Intervista/ Ylljet Aliçkaj: Kur vdiq
Enveri sigurimi “maste” qarjet

Intervista/ Ylljet Aliçkaj: Kur vdiq<br />Enveri sigurimi “maste” qarjet
Periudhën e erret  të historisë shqiptare Aliçka e përshkruan nga perspektiva e njerëzve të thjeshtë. Në tregimet e tij veprojnë gra fshatare, të burgosur politikë, roja primitive në burg, mësues fshati, studentë ose funksionarë çehoviane. Ngjarjet e tyre të pabesueshme janë shpesh për të qeshur ose për të qarë dhe këto histori tragjikomike krijojnë një mozaikë të pasur të realitetit shqiptar para një kohe jo të gjatë. Duke marrë parasysh përvojat çeke me regjimin komunist dhe me kohën e tranzicionit, tregimet e Aliçkës u ofrojnë lexuesve çekë një krahasim të pakrahasueshëm...
                                          
 Gjatë luftës së ftohtë Shqipëria kishte imazhin e diktaturës më të egër në Evropë. Në listën e librave të ndaluar ishte Bibla, Kurani, veprat e Kafkës, Kunderës...... “Atë, çfarë shqiptarët përjetuan, ndoshta nuk ka krahasim me modelin tuaj,” thotë në intervistën për IDNES shkrimtari shqiptar Ylljet Aliçka.
Një nga romanet Tuaja gati përfunduat në një proces me ndërkombëtarët. Si u krijua kjo çështje?
Bëhet fjalë për një roman timin “Rrëfenje me ndërkombëtarë” në vitin 2007, subjekti i të cilit ishin marrëdhëniet dhe kontaktet e shqiptarëve me  botën e jashtme pas shumë vitesh izolimi. Sipas mendimit tim, shqiptarët janë një popull shumë mikpritës, deri në atë masë se kjo ndoshta kufizon me naivitet.

Pas hapjes së Shqipërisë me botën në vitet 90, krahas ndihmës ndërkombëtare për rimëkëmbjen e vendit,  një pjesë e të huajve, njerëz normal në jetën e tyre në vendet e tyre, me të ardhur në Shqipëri me misione diplomatike apo asistence për vendin,  adoptonin sjellje të reja gati nënvleftësuese gati në diskriminim, falë kjo e mikpritjes së tepruar të shqiptarëve apo dhe viktimë e klisheve  negative ndaj vendit. Pata momente jo të lehta ato kohë, gati u ndjeva fajtor për shkak se kisha dëmtuar procesin integrues të vendit. Për të pati reagime negative ashtu dhe pozitive, por  krahas telasheve, më solli dhe shumë lexues.
Si keni filluar me shkrimin e letërsisë?
Si çdo i ri i asaj kohe kisha pasion leximin. Mbarova studimet për biologji, por dhe këtë zgjedhje e bëra  nën ndikimin e letërsisë. Në fillim dëshiroja të studioja mjekësi, si Çehovi, por nuk kisha profilin e përshtatshëm politik, prandaj fillova biologjinë,  frymëzuar nga një personazh i Turgenievit,  Bazarovi, në romanin “Etër e bij”. Biologji studioi (por nuk e mbaroi) edhe diktatori Enver Hoxha (buzëqeshje). Pas studimeve fillova të punoja në zona malore të  rrethit të Matit. Atje gjeta shumë temë që më vonë i shfrytëzova në tregimet e mia. Por fillimi i shkrimi tim lidhet më shumë me një rastësi. Disa miq më propozuan që të shkruaj ato tregime, që u rrëfeja me gojë. Më vonë mësova të shkruaja edhe skenarët e filmave (buzëqeshje).

Mendoj se letërsia nuk lulëzonte në kohën e diktaturës së egër, apo jo?
Natyrisht, shumica dërmuese e veprave letrare nga vendet perëndimore ishte,  ndoshta si dhe tek ju, në indeksin  e ndaluar dhe leximi i tyre dënohej.  Pas rënies së komunizmit më është bërë e njohur  një listë autorësh të ndaluar perëndimorë, të renditur sipas një hierarkie të caktuar në varësi të së cilës përcaktohej një dënim i caktuar. Në vendin e parë ishte Bibla, pas saj paradoksalisht majtisti  Jean-Paul Sartre. Në këtë listë zinin vend të merituar dhe shkrimtarë çek, Kafka ose Kundera.

Është interesante se Bibla ishte në vendin e parë. Në Shqipëri është i pranishëm edhe islami. Ishte në atë listë gjithashtu Kurani?
Po, edhe Kurani ishte i ndaluar, por kam përshtypjen më pak i rrezikshëm se Bibla. Kjo u ndikua nga fakti, se regjimi konsideronte të krishterët, sidomos katolikët, si kundërshtarët më të rrezikshëm, sepse ata kishin lidhje me botën perëndimore.

Si e keni Ju dhe familja Juaj me besimin?
Siç ndofta e dini, Shqipëria u shpall nga regjimi komunist si vendi i parë ateist në botë dhe unë mund të them se jam rritur në mjedis dhe realitet ateist. Paraardhësit e mi i kanë takuar besimit bektashian. Bëhet fjalë për një degë shiite të islamit, besimtarët e së cilës dallohen nga sunitët që dominojnë në Ballkan nga epoka e perandorisë otomane. Bektashianët ruajnë disa zakone paraislamike dhe karakterizohen nga një tolerancë të madhe ndaj feve të tjera dhe me disa tipare të përbashkëta me krishterimin. Gjithsesi përkatësia fetare në Shqipëri nuk  përbën boshtin kryesor identitar të shqiptarëve.

Pas leximit të tregimeve Tuaja kam përshtypje se rrëfimin në disa prej tyre e keni tepruar pak, p.sh. në atë tregim ku përshkruhet vdekja e Enver Hoxhës në vitin 1985 dhe ku Ju shkruani për “matjen” e qarjes së njerëzve...
Kur bëhet fjalë për këtë tregim, nuk e kam tepruar aspak. Pas rënies së komunizmit u gjetën dokumentet, në të cilat bashkëpunëtorët e Sigurimit përshkruanin “me metoda shkencore”, sa shumë lotë njerëzit derdhën dhe me ç’ mënyrë njerëzit qanin. Bie fjala, në një rast tipik absurd një grua e ndërmarrjes sonë, e cila rezultonte të kishte qarë shumë ato ditë,  raportuesi i Sigurimit  kish relatuar se e merrte me shumë rezervë këtë të qarë, pasi kish zbuluar se gruaja në fjalë kish humbur par disa javësh të birin dhe s’reshte së qari për këtë humbje “duke bërë sikur qante për vdekjen e Enver Hoxhës, por do shihet e qara e saj në vazhdimësi”, thuhej në raport.

Në Pragë keni folur për frymëzimin Tuaj për një nga tregimet, në të cilin rrëfeni për një çift të lodhur pleqsh që pushon mbi trotuar. Burri ndihet në siklet kur gruaja e tij vë kokën mbi këmbët e tij, por në momentin kur ai mendon se askush nuk i shikon, ia lejon dhe fillon t’i përkëdhelë flokët. Nga rrëfimi Juaj kisha përshtypje se sjellja e burrit, ky zakon i rëndë burrëror dhe mund të them se jeni konservator në vlerat tradicionale, si personazhi juaj  që heziton të shpalosë ndjenjat e tij.
Jo nuk e ndjej veten tradicional apo konservator, më tepër duhet të fajësohem për liberal. Bie fjala gjyshja më akuzonte se nuk i ngjaja fare paraardhësve të familjes sime, të njohur si familje trimash me kontribut patriotik.
Në lidhje me tregimin në fjalë, është e vërtetë më pëlqejnë historitë e thjeshta rutinë. 

Në dhjetë vite të fundit vizitova tri herë Shqipërinë dhe nuk mund t’i shmangem përshtypjes se dhe në Shqipëri rritet roli i fesë. P.sh. po ndërtohen një numër i konsiderueshëm xhamish...
Me sa di një pjesë e tyre u ndërtua nga fonde nga jashtë, kryesisht në vitet e para të demokracisë. I njëjti fenomen ndodh dhe me objekte të tjera  fetare, si kisha ortodokse dhe ato katolike.
Shqipëria është vend dinamik, me ulje ngritjet e saja, por them se kjo është rruga e natyrshme e zhvillimit të një vendi dalë nga një periudhë e gjatë diktatoriale, një vend  që përpiqet të gjejë vlerat dhe rrugën e tij drejt integrimit europian.
Ndryshim të ndjeshëm ka infrastruktura : rrugë të reja,  turizmi... Siç mund të jeni në dijeni vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i turistëve të huaj nga Gjermania, Çekia, Polonia, Italia...

Fatkeqësisht sivjet u vranë dy turistët çekë.
Po, kjo ishte një “njollë” që na shokoi dhe fatmirësisht nuk u ekzagjerua dramatizimi i ngjarjes nga opinioni çek, më shumë se nga pesha reale e vetë ngjarjes. Besoj se ngjarjet më vonë – demonstrata solidariteti – i bindën bashkëqytetarët tuaj çekë për reagimin  e opinionit të gjerë shqiptar. Për pasojë vrasësi u kap shumë shpejt  dhe u vërtetua se  ishte një kriminel i  sapo dalë nga burgu. Kjo ngjarje mund të ndodhë  jo vetëm në Shqipëri. Nga ana tjetër është e vërtetë se që nga koha e krizës me fonde piramidale në vitin 1997, kur u vodhën depot ushtarake – ka shumë armë në duar jo të duhura.

E njihni kulturën letërsinë çeke ?
Personalisht kam qenë i ndjeshëm dhe kam ndjekur me vëmendje “Pranverën e Pragës” dhe  pushtimin sovjetik të Cekosllovakisë. Për këtë shkak u motivova mjaft nga leximi në italisht i një brezi poetësh çekë gati disidentë. Më vjen ndërmend Vietszlav Neval..

Keni punuar disa vite si diplomat, ishit ambasador në Francë. Tani për dy vite jetoni dhe punoni në një universitet në Tiranë. Si duket jeta tani në Shqipëri?
Personalisht jetoj normalisht dhe më besoni se, në pikëpamje financiare, nuk jam nga shtresat e larta e shoqërisë. Jemi një vend normal, europian, me vlerat dhe të metat tona, por fatkeqësisht jeta normale me vlerat e saj nuk përbën lajm për opinionin ndërkombëtar e kryesisht atij mediatik.  Personalisht nuk ndiej asnjë nevojë që të iki nga Shqipëria. Prandaj më habit shumë fakti se në kuadrin e krizës aktuale rreth refugjateve kishte mjaft shqiptarë që kanë ikur nga vendi. Kjo në një kohë kur p.sh. në Shqipëri kanë ardhur rreth 20 mijë italianë për të punuar.

Shqipëria është vendi i kontrasteve, por natyrisht nuk mund të them se nuk ka varfëri, kryesisht kjo në zona të thella. Vala e re emigrimit gati më duket si një psikozë. Dikush del për të kërkuar një jetë më të mirë dhe të tjerët në fshatin e tij thonë: Kur e bëri ai, mund ta bëj edhe unë. Shpresoj se së shpejti do të kuptojnë se jeta mund dhe duhet të ndërtohet në vendin tënd.

 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin