Intervista/ Myzafer Korkuti: Ja ku gabon Fuga, projektligji për Akademinë është 'qëndisur'

Intervista/ Myzafer Korkuti: Ja ku gabon Fuga, projektligji për Akademinë është 'qëndisur'

Akademiku Myzafer Korkuti

Që nga prilli i 2014-s, me vendimin e kryeministrit Edi Rama, në një kohë debatesh mes akademikëve, ka nisur puna për reformimin e Akademisë së Shkencave. Pas shkëputjes së instituteve prej Akademisë, ky institucion po shkonte drejt degradimit. Procedurat vijuan në mënyrë të tillë, ku në harkun kohor të dy viteve të fundit u ngritën komisione pas komisionesh, duke përfunduar me një komision qeveritar të drejtuar nga Skënder Gjinushi për drejtimin e punës në hartimin e këtij projektligji, që u bë në bashkëpunim me Asamblenë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Puna nisi sërish me debate dhe jo pak herë me tone të ashpra, të cilat në shtatorin e 2017-s morën një ngarkesë më të madhe pas një “ultimatumi” të kryeministrit Rama, që deklaroi se do të ndërpriste fondet, nëse Akademia e Shkencave nuk niste procesin e reformimit. Procesi reformues nisi me debate, negociata qeveritare, kritika për punën dhe statusin e akademikëve, por edhe për mënyrën e drejtimit të institucionit e më gjerë. Nuk munguan mbledhjet e herëpashershme të Asamblesë së këtij institucioni, ku një vit më parë, kryetari Gudar Beqiraj dhe nënkryetari Myzafer Kokuti,  që prej më shumë se 10 vitesh ka qenë drejtues në Akademinë e Shkencave, dhanë dorëheqjen. 

Ndërsa drejtuesi i grupit të punës për hartimin e projektligjit, Skënder Gjinushi deklaroi se projektligji reformues i Akademisë së Shkencave “pritet të miratohet së shpejti”, kritikat e akademikut Artan Fuga për procesin reformues dhe proceduarat që janë ndjekur në hartimin e këtij projektligji nuk janë ndalur. ..

Më parë Fuga ka replikuar për thelbin e organizimit të procesit të hartimit të projektligjit, që kaloi nga një komision had hoc të ngritur në Akademinë e Shkencave, ku ishte i përzgjedhur dhe vet ai, dhe përfundoi me një komision qeveritar të drejtuar nga Skënder Gjinushi. Që kur akademiku Gjinushi, nisi drejtimin e  komisionit të hartimit të projektligjit, Fuga ka pasur replika të ashpra me të, ndërsa Gjinushi është shprehur ndërkohë se “platforma e Fugës s’pati asgjë pozitive”.  Pas kësaj, Fuga në replikën më të fundit që erdhi pas mbledhjes së 10 janarit, ku u ngrit e dhe komisioni për zgjedhjet e ardhshme të Akademisë , replikoi me tone të ashpra, duke u shprehur konkretisht: “Çmendet” Akademia e Shkencave e Skënder Gjinushit.

Cakton komision zgjedhjesh pa caktuar datë zgjedhjesh!!!”. Zëri i akademikut Artan Fuga, po shfaqet deri tani si i vetmi zë kundërshtues ndër anëtarët e Asamblesë së Akademisë, ku një pjesë shprehen pozitivisht për procedurat e hartimit të ligjit të ri dhe një pjesë refuzojnë të flasin (kjo heshtje mbetet enigmatike). Ndërkohë, akademiku Myzafer Korkuti, që mbahet mend për dorëheqjen e tij të dy vjetëve më parë, duke u shprehur se ishte i gatshëm t’i hapte rrugë reformës, nuk i jep të drejtë akademikut Artan Fuga. 
“Projektligji është qëndisur shprehet Korkuti në një intervistë për Shqiptarja.com, duke rrëfyer detajet e gjithë procesit të punës me projektligjin e ri, që sipas Korkutit ka mbështetjen e të gjithë akademikëve.

Në intervistën për “Shqiptarja.com” Korkuti replikon për disa nga pikat kryesore të debatit që shpalos akademiku Artan Fuga, ku ndër të tjera, Fuga kritikon: vlerat e anëtarit të Akademisë: “Anëtari i Asamblesë edhe akademiku në këtë periudhë kanë një krijimtari kërkimore shkencore origjinale shumë të dobët.”, thotë ai; kritikon mënyrën e drejtimit: “Ka një asamble Akademia e Shkencave, nga një asamble që është marrë peng edhe sot po të shikosh nga 30 anëtarë, që duhet të ketë të rregullt asambleja, ka 28.”, thotë Fuga; kritikon mungesën e mendimit demokratik brenda Asamblesë: “trimat e Akademisë të Shkencave nuk guxuan ta sfidojnë qeverinë, kryeministrin Rama, Presidentin Meta, komisionin parlamentar, etj, as ministren e arsimit zonjën Besa Shahini, sado që u gufmuan për ditë të tëra!; kritikon direkt Skënder Gjinushin  kryetarin  e grupit të punës për hartimin e projektligjit: Po ku e dinë këta që ligji në Kuvendin e Shqipërisë do të miratohet sipas projektligjit që ka përpiluar sipas qejfit të vet, në mënyrë autoritare dhe amatoreske, grupi i Skënder Gjinushit?" - thotë Fuga. 

Këtyre kritikave akademiku Muzafer Korkuti që shprehet më tej “se kam dhënë i pari dorëheqjen për t’i hapur rrugën reformës” iu përgjigjet sipas një  këndvështrimi tjetër. Në intervistën e tij për “Shqiptarja.com”  akademiku Myzafer Korkuti rrëfen, jo vetëm propozimet që ka bërë për projektligjin e ri, tashmë të përfshira në këtë draft, por edhe për propozimin që ka bërë në mbledhjen e Asamblesë më 10 janar, ku ka kërkuar të Shpallet  Viti i Ismail Qemalit me rastin 100- vjetori i vdekjes, për të ndrequr gabimet dhe turpin me Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë të ngritur nga qeveria Berisha, që sipas tij “nuk ka asnjë vlerë”.  

Intervista 

Profesor Korkuti, platforma për projektligjin e ri është në pritje të aprovimit nga qeveria. Ndërkohë vijojnë ende replikat  nga akademiku Artan Fuga  dhe këtë herë edhe më të ashpra. Ju vet jeni optimist për projektligjin e ri?
-Ajo është një platformë e bërë mbi një përvojë shumë  të gjatë dhe me miratimin e të gjithëve. Në qoftë se Fuga e konsideron si një disekulibër dhe mendimi i tij është në kundërshtim me të gjithë anëtarët e Akademisë, as ia vlen të diskutohet fare kjo lloj replike.  Projektligji është “i qëndisur”, sepse në platformat e akademive kanë një shtyllë nga të gjithë akademitë, siç e ka Maqedonia, siç e ka Mali i Zi, siç e ka Franca. Çështja është vetëm raporti me institucionet e tjera. Këto janë ca gjëra që i ka zgjidhur bota që në kohët antike. Që kur iu vu emri Akademisë, nuk ka ndryshuar më përmbajtja e Akademisë. Atje mund të diskutohen kriteret e cilësisë; a mund të futen akademikë, të cilët e meritojnë më shumë a më pak, a nga cilat fusha, por struktura e akademisë është e përkryer. Nuk ka vend atje për të diskutuar. Edhe mënyra sesi u formulua varianti i fundit për punën e instituteve (me institute, pa institute), në kushtet tona në variantin e ri të projektit, në atë që ka miratuar Asambleja është lënë e hapur të krijohen seksione për problemet e ndryshme që ka shkenca tek ne. Dhe ato nëpërmjet këtyre seksioneve nëse ato nesër pasnesër kanë të ardhme mund të fuqizohen si institute.

Ju sapo prekët një temë interesante, atë të ndarjes së instituteve, ku ka pasur mjaft debate, por edhe fusha që përfaqësoni ju, arkeologjia do të jetë e ndarë nga Akademia e Shkencave. Si do të pozicionohet ky institucion në marrëdhënie me  institutet apo qendrat kërkimore? 
-Akademia do të kombinojë punën në bashkërendimin e projekteve. Siç është në Kosovë. Në Kosovë është Instituti i Albanologjisë, Instituti i Historisë . Pra janë, ekzistojnë këto edhe të veçuara në kuptimin administrativ, por dhe të bashkuara. S’ka ndonjë gjë këtu, që ndryshon me Maqedoninë, apo me Kosovën, apo me tërë botën. 

Profesor, jemi kuriozë të dimë se çfarë keni propozuar ju vetë për projektligjin që do të reformojë Akademinë e Shkencave?
-Unë përveç që kam mbështetur mendimin e akademikëve të tjerë që platforma reformuese e Akademisë shihet tek veprat që boton kjo akademi, dhe çfarë pune bën, kam pasur propozimin tim në lidhje me marrëdhëniet e Akademisë me Institutet, që të kenë bërthamat e tyre mbështetëse në Akademi për të mbështetur kërkimin shkencor pavarësisht se ato do të veprojnë të pavarura. Por me interes më aktual do të doja t’i referohesha propozimit tim që bëra në mbledhjen e Asamblesë. Unë thashë një gjë: Viti që vjen është 100-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit. Është një nga figurat më të ndritura të kombit. Hajde të merremi me këtë figurë. Dhe kemi caktuar që në fillim të javës, seksioni ynë i Shkencave Albanologjike do të ndërmarrë objektiva, se çfarë do të bëjmë vet ne në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet të tjera të Shqipërisë rreth kësaj veprimtarie, për lartësuar dhe për të korrigjuar disa gjëra. Për t’i dhënë meritat e duhura kësaj figure, edhe për të korrigjuar. Ju e dini se në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, unë kam bërë replika, që edhe ju gazetarët i keni publikuar dhe kam bërë intervistat se pse u hoq shtatorja e Ismail Qemalit nga Muzeu Historik Kombëtar dhe u vu në një cep të Bulevardit. Ajo shtatore çelte Pavijonin e Pavarësisë dhe ishte përfaqësuese në këtë pavijon në gjithë kuptimin e shpalljes së kësaj pavarësie. Prandaj ajo shtatore, e kishte dhe e ka vendin atje në muze. Pas shtatë vjetëve duhet ta korrigjojmë këtë, të bëjmë një monument madhështor të Ismail Qemalit dhe ta vendosim në shesh.  

Viti 2019 duhet të shpallet Viti i Ismail Qemalit, siç u shpall vjet edhe 550-vjetori i Skënderbeut dhe pati prurje në rivlerësimin e kësaj figure. Është me rëndësi rivlerësimi i kësaj figure. Unë vlerësoj edhe qëndrimin e Ramës, që kur bëri qeverinë, ai bërë një veprim të mençur që dha vendimin që në institucionet shtetërore të vihej themeluesi i shtetit të parë shqiptar, dhe çdo institucion ka portretin e Ismail Qemalit. Nuk janë akademikë ata që shkruajnë se Ismail Qemali e kishte gruan greke, e shumë të tjera. Ndërsa edhe akademiku ynë Fuga shkruan se Ismail Qemali nuk vlerësohet për faktin që shpalli pavarësinë, por për faktin që dha dorëheqjen. Nuk është dinjitoze një deklaratë e tillë nga koka e një akademiku.

Ai duhet ta studiojë e të bëjë një botim rreth kësaj figure, siç botojmë ne të tjerët. Fuga nga kjo Akademi merr një rrogë të tërë. Dhe unë e kam thënë dhe them sërish se ai do të përgjigjet juridikisht për këtë rrogë. Fuga ka dhjetë vjet që nuk ka bërë një kërkim, një artikull shkencor që të botohet. Ai merret vetëm me kritika. Nuk ka në botë një akademik që vetëm, kritikon. Unë e kam thënë edhe para katër vjetësh këtë, që paguhet me rrogë dhe çfarë shpërblimi merr nga Akademia dhe çfarë ka botuar për Akademinë, dhe drafti i ri këtë të mirë ka, ku secili do të përgjigjet pse paguhet dhe çfarë ka bërë për Akademinë. Edhe un do të përgjigjem, me projektligjin e ri të gjithë do të përgjigjemi, ashtu siç është edhe vetingu për pastërtinë e figurës. Duhet veting për të gjithë. Veting për të ardhurat e tyre. Duhet të përgjigjesh . Atëherë ai të përgjigjet me një pyetje: Çfarë ka bërë për Akademinë në planin shkencor. Për këtë ai duhet të përgjigjet. 

Në 2012-në ju keni kritikuar i pari Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kritikë që u përkrah nga akademikë, historianë dhe artistë. Ç’mendim keni tani për vlerën e këtij monumenti?
-Ai nuk ka vlerë, kur askush nuk ia hedh sytë e nuk shkon ta vizitojë. Unë që në 2012-n kam folur i revoltuar edhe kundër Berishës, sepse ai monument ishte turpi, jo nderimi i pavarësisë. Monumenti që ngrihet ka lidhje me historinë, me qytetin, me vlerat artistike, cilat kritere u ndoqën, ja ju e shikoni, vete njeri tek ai moment, merret vesh se ç’është. Çfarë impakti ka monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë. Koha e tregoi se ai monument nuk ka asnjë vlerë, prandaj duhet ç’bërë gabimi dhe duhet të ngrihet patjetër një shtatore për Ismail Qemalin.   

Ju ishit i pari që dhatë dorëheqjen si nënkryetar i Akademisë. E dhatë këtë dorëheqje, sepse vërtetë dëshironit reformën apo u ndjetë i lënduar nga reagimet?
-Duhet të më kuptoni drejt, të qenit akademik është honorifik. Dhe të kuptoni se të qenit akademik është vlerësimi më i madh që i bëhet një figure. Dhe përgjegjësia kundrejt këtij nderimi është edhe më e madhe. Kur u diskutua çështja e drejtimit, ishte normale që unë duhet të largohesha,  kur edhi fjala për reformën në çështjen e drejtimit. Unë duhet t’u lija rrugë të rinjve, energjive të reja. Mua më kishte kaluar mosha, por unë mendoja të bëhej reforma dhe të kishte zgjedhje më vonë me ligjin e ri. Ndaj thashë dorëheqjen i pari, që t’i hapja rrugën reformës. Po e them edhe këtë, që Qeveria Rama e ka filluar procesin e e reformës në prill të 2014-s. Nuk mund të tolerohet në të vërtetë kjo që Komisioni Shtetëror që ishte ngritur ta përfundojë këtë pas katër vjetësh dhe akoma është në proces. Nëse flasim në parim kjo i ka bërë dëm procesit reformues. Në gjithë këtë kohë, ne duhet të ishim marrë me tematikat e,punës, duhet të kishim përparësi çfarë temash duhet të bënin si Akademi e Shkencave, por në vend të këtyre jemi marrë me reformën. Kemi rënë në fund të çështjeve që trajtojmë. Si mund të zgjasë një vendim reformues, kaq gjatë. Çfarë të vështire ka të reformohet Akademisë e pse duhej zgjatur. Kriteri akademik është thelbi i reformës, është kriteri që vlerëson drejt dhe nxit në rrugën e duhur punën shkencore, ky është zhvillimi i vërtetë akademik. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë