhëniet me këto dy shtete fqinje?

Vizita ime zyrtare në Greqi, synoi dhe arriti të hapë një kapitull të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve në frymën e diskutimit të hapur, bashkëpunues dhe jo paragjykues të çështjeve të së kaluarës dhe të atyre të aktualitetit.
Synojmë që këtë frymë të vullnetit të mirë për bashkëpunim, ta materializojmë me nënshkrimin së shpejti të marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e njohjes reciproke të pasaportave dhe dokumenteve zyrtare, duke arritur një qëndrim të unifikuar për sa u takon toponimeve të përfshira në këto dokumente. Kjo do të hiqte plotësisht pengesat e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit sipas kritereve të marrëveshjes së Schengen-it. Po kështu synohet të nënshkruhen marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve si dhe në fushën e transportit të udhëtarëve. Për çështje të tjera, natyrshëm do të kërkohet më tepër kohë dhe vullnet i përbashkët për t'i vendosur në rrugën e zgjidhjes.
Për sa i takon ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ecuria e marrëdhënieve me këtë shtet do të kushtëzohet me shkallën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me homologun tim Popovski, si dhe me krerët e partive politike shqiptare, duke i inkurajuar t'i referohen dhe të zbatojnë detyrimet që rrjedhin për palët nga Marrëveshja e Ohrit si baza e bashkëekzistencës dhe e bashkëqeverisjes për vendin.

Tirana zyrtare asnjëherë nuk e ka fshehur angazhimin e saj për të lobuar fort ndërkombëtarisht për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Gjatë vitit që sapo u mbyll duket se procesi i njohjeve të reja ka lëvizur ngadalë. Çfarë pritshmërie keni ju për 2013-n në këtë aspekt?

Objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në fillim të këtij viti i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme. Unë kam pasur kontakte me ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, dhe kam kërkuar që Tunizia të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. Po punohet për arritjen sa më parë të këtij objektivi. Po punohet dhe me autoritetet e Libanit për njohjen e Kosovës. Më lejoni të kujtoj që në fund të vitit të kaluar gjatë kontakteve që pata me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, i kërkova në mënyrë të drejtpërdrejtë që të ndikonte te autoritetet e Izraelit për njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, siç e shikoni, unë nuk do humbas asnjë rast të vetëm për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që nuk e kanë bërë. Ky është objektiv i përbashkët i qeverisë Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit të arrijmë numrin 100 të njohjeve që të vazhdojmë më pas me njohjet e reja, dhe aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OKB, për të synuar pastaj me arritjen e 2/3 të njohjeve në OKB dhe anëtarësimin e plotë në këtë organizatë. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të intensifikojmë në koordinimin me qeverinë e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, si p.sh., në UNESCO, ku situata është pozitive, votat janë aty dhe mendoj me një intensifikim të përpjekjeve do të bëhet e mundur që të anëtarësohet Kosova në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB, për të vazhduar me anëtarësimin e saj dhe në organizma të tjerë. Sfidat janë të shumta, por mendoj se me një dinamizëm më të madh, me një vullnet më të madh ne do t'i realizojmë këto qëllime.

Vjeshtën e kaluar zyrtarisht në kanalet diplomatike qarkulloi lajmi për një vizitë të mundshme të homologut tuaj të Republikës Federale Gjermane në Tiranë. A është në axhendën 2013 realizmi i kësaj vizite? Dhe duke qenë këtu, si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë aktualisht?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë janë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të ndërtuara mbi baza të shëndosha. Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe kontribuuese e pazëvendësueshme e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Veçanërisht roli i këtij vendi të fuqishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në Ballkan është parësor.

Sfida ime dhe e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilën kam nderin të drejtoj, është t'i japë një impuls të ri bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat e në veçanti në atë ekonomike, ku nuk duhet të rreshtim përpjekjet për të parë sa më shumë investitorë dhe investime gjermane si protagonistë të projekteve të rëndësishem zhvillimore të vendit në infrastrukturë, energjetike turizëm etj. Pikërisht vizita e ardhshme e Ministrit Westerwelle në Shqipëri e planifikuar gjatë tremujorit të parë të 2013 do të jetë një katalizator i rëndësishëm në këtë drejtim.

*Intervista marrë nga www.dw.de

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)