Intervista/ Puna e kirurgut është
pa pasoja kur pacientja vjen shpejt

Intervista/ Puna e kirurgut është<br />pa pasoja kur pacientja vjen shpejt
TIRANË - Miqtë e mi, përshëndetje! Kemi vendosur të vijmë përsëri në Spitalin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare, për të prekur një tjetër moment shumë të rëndësishëm. Do të ndalemi te parimet kirurgjike të onkologjisë. Ku hyn ajo? Çfarë mund të korrigjojmë nëpërmjet saj, jo vetëm në aspektin shëndetësor? Kemi ardhur në zyrën e mjekut kirurg-onkolog Artan Bodeci, të cilin e përshëndesin dhe e falënderojmë që për të disatën herë po pranon të shprehet për mikrofonin tonë.

Doktor, sot kisha dëshirë faktikisht jo vetëm unë por edhe nga bisedat që kemi bërë së bashku, do të ishte e mira që të shfaqeshim më konkretë. Të flasim për imazhe reale të punës suaj jo vetëm teorikisht në aspektin kirurgjikal sepse sigurisht, është puna ajo që flet më tepër, duke ilustruar edhe me pamje momentet kirurgjikale të parimeve onkologjike të kirurgjisë shëndetësore, por jo vetëm. Mund të fillojmë?
Po. Në këtë pikë do të thosha, kur konkretizojmë atë që themi dhe kur situata bëhet më e prekshme, d.m.th. kur vetë pacientët apo vetë njerëzit, vetë popullata do ta shikojë nëpërmjet ekranit tuaj atë çfarë neve bëjmë këtu, do ta kuptojë dhe do ta ndiejë drejtpërsëdrejti që me të vërtetë këtu bëhet një punë serioze, me të vërtetë kanceri i gjirit tanimë nuk është tabu, me të vërtetë ka metoda të cilat nuk e motilojnë më gruan kur ajo vjen dhe paraqitet shpejt te mjeku, madje përkundrazi, ka metoda aq të mira kozmetike që as nuk kuptohet që ajo grua është operuar. Megjithatë, mos të humbasim kohë. Unë kam nxjerrë një pjesë nga arkivi i aktivitetit të spitalit tonë, d.m.th. nga aktiviteti kirurgjikal, të disa fotot për të ilustruar atë se çfarë bëhet këtu dhe atë që mund të vlejë për opinionin e gjerë.

Atëherë, teknika e parë që unë kam zgjedhur quhet raund blok teknik ose teknika Beneli sipas emrit të autorit. Është një lloj teknike, e cila konsiston në heqje të volumit të gjerë të formacionit tumoral, sado i madh që të jetë ai, duke respektuar principet onkologjike dhe duke bërë të mundur, pas operacionit, një efekt kozmetik të kënaqshëm. Janë dy inçizione paralele përreth kompleksit papilo-areolar, krijohet një fushë preparimi, këtu është momenti që ka përfunduar kirurgjia, po mbyllen shtresat me radhë dhe në fund fare, nga pikëpamja estetike, ja këtu është momenti, një nga elementet e mbylljes ose të teknikës. Ky është një element profesional.

E rëndësishme është që opinioni të kuptojë që bëhet kirurgji e madhe pa e motiluar kozmetikisht dhe anatomikisht gruan. Dhe shihet në fund rezultati kozmetik që është i kënaqshëm, që gruaja as që e kupton që është operuar dhe nga ana tjetër nuk është cenuar në asnjë moment të vetëm principi onkologjik i heqjes së masave apo formacioneve tumorale në kufij të gjerë. Ja edhe një moment tjetër. Është një pamje tjetër e po të njëjtit formacion. Ky është formacioni tumoral.

Ekziston në kufij të gjerë, një formacion që për nga mënyra e krahasimit, këtu kemi vënë një klemë në mënyrë që të gjykohet nga popullata se çfarë dimensionesh ka tumori dhe të kuptohet që të heqësh një formacion të tillë, pa i prishur principet onkologjike, pra pa e prekur tumorin, sepse tumori këtu është hapur. Ky në rastin konkret ka qenë një tumor fillodes, një tumor beninj, por me një rritje të vrullshme, të menjëhershme, që e prish anatomikisht gjirin dhe që në të ardhmen edhe mund të degjenerojë drejt lezioneve malinje ose mund të bëhet një tumor femëror.
 
Atëherë doktor, me sa kuptoj, edhe një rritje jashtë normës e një mase tumorale beninje mund të kthehet në të rrezikshme në një kohë të nesërme, apo jo?
Po, kjo është për disa lloje tumoresh që ne në gjuhën tonë i shprehim si tumore border line, tumore me një sjellje të dyfishtë, që malinjiteti i tyre ka të bëjë me papjekurinë qelizore dhe nganjëherë me rritjen e vrullshme të tyre. Por jo të gjitha tumoret beninje kanë riskun për t’u kthyer në tumore malinje, madje një pjesë shumë e vogël e tyre kthehet në tumore malinje dhe ky është rasti që unë shpreha. Është pikërisht një formë e tillë e tumorit beninj që quhet tumor fillodes, ku papjekuria qelizore e tij për shkak dhe të proliferimit të hershëm mund të shkojë drejt një papjekurie malinje që quhet ndryshe cisto sarkoma fillodes.

Në rastin konkret që unë e ilustrova edhe me foto, pikërisht këtë të realizon kirurgjia konservative, heqjen e tumorit pa e prekur. Atë që në gjuhën e vet populli thotë: mos e ngacmo. Por që populli e kupton mos e ngacmo, mos shko ta operosh. Por, mos e ngacmo do të thotë që të shkosh te mjeku profesionist, sepse onkologu është ai i cili i di dhe i zbaton principet onkologjike, që me të vërtetë nuk preket tumori, sakrifikohen indet e shëndosha për të realizuar ekcizionin në kufij të gjerë, që gruaja në të ardhmen të ketë sa më pak probleme nga përsëritja e kësaj sëmundjeje. Dhe pikërisht këtë përfaqëson ky rast që unë pasqyrova, që është cisto sarkoma fillodes, por në rastin konkret ka qenë një tumore fillodes me karakter beninj. Do të tregoj edhe disa foto të tjera të një kirurgjie po onkologjike.
 
Me çfarë rasti kemi të bëjmë konkretisht?
Ky është një rast, i një vajze të re e cila kishte cisto sarkoma fillodes. Pra atë lloj tumori beninj i cili kishte pësuar degjenerimin malinj. Edhe te kjo ne aplikuam raund block teknik, duke ia ruajtur gjirin, pra teknikën Beneli, duke i ekcizuar edhe një pjesë të lëkurës, sepse ishte shumë afër lëkurës tumori dhe lëkura këtu nuk mund të ruhej. Dhe u realizua eksizioni në kufij të gjerë. Ekcizioni në kufij të gjerë i masës, pra janë momente nga kirurgjia, të cilat po i kalojmë shpejt për efekte të pamjes, dhe në fund efekti këtu është pjesë e lëkurës e cila është hequr dhe në fund ana kozmetike e kësaj kirurgjie. Kjo është masa tumorale. Janë madje dy masa këtu, masa e parë dhe masa e dytë që ishte afër e lokalizuar me lëkurën.

Këtu ne kemi aplikuar edhe një teknikë tjetër, të kombinuar pra, mbasi kemi përfunduar operacionin e gjirit, kemi bërë edhe një kontroll sentinel  limfonodyakstilar të sqetullës, pavarësisht se sot në botë ka ide kontroverse të nisura nga risku, të nisura nga papjekuria e madhe qelizore, nga mosha e re e kësaj vajze, ne i bëmë një kontroll të nivelit të parë që nuk e dëmton as anën kozmetike dhe as anën funksionale të krahut dhe doli që rezultati ishte negativ i kësaj dhe ajo tanimë, ka përfunduar trajtimin me radioterapi, gëzon shëndet dhe u bënë gati 4-5 vite që është operuar dhe është nën kontroll periodik.

Këto janë rezultatet në momentet pas operacionit, duhet të jemi 1 ose 2 javë pas operacionit. Ky është një moment d.m.th. kur ne kemi bërë kontrollin limfonodysentinel duke i ekcizuar ato. Dhe në fund, rezultati final.
 
Me çfarë rasti kemi të bëjmë konkretisht? Shohim një tjetër foto dhe një tjetër, besoj, problematikë ku kirurgjia hyn dhe hyn në mënyrë thelbësore.
Ky është një rast me të vërtetë interesant që unë e kam shkëputur nga albumi i klinikës sonë, më tepër për të sensibilizuar edhe popullatën. Kjo si kirurgji i përket me saktësi, vitit 2010, pra para 5 vjetësh. Ishte një grua rreth të 38-ve, e cila vuante nga dhimbje të mëdha të gjirit, kishte kiste të shumta në gji të shpërndara. Nga ana tjetër, kjo kishte histori familjare, e cila e bënte që të shqetësohej duke dëgjuar që faktorët gjenetikë, historitë familjare janë faktorë risku. Pra jetonte përherë me këtë stres.

Dhimbjen e gjirit e kishte pothuajse permanente. Kishte bërë konsulta gjithandej. Shumë veta i kishin propozuar eksizionin e kisteve, por që në një situatë të tillë heqja e një kisti kur ti ke kiste të tjera të shpërndara nuk është se të zgjidh ndonjë gjë. Në thelb duhet të mendosh që të japësh një mjekim për të minimizuar këto kiste të gjirit, të cilat i krijon vetë organizmi, sesa të heqësh 2-3 kiste kur ti ke një numër të pafund të tyre. Dhe, duke marrë edhe konsensusin e familjarëve të saj, ajo tanimë ishte nënë, nuk kishte më interesa për të lindur fëmijë të tjerë, unë i propozova si intervent atë që më vonë bëri bujë edhe në media, që e bëri më të famshme Jolie-n, mastektominë subkutane, pra duke hequr të gjithë gjirin, duke e ruajtur lëkurën e gjirit, kompleksin papilo areolar dhe duke e rimodeluar gjirin nëpërmjet një proteze permanente silikoni.

Dhe këtu e kam paraqitur. Këto janë disa matje të cilat i bëjmë për të siguruar volumin anatomik të gjirit, pra pasi ta kemi hequr atë, këta janë kufijtë deri ku mund të shkojë kirurgu që do të bëjë të mundur eksizionin e indit mamar nën lëkurë, duke e ruajtur këtë të fundit. Këtu injektohet solucion fiziologjik me adrenalinë për të bërë një spazmë periferike të vazave për të eliminuar humbjen e gjakut, sepse është një operacion i cili shtrihet gati në të gjithë kraharorin. Pra, këtu është hequr tanimë i gjithë volumi i indit mamar, është ruajtur kompleksi papilo areolar, është ruajtur lëkura me shtresat e veta subkutane dhe shtresën dhjamore, i gjithë volumi i gjirit është hequr, dhe ky është momenti kur futet proteza e silikonit.

Nuk është një procedurë kaq e thjeshtë sa ç’duket këtu, sepse duhet rikonturuar volumi anatomik i gjirit, duhet rimodeluar edhe vetë hapësira anatomike që do të zërë proteza atje ku ka qenë gjiri i mbetur që ajo nesër nga pikëpamja estetike dhe kozmetike të jetë po prapë e kënaqur. Këto janë protezat të cilat ne aplikojmë. Ky është momenti menjëherë pas operacionit. Dhe kjo është situata, po themi, 2 apo 3 javë pas operacionit, që pacientja është me të vërtetë e kënaqur. Ajo tanimë nuk ka më ankthin se çfarë do t’i ndodhë në të ardhmen me gjirin e saj për shkak të kisteve të shumta, për shkak të problemeve familjare që ajo kishte. Dhe kështu ajo ka minimizuar dukshëm stresin e saj për jetën e saj në vazhdim.
 
Do të thosha që edhe në aspektin psikologjik ka parë një përmirësim të dukshëm, apo jo?
Absolutisht, madje te kjo grua, ngaqë ishte bërë edhe stres për familjen, edhe vetë familjarët e kishin perceptuar si një gëzim familjar këtë situatë, më tepër jo për konturimin anatomik të volumeve anatomike të kënaqshme nga ana estetike, por për vetë faktin për frikën që ajo kishte për të ardhmen, për pasigurinë që e kishte zënë sepse njerëzit tanimë janë të hapur, lexojnë kudo në internet, që nganjëherë jo të gjitha janë për t’u besuar sepse janë librat ata që duhen besuar gjithnjë, dhe nganjëherë e keqinterpretojnë atë që lexojnë, por që gjithsesi d.m.th. kjo ka hequr potencialisht një risk të madh nga trupi i saj sepse ka hequr të dy gjinjtë në kufijtë onkologjikë të gjerë, duke ruajtur anatominë, duke rifreskuar anatominë e saj dhe duke hequr përfundimisht riskun e saj që ajo mund të kishte në të ardhmen.
 
Këtu shohim një tjetër fenomen, të paktën nga fotot që ju po paraqisni. Sigurisht që kur flasim për sensibilizimin e ruajtjes së shëndetit jo vetëm nga ana e grave, por nga ana e të gjithë shoqërisë, kemi të bëjmë me fenomene që jo gjithmonë lidhen me malinjitetin, por që vështirësohen, por që e bëjnë jetën ndonjëherë edhe të pamundur për gratë.
Jam i bindur që në këto momente, një pjesë e mirë e grave nëse do ta shikojnë këtë emision live, do të ndalojnë së bëri punë dhe do të shikojnë këtë foto sepse një pjesë e mirë e femrave shqiptare, e nënave dhe e motrave tona, vuajnë nga gjigantomastia.

Gjigantomastia është gjiri i madh, është gjiri ku degjenerimi dhjamor e ka arritur volumin e vet, shfaqet më së shumti në periudhën e menopauzës kur struktura gjëndërore e gjirit e humbet volumin e saj dhe gjiri kthehet në një strukturë dhjamore, pra është një degjenerim fiziologjik që ne i themi degjenerimi yndyror i gjirit dhe gjiri e rrit peshën e vet specifike, e rrit volumin e vet anatomik dhe jep dhimbje të mëdha, të cilat rrezatohen në shpatull, të cilat i prishin komoditetin e jetës gruas. Në rastin konkret kjo grua më tha një shprehje shumë të bukur:

“Edhe kur më bie diçka nga dora dhe ulem për ta marrë, e kam të pamundur të çohem se dhimbjet në shpatull i kam shumë të mëdha. Gjumin e kam harruar prej vitesh. Nuk fle dot”. Pra, kjo vuante. Unë i propozova atë që quhet reduksioni mamar bilateral, pra reduktimin e volumit të gjirit sepse s’ke pse ia heq gjirin gruas sepse ajo nuk është se kishte dy gjinj të sëmurë.

Ajo kishte dy gjinj gjigantë, të cilët po e bezdisnin dhe po i prishin të gjithë komoditetin e jetës. Këto janë momente nga kirurgjia, të cilat do t’i kaloj sepse jo të gjithë i kuptojnë. Ky është momenti postkirurgjikal. Është një moment kirurgjie të gjatë, është një kirurgji e cila kryhet me parimet dhe me principet e veta. Këtu janë të dyja volumet anatomike. Për hir të së vërtetës ne i kemi peshuar këto dhe kanë qenë gati 3 kg nga njëri gji dhe 3 kg nga tjetri, pra 6 kg në total, të cilat janë hequr nga trupi i gruas. Dua të tregoj në fund momentin.

Ky është po një rast tjetër i ngjashëm. Këto vizat që janë këtu të pasqyruara, janë si të thuash, vendet ku neve kryem eçizionet tona për të siguruar simetrinë, kozmetikën. Dhe ky është momenti pra i kësaj gruas së fundit. Dhe ajo i është nënshtruar të njëjtit intervent. Efekti kozmetik absolutisht që është i kënaqshëm, por përveç kësaj, d.m.th. një benefit që të siguron kjo teknikë është që këto gra kanë një komoditet jete të paparë sepse vijnë na takojnë dhe na përshëndesin duke na thënë që “më në fund ne po flemë gjumë, më në fund ne jemi kthyer në identitet, nuk na dhemb më trupi, kryejmë punë”. Pra, ky lloj gëzimi i njerëzve kuptohet që neve na kënaq. Të gjitha këto janë, si të thuash, benefite që t’i siguron gjithnjë onkoplastika.
 
Doktor, kisha një pyetje. Ky degjenerim i rritjes jashtë normave të gjirit, rrezikon për sëmundje malinje?
Jo, degjenerimi dhjamor i gjirit është një ecuri fiziologjike. Kështu e ka krijuar Zoti te femrat. Sepse me kalimin e moshës humbet volumi gjëndëror i cili është më i rritur në periudhën e re të jetës së saj, në periudhën kur ajo bëhet nënë dhe pastaj pas moshës 45-50 vjeçe fillon dhe ulet volumi gjëndëror dhe rritet volumi dhjamor.

Kjo është një ecuri fiziologjike, pra humbet densiteti gjëndëror i gjirit, humbet dhe volumi gjëndëror dhe del në plan të parë volumi dhjamor dhe prandaj gjiri nuk është më krenar në moshat e vjetra, por është më i varur, është më ptozik, i themi ne në gjuhën tonë. Ndryshe ndodh me vajzat e reja ku gjiri është më krenar, gjiri është i përpjetë dhe kjo ndodh pikërisht për shkak të volumit gjëndër që ka, sepse gjiri është një organ që s’ka muskuj, por ka strukturë gjëndërore, strukturë dhjamore dhe lidhore.
 
Gjithsesi benefitet shëndetësore janë.
Po pra, por degjenerimi dhjamor nuk është patologji. Është situatë normale. Kjo grua ka risqe si gjithë të tjerat, në qoftë se do të ketë riskun për të pasur kancer të gjirit, por jo se degjenerimi dhjamor çon në kancer gjiri, madje përkundrazi.
 
Doktor, shohim një foto në kompjuterin tuaj. Mund të sqarojmë pak se me çfarë lloj teknike dhe me çfarë problematike kemi të bëjmë në rastin konkret?
Po. Kjo quhet raketekni ose teknika raketë, me emër autori Madlin Lë Zhur, që i detyrohet pikërisht inçizionit përfundimtar, d.m.th. që ka një formë rakete. Kjo është një teknikë që të siguron eksizione të volumeve në kufij të gjerë, është një pamje që e pamë pak më parë por ne e lamë në konsensus që mos ta pasqyrojmë për shkak të anës kirurgjikale dhe kjo lloj teknike, unë po e pasqyroj këtë nëpërmjet mausit që po e rrëshqas në ekran, të siguron që ti të heqësh volume të mëdha, kuadrate të gjera të gjirit, ta rimodelosh gjirin pa i prishur principet onkologjike, të marrësh biopsi po gjatë të njëjtit intervent dhe poshtë thithit dhe gjëndrave të sqetullës dhe në fund fare rezultati kozmetik ja ku është. Ja ku është gjiri i trajtuar pikërisht nga ne dhe ja ku është gjiri i pacientes i anës tjetër, i cili kuptohet që është në evolucionin e vet.

Pra, jo vetëm që ne nuk i prishim principet onkologjike nëpërmjet këtyre teknikave, por gratë nuk duhet të kenë frikë sepse edhe nga ana estetike rezultatet janë tepër të kënaqshme dhe ndoshta edhe më të mira sesa nga gjiri tjetër. Pikërisht këto t’i siguron si benefite onkoplastika, teknika dhe rigoroziteti në pastrimin e tyre. Megjithatë gratë mos të tremben, sepse nuk është se neve vetëm heqim gjinj, por i zvogëlojmë ata, për të ilustruar edhe për humor më shumë, sepse kirurgjia ka edhe pjesët e veta të bukura. Neve bëjmë edhe gjinj të bukur.
 
Rezultati besoj se është ai që ka rëndësi përpos të gjithë problematikës, lodhjes, studimit dhe të gjithë përkushtimit tuaj, apo jo?
Patjetër.
 
Një konkluzion të fundit sepse sigurisht që kur flet për kirurgjinë, kaq sa ne reflektuam mund të jenë momente të kufizuara të punës suaj të përditshme dhe të problematikave që hasen në shoqërinë tonë, por jo vetëm. Çfarë mund t’u themi shikuesve?
Shikuesve doja t’i thosha që kirurgjia, si çdo pjesë tjetër e mjekësisë, ashtu si kimioterapia, ashtu si rrezatimi, ka evoluar evoluon përditë. Mjekësia evoluon përditë. Kjo ishte një pasqyrë e shkurtër e teknikave kirurgjikale që mishërojnë më së forti këtë që sapo thashë. Edhe kirurgjia ka evoluar. Problemi është që gratë, të cilat do të kenë riskun, këtë asnjë njeri nuk e di vetëm kontrollet periodike janë ato që e evidentojnë, por gratë që do të kenë riskun për të pasur këtë lloj sëmundje të keqe, nuk duhet të kenë frikë, por nga ana tjetër, që të përfitojnë këto lloje teknikash dhe këtë lloj kirurgjie kozmetike kaq të bukur, duhet që ta kapin këtë sëmundje shpejt.

Dhe po kthehemi prapë tek emisioni i parë fare, tek ai mesazh që ne dhamë, që nuk duhet të kemi frikë nga kanceri. Por nga kanceri s’duhet të kemi frikë kur ne atë e kapim herët, kur ne shkojmë te mjeku çdo gjashtë muaj edhe pa pasur shqetësime, kur ne shkojmë te mjeku dhe i respektojmë kontrollet periodike, kur bëjmë autokontrollin. Vetëm kështu ne do të kemi sukses mbi kancerin dhe të mos kemi frikë nga kanceri.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë