Komisioni i reformës Territoriale nisi punën reale këtë të martë ku u ftua në dëgjesë ministri i pushtetit vendor. Ervin Demo paraqiti të dhëna që sipas tij tregojnë se bashkitë e vogla kanë dështuar në një sërë aspektesh, duke e vënë theksin tek nevoja për bashki të mëdha. Por ky model u kundërshtua nga deputetët e PD, të cilët thanë se përvoja pas 2014-ës tregoi se bashkitë e mëdha kanë dështuar duke u larguar nga qytetarët.  

***

Ndërsa afati i miratimit të reformës territoriale sa vjen dhe ngushtohet, palët politike në komisionin e posaçëm duket se janë larg të arriturit në një draft të përbashkët për një ndarje të re territoriale.

Në seancën e kësaj të marte anëtarët e PS dhe PD në komision patën qëndrime të kundërta përsa i përketh thelbit të hartës së re administrative, numrit të bashkive.

Ministri i Pushtetit vendor Ervin Demo tha se pas reformës së fundit në 2014-ën, të dhënat tregojnë se bashkitë më të mëdha kanë pasur performancën më të mirë si financiare ashtu edhe tek cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve.

"Riorganizimi territorial nuk e ka zgjidhur pabarazinë e kapaciteteve, madhësia e bashkive vazhdon që të ndikojë ndjeshëm në performancë. Bashkitë që janë mbi 50 mijë banorë janë mbi mesataren kombëtare dhe bashkitë nën 50 mijë banorë, përgjithësisht janë nën mesataren. Kjo lidhet me vetë potencialin që bashkitë kanë",- tha Demo.

Por në të kundërt të këtij argumenti Jorida Tabaku e PD, argumentoi se reforma e 2014 ka dështuar dhe ka larguar qytetarët ndaj shërbimeve cilësore.

“Nëse modeli ka dështuar në të ardhura, në investime dhe në përfaqësim, atëherë problemi nuk është zbatimi – është vetë modeli",- shprehet Tabaku.

Ministri Demo përmendi paaftësinë e bashkive të vogla për të gjeneruar të ardhura, ndërsa iu referua edhe modeleve të vendeve të BE-së që janë duke shkuar drejt bashkive të mëdha.

Përpara se të kalojë në Kuvend, Komisioni për reformën territoriale administrative duhet të ketë gati draftin e përbashkët deri në fund të muajit korrik