Intervista/Si të dalim nga
"kurthi" i ëmbël i diabetit
Nisma speciale e Shqiptarja.com

Intervista/Si të dalim nga<br />Nisma speciale e Shqiptarja.com">
Në Ditën Botërore të Shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë vendos t'i dedikohet luftës së diabetit. Shqiptarja.com e cila vë në qendër të vëmendjes çështjet e interesit të gjerë, vjen sot me një intervistë të gjatë me mjekun e njohur diabetolog dhe endokrinolog Isuf Kalo. Për këtë arsye Shqiptarja.com i dedikon kopertinën e gazetës sensibilizimit për diabetin, ashtu siç bëri në Ditën Botërore të Sindromës Down dhe Autizmit.

isuf kalo
 
 
****
Përshëndetje, miqtë e mi! Sot po takohemi për të bërë një intervistë vërtet shumë të veçantë, por edhe të rëndësishme. Sot është Dita Botërore e Shëndetit dhe, e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjithçka është fokusuar në patologjinë e diabetit. Gjendemi në klinikën ku punon prof. Isuf Kalo, për të na thënë më tepër dhe për të na informuar më shumë rreth kësaj patologjie.
 
Përshëndetje, profesor! Faleminderit që po na prisni në studion tuaj.
 
Faleminderit juve, që po merreni me një çështje apo një temë që është në zemrën time, të cilës unë i kam përkushtuar jetën që në moshën 22-vjeçare. Është vërtet një kënaqësi që edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po e vë herë pas here theksin, themi herë pas here sepse nuk është hera e parë. Madje edhe Asambleja e Kombeve të Bashkuara ka bërë një rezolutë për diabetin. Ka bërë një përjashtim sepse asnjëherë Asambleja e Kombeve të Bashkuara nuk është marrë me një sëmundje. Por, në fakt, nuk kemi të bëjmë me një sëmundje. Kemi të bëjmë me një epidemi. Kjo është një epidemi më e pabesë sepse është e heshtur.
 
Ne në fakt, prandaj kemi ardhur këtu, që të zhvillojmë një intervistë dhe për të qenë më të qartë edhe ndaj shikuesve, meqenëse ju jeni një nga personalitetet më të kompletuar për sa i përket informacionit që keni në fushën e diabetit, në Shqipëri.
Dua ta përsëris edhe një herë atë që thashë pak më parë që, pikërisht OBSH-ja, është fokusuar me sloganin “Ha shëndetshëm, lufto diabetin”. Nuk e di se sa e saktë jam. Dua ta nis me një pyetje të drejtpërdrejtë: Konkretisht, cilat janë ato problematika në ushqimin tonë, që na çojmë të jemi një shoqëri me diabet gjithmonë në rritje.
 
Ideja se përse OBSH-ja ka thënë: “Ha shëndetshëm”, është sepse ky është një element thelbësor në gjenezën dhe në mënyrën se si lind dhe se si zhvillohet diabeti. Por nuk është i vetmi. OBSH-ja ka parasysh stilin e jetës sepse duhet të dimë se ç’është diabeti. Njerëzit e kuptojnë thjesht si nivel të sheqerit në gjak dhe sheqeri në gjak, po të jetë në mënyrë të vazhdueshme, për vite dhe për dekada në gjak, dëmton në radhë të parë, të gjithë rrjetin vaskular, rrjetin e arterieve, si të arterieve të mëdha dhe veçanërisht kapilarët e vegjël, kudo. Në njëfarë mënyre, unë përdor termin “i sheqeros”. Diabeti sot është një problem madhor, jo për shifrat, por për dëmet e tij, dëme të cilat kanë të bëjnë me vdekshmërinë shumë të lartë. Janë rreth 1,5 milionë njerëz që vdesin në vit prej diabetit. Kjo sëmundje krijon komplikime, krijon invaliditet, krijon sëmundshmëri. Njerëzit verbohen, u dëmtohen veshkat, arrijnë në dializë dhe në transplantim të veshkave, arrijnë në sëmundje të rënda kardiovaskulare, infarkt të miokardit, hemorragji cerebelare, tromboza, mund t’u pritet një gisht apo një këmbë si pasojë e gangrenës që zhvillohet. Nënave shtatzëna, kur janë me diabet, mund t’u vdesë fëmija në bark, ose lindin para kohe, ose lindin me keqformime. Pra, është një sëmundje e frikshme në kuptimin pikërisht sepse është e heshtur.
 
Ju e shpjeguat shumë mirë mekanizmat se si funksionon diabeti, se çfarë prek dhe se çfarë pasojash sjell, sigurisht me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë shikuesit. Përqendrohemi pak te ne, shqiptarët, te realiteti ynë. Si ushqehen shqiptarët sot dhe cilat janë ato problematika në ushqimin tonë, të cilat na çojnë drejt rritjes së të prekurve nga diabeti.

kopertina

 
Ka qenë një kohë, kur ne raportonim në forumet ndërkombëtare se sa të prekur me diabet kishim në Shqipëri, nuk na besonin që kishim një numër aq të vogël. Ata besonin që neve nuk u bënim analizat njerëzve. Në fakt, unë e dija që kjo s’ishte e vërtetë sepse, përkundrazi, në atë kohë ishte një rregull, që çdo njeriu që shtrohej në spital, për çfarëdo arsye, i bëhej analiza e urinës komplet, analiza e gjakut komplet dhe analiza e glicemisë. Por, përse kishim pak të prekur me diabet? Sepse, e para, kishim një popullatë të re, mbi 50% e popullatës ishte e moshës nën 15 vjeç dhe te fëmijët ka shumë pak diabet, një lloj diabeti që është më i rrallë.
 
Do ta shpjegojmë pak më vonë këtë.
 
E dyta, ne kishim më pak të prekur sepse 70% e njerëzve jetonin në fshat dhe në fshat ata merreshin me punë fizike. E treta, sepse kudo në Shqipëri hahej bukë e zezë dhe në fshatra hahej bukë misri. Kështu që nuk kishte yndyrë. Sepse në fshat nuk kishte dyqane mishi, por therej ndonjë pulë. Po t’i referohem një libri që kam botuar në vitin 1983 për diabetin, kam shkruar meny pa mish, jo se në atë kohë nuk preferohej mishi, por sepse nuk kishte mish. Dhe kam shkruar që mishi të zëvendësohej me djathë, me vezë. Edhe në qytet njerëzit ecnin me këmbë ose me biçikleta, nuk kishin vetura. Shumica nuk kishin televizor, nuk kishin iPhone dhe bënin një jetë fizike aktive. Pallatet nuk kishin ashensorë. Njerëzit merrnin kalori nga buka, por merrnin kalori nga ato të mirat. Ai lloj ushqimi nuk krijonte as arteriosklerozë as diabet. Edhe obeziteti është një nga arsyet e shtimit të rasteve me diabet.
 
Po sot, si ushqehen shqiptarët, po të bëjmë një krahasim me kohën e shkuar?
 
Dikush, atëherë besonte se diabeti ishte sëmundje e të pasurve. Sot nuk besohet më kjo. Diabeti sot është sëmundje e të varfërve. Është më shumë në të ashtuquajturën “bota e tretë”, të pazhvilluar, të cilët erdhën në një shoqëri të quajtur “bumi i koka-kolës”. Koka-kola, pijet e buta me sheqer, u fut ushqimi në shkolla, pra ndryshoi profili ushqimor sepse ka një agresion alimentar, do të thosha unë, në një popullatë që ka qenë e dëshiruar për shkak të mungesës (kemi legjenda për koka-kolën, që dukej sikur ishte ndonjë pije e rrallë, banania quhej diçka tepër ekzotike). Kështu, erdhi një bum ushqimor, tregu ka çdo gjë, por edhe tundimi për ushqim ekziston. Nga ana tjetër, erdhën pijet alkoolike, të cilat mbushën tregun. Njeriu, nga natyra, ka dobësinë që dëshiron t’i provojë të gjitha.

Pra, ne ndryshuam profilin e ushqimit. S’kemi më bukë të zezë, por kemi qindra variante bukësh të bardha, si panine etj. E thashë që fshatari hante fasule e bulmet, ndërsa tani fshatari erdhi në qytet. Kudo lëvizet me makina. Pra, janë disa faktorë që, në mënyrë të pashmangshme, e rrisin përqindjen e të sëmurëve me diabet, siç ndodhi, që nga 25-30 mijë që ishin kur unë isha në vitin 1990 në OBSH, sot kemi mbi 70 mijë të diagnostikuar. Faktor, në radhë të parë është ana ushqimore, pra rritja e kalorive. Ushqimet ndahen në disa kategori: ushqimet që përmbajnë sheqerna (buka, orizi, makaronat etj.), ushqimet që përmbajnë  yndyrë, të çfarëdolloj natyre, qoftë edhe vaji i ullirit që në çdo gram ka 9 kalori, pijet alkoolike: në çdo gram alkool ka 7 kalori, 1 gram karbohidrate ka 4 kalori, 1 gram proteina ka 4 kalori, por yndyrat dhe alkooli i shtojnë shumë kaloritë.

Pra, njerëzit sot marrin më shumë kalori se më parë, dhe faktori i dytë, për fat të keq, djegin më pak kalori se më parë. Ç’është dhjami tek obezët? S’është gjë tjetër veçse ushqim rezervë, të cilin organizmi në mënyrë natyrale e ruan për t’u mbrojtur nga situata kur, ndoshta, trupi nuk do të kishte ushqim. Pra, për fat të keq, çështja e ushqimit, e nevojave për ushqim, nuk është e vetërregulluar siç është e vetërregulluar frymëmarrja. Ne nuk marrim më shumë ajër nga ç’na duhet. Ndërsa ushqim ne mund të hamë edhe kur nuk na hahet, për shumë arsye të tjera. Këtu ndikojnë shumë faktorë, si kulturorë, psikologjikë e të tjerë me radhë. Pra, ushqimi ambulant, veçanërisht ai në shkolla, i cili e ka shtuar obezitetin te fëmijët dhe, e dyta, ulja e ndjeshme e aktivitetit fizik në saje të komfortit që u shtua. Këta dy faktorë e gjetën të papërgatitur shëndetësinë për t’i informuar njerëzit për dëmin që shkaktojnë.

Faktor tjetër është urbanizimi i shpejtë i vendit sepse ndodhën ndryshime. Të vish nga fshati në qytet, në një apartament me ashensor, është tjetër mënyrë jetese, fillon barku të rritet. Faktor tjetër është stresi. Por ulja e aktivitetit fizik është jashtëzakonisht dramatike sepse u bënë të gjithë njerëzit me makina. Fëmijët e vegjël nuk luajnë sepse u zunë ambientet. Nuk kanë më vend ku të luajnë, as për biçikleta. Urbanizimi nuk u shoqërua me politika për nxitjen e aktivitetit fizik e shëndetësor. U ndërtuan pallate në oborret ku luanin fëmijët. U rikonstruktuan rrugët por nuk u lanë pjesë për këmbësorët e për biçikletat. Ne kemi një bum në media. Dalin reklamat e ushqimeve që gjenden në treg, dalin fëmijë buçko duke ngrënë sallame e ëmbëlsira, pra ne nuk bëmë analizimin e ushqimeve, për të treguar kaloritë e tyre. Një faktor tjetër është rritja e moshës së popullatës.

Zgjatja e jetëgjatësisë mesatare është një fitore e madhe sociale nga ana humanitare, por është një barrë e dyfishtë për shëndetësinë sepse personat e moshuar janë ata që mbushin spitalet dhe që kërkojnë më shumë medikamente, duke pasur shumë sëmundje bashkë. Diabeti në radhë të parë është sëmundje e moshës së tretë. Pas moshës 60 vjeç niveli i sheqerit rritet në mënyrë fiziologjike dhe tani numri i 60-vjeçarëve është dyfishuar, së shpejti do të shkojë 15% e popullsisë, ndërsa në vendet Perëndimore është 25%. Pra, ne mburremi që është rritur jetëgjatësia, por sa të përgatitur jemi që ta përballojmë këtë?
 
Po për sa i përket informacionit, sa të përgatitur vijnë sot pacientët te mjeku?
 
Diabeti nuk është një sëmundje akute, është një sëmundje kronike. Sëmundje kronike quajmë ato sëmundje që nuk shërohen, por që vazhdojnë përgjatë gjithë jetës. Në Fakultetin e Mjekësisë studentët formohen për t’u marrë me sëmundjet akute, me sëmundjet që shërohen. Lavdia e mjekut është kur shëron, duart e arta të kirurgut janë kur shpëton jetë, kurse te sëmundjet kronike nuk ka heronj. Sëmundja kronike është si një muzikë e mërzitshme, e vazhdueshme, ku të dyja palët (mjekë-pacientë) e dinë rezultatin. Ne e dimë rezultatin, ndërsa të sëmurët s’e pranojnë atë, sepse gjithmonë duan një zgjidhje akute. Ata mendojnë që është e pamundur të mos ketë një zgjidhje. Dhe kjo i bën që të shkojnë në vende të shenjta, ku ndezin ca qirinj e lënë ca lekë për t’u shëruar, ose merren me mjekime popullore.
 
Pra, nuk kanë informacionin e duhur, me sa po kuptoj unë.
 
Mjekësia jonë, në përgjithësi, ende s’është konceptuar që të ushtrojë veprimtarinë e saj sidomos në sëmundjet kronike, të cilat përbëjnë 80% të barrës së përditshme të punës, por edhe të barrës financiare e të vdekshmërisë. Pra, mjekësia mburret me aktet që bën për sëmundjet akute dhe ka neglizhuar pikërisht këtë 80%. Ne duhet të rikonceptojmë sistemin shëndetësor në kuptimin që duhet të ndërhyjmë qysh në fazat e hershme për ta edukuar pacientin me kulturën shëndetësore.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë