Intervistë me Redi Llupa, ambasador i muzikës klasike shqiptare në Amerikë

Intervistë me Redi Llupa, ambasador i muzikës klasike shqiptare në Amerikë

Pianisti Redi Llupo

Nëse kujtojmë ditët e karantinës për shkak të pandemisë COVID -19, mund të na kthehet në kujtesë edhe imazhi i pianistit Redi Llupa me projektet e tij që përmbushën nismën “Unë luaj shqip” (#unëluajshqip).

Redi Llupa, i vlerësuar tashmë si ambasador i muzikës klasike shqiptare në SHBA, me anë të kësaj nisme u bë promovues në shkallë ndërkombëtare në krijimtarinë muzikore të kompozitorëve shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë.

Pianisti shqiptar ka spikatur me performancat e tij në Europë, Amerikë të Veriut, Amerikë të Jugut, dhe Azi. Është i përkushtuar ndaj muzikës bashkëkohore dhe bashkëpunon me kompozitorë nga e gjithë bota.

Që nga viti 2015 bashkëpunoi me kompozitorin e madh amerikan George Walker (Xhorxh Uollkër), i cili ishte kompozitori i parë afrikano-amerikan që fitoi çmimin e madh të “Pulitzer Prize for Music” në 1996.

Dr. Llupa ishte pianisti i parë që luajti ciklin e sonatave për piano nga Walker në tërësi, gjithashtu i pari pianist të luante premierën evropiane të ciklit të sonatave.

Dr. Llupa ka marrë pjesë në festivale si: “Festival Baltimore at UMBC”, Maryland; festivali PIANODROM, Tiranë; festivali ReMusica, Prishtinë; “James Madison Contemporary Music Festival”, në Virginia; “New Century Neë Voices” në Vermont; “Foro Internacional de Musica Nueva Manuel Enriquez”, Meksikë, etj.

Si akademik dr. Llupa ka dhënë masterklase dhe ligjërata në universitete si: North Texas University, Teksas; Metropolitan State University, Kolorado; James Madison University, Virxhinia; Universitad de Bellas Artes, Kolumbi, Frost School of Music, Miami, etj.

Dr. Llupa është një nga themeluesit e Kaleidoscope MusArt, një organizatë jofitimprurëse në Miami të Floridas, e cila synon të promovojë fuqimisht muzikën bashkëkohore dhe muzikën klasike të rrallë-dëgjuar, duke i dhënë theksin për mbështetje ndaj interpretuesëve dhe kompozitorëve nga kultura të ndryshme.

Dr. Llupa vazhdon të jetë një mbështetës i përkushtuar ndaj muzikës së kompozitorëve shqiptarë, duke nxitur publikun artdashës në mbarë botën të njihet me muzikën e vendit të tij.

Intervista e plotë

Nuk ka shumë që jeni kthyer nga pjesëmarrja në festivalin Foro Internacional de Musica Nueva Manuel Enriquez. Si mund ta përshkruani këtë përvojë?

-Ishte një recital dhe një përvojë që do të ngelë në kujtesën time përgjithmonë si artist. Unë e dija kalibrin e këtij festivali më përpara, i cili është më i rëndësishmi për muzikën bashkëkohore për të dy kontinentet amerikane. Por gjithsesi, përjetimi dhe marrja pjesë në të ishte krejtësisht i veçantë. Një privilegj i vërtetë kur je bashkë me artistë të mirënjohur të muzikës bashkëkohore botërore. Besoj se ajo që i dha më domethënie kësaj pjesmarrje ishte edhe fakti që luajta premierën e parë meksikane të një vepre madhore për piano nga një kompozitor shqiptar, veprën op. 4 të shkruar nga Ermir Bejo.

Në jetën tuaj artistike dhe përvojën tuaj si performues profesionist i muzikës klasike, muzika shqiptare zë një rol të rëndësishëm. Programoni çdo herë vepra nga kompozitorë shqiptar?

-Natyrisht, mundohem që gjithmonë t’i përfaqësoj kompozitorët shqiptarë, dhe t’i vendos në çdo program kur më jepet mundësia. Zakonisht programet që më vijnë janë me detyrim, pra përgatis dhe studjoj veprat që të kërkohen, por ka në disa raste vend edhe për zgjedhje të lirë, dhe kur ajo ndodh unë përfitoj nga rasti të luaj vepra shqiptare. Veprat e krijuesve tanë i konsideroj pasuri, jo vetëm pasuri të artit shqiptar, por të muzikës botërore. Kur i luaj veprat shqiptare, në një farë mënyre nxis një kureshtje të veçantë për publikun. Kompozitorët tanë janë të larmishëm, ata pasqyrojnë me tinguj peisazhe të Shqipërisë dhe shpirtit tonë artistik, që me të vërtetë është i veçantë. Unë muzikën e kompozitorëve tanë e kam pasur pranë edhe gjatë studimeve, për shembull në studimet e mia të doktoraturës në Frost School of Music, në një nga recitalet për të mbrojtur diplomën kisha edhe vepra nga cikli i “Cartesius Cantus” dhe veprën “Valle mbi xham” nga Aleksandër Peçi.

Ju në festivalin Foro Internacional de Musica Nueva Manuel Enriquez luajtët muzikë nga kompozitori amerikan George Walker, me të cilin keni bashkëpunuar gjatë studimeve të doktoraturës në SHBA. Gjithashtu, ekzekutuat edhe një vepër nga kompozitorja meksikane, Erika Vega, dhe e mbyllët programin me “Op. 4” nga Ermir Bejo. Si e priti publiku veprën e Bejos?

-Vepra e Bejos ishte më e gjata, rreth 35 minuta, me katër kohë. Bejo ka një stil të tijin, një stil plot ngjyra zanore që vështirë ta piketosh vetëm në një estetikë muzikore. Ka në brendi një larmi ndjesish: melankoli, energji me ndryshim dinamikash në mënyrë drastike, diku episode shpotitëse ose humoristike, etj. Stili i tij është gjithashtu i frymëzuar gjerësisht nga letërsia, artet pamore, por mbi të gjitha filozofia. Op. 4 ishte një vepër e fuqishme nga ana filozofike gjithashtu, pasi ka në konceptin e saj edhe artin e dialektikës. Në brendi të saj Bejo fillon dhe citon prelude dhe sonatat numër 5 dhe numër 10 të Alexander Scriabin (Aleksandër Skriabin).

Publiku ishte shumë i angazhuar për të dëgjuar. Salla ishte plot dhe asnjë vend nuk ishte bosh, gjë e cila nuk ndodh në Shqipëri ndaj muzikës serioze bashkëkohore. Vepra mori duartrokitje të mëdha dhe mund të them me gjithë besim që ia dolëm të përfaqësoheshim denjësisht! Ishte një punë dhe studim i gjatë për veprën dhe një bashkëpunim me Bejon që besoj do të vazhdojë për shumë kohë.

Përmendët që salla ishte plot në Meksikë, dhe thatë që kjo gjë që në Shqipëri nuk ndodh. Përse e thoni? Nuk ka interes publiku?

-Jo, publiku ka gjithmonë kërshëri! Sidomos kur muzika klasike është vazhdimisht e pranishme dhe e mbështetur nga institucionet përkatëse dhe shtetërore. Çfarë dua të them është se në Qytetin e Meksikës [Mexico City] vërejta që institucionet shtetërore mbështesnin muzikën fuqishëm.

Ky ishte festivali i 44-t që ndërmerrej, dhe ishte një krenari kombëtare për atë komb. Pra, publikut meksikan i shërbehej arti muzikor me një seriozitet dhe cilësi të lartë. Në ditët që isha në atë festival, pata rastin të dëgjoja operan “Oresteia” nga Iannis Xenakis (Janis Ksenakis), të cilën e organizuan për njëqindvjetorin e kompozitorit. Ekzekutimi i veprës ishte i një niveli tejmase të lartë, një sukses i pasdikutueshëm me një përkushtim shembullor të artistëve. Teatri ishte i mbushur i gjithi, dhe çdo biletë ishte shitur! Oresteia nuk është një vepër e thjeshtë për t’u dëgjuar nga ana e ndërtimit muzikor, ka tejmase ndërlikime kompozicionale, por ja që me një ekzekutim artistik të lartë vepra flet vetë ashtu siç duhet! Publiku ishte në ekstazë, plot 30 minuta pati duartrokitje nga publiku në këmbë.

Festivali Foro Internacional De Musica Nueva Manuel Enriquez, mblidhte muzikantët më të mirë të vendit, duke përfshirë formacione që kanë festivalet e tyre përkatëse. Kjo krijonte një ndërlidhje midis muzikantëve dhe institucioneve në mbarë shtetin. Pra, një festival i festivaleve.

Tradita e tyre për promovimin e muzikës bashkëkohore i kalon kufijtë e shtetit, dhe si pasojë artistë, instrumentistë, kompozitorë nga e gjithë bota kërkojnë të bëhen pjesë e çdo stine të festivalit. Për shembull, Irvine Arditi, i cili është një nga violinistët më të mëdhenj të muzikës bashkëkohore, luajti koncertin për violinë dhe orkestër të Ksenakis, gjithashtu luajti një recital të tijin; Sigma Project, kuarteti i saksofonëve nga Spanja dhanë një koncert kryevepër. Çdo artist (i huaj ose meksikan), e kishte me detyrim të luante vepra të autorëve meksikanë.

Unë performova suitën për piano nga Erika Vega, kompozitore meksikane bashkëkohore. Pra, artistët jomeksikanë kishin mundësi të njiheshin me muzikën e autorëve meksikanë dhe të bashkëpunonin me kompozitorët e tyre.

Pra, ju po thoni që institucionet e tyre ndihmojnë organizatorët e festivalit. U japin mbështetjen e duhur që muzika e tyre të njihet botërisht, por edhe që publiku i tyre artdashës të ketë mundësinë të dëgjojnë muzikën bashkëkohore me cilësinë më të lartë. Kjo gjë sipas jush mungon në Shqipëri?

-Në Shqipëri si për qesëndi këto mbështetje nuk ndodhin. E them si për qesëndi të fatit, sepse gjatë viteve të diktaturës ka pasur goxha krijime. Ka pasur vepra që porositeshin nga shteti, premiera të veprave madhore si: Opera, Balete, Sinfoni, vepra orkestrale me solistë. Gjithashtu vepra për muzikë dhome, vepra solistike, vepra për ansamble më të vogla, etj. Mbas rënies së diktaturës kanë kaluar 3 dekada, dhe tani që kompozitorët kanë mundësi të krijojnë më në fund muzikë lirisht, pa kushte estetikore si në diktaturë, pak nga pak mbështetja po u vyshket. Sigurisht, Shqipëria pati trazira, por ka patur edhe rifillime, por mbështetja ndaj krijuesëve dhe muzikantëve të muzikës serioze filloi të venitet vit pas viti. Në leximet që kam bërë, habitem kur mendoj që para viteve 90-të jepeshin të paktën 2 ose 3 premiera madhore në vit, dhe në veprimtari artistike si në dekadat e Majit luheshin premiera të veprave instrumetale si koncerte për solistë dhe orkestër, ose vepra të muzikës së dhomës. Pra ka pasur prodhimtari.

Tani me sa di, që pas viteve ‘90, Aleksandër Peçi ka kompozuar baletin “Dodona”, besoj në 2012, Vasil Tole kompozoi operat “Eumenides” në 2004 dhe “Skënderbeu Kryezot” për 550-vjetorin e heroit tonë kombëtar, dhe premierat e tyre në Shqipëri?

-Ende nuk dihet… Pra kemi 3 vepra madhore që ende presin premierën.

Ka disa festivale, që me anën e tyre dhe fuqinë që kanë (aq sa kanë), mundohen të promovojnë vepra të reja, por nuk kanë mbështetjen e duhur. Sigurisht që mbështetja financiare nga institucionet shtetërore, si për shembull Ministria e Kulturës, është e domosdoshme. Megjithatë kam përshtypjen se tanimë nuk kuptohet rëndësia e muzikës serioze shqiptare, rolin që ajo ka për pasqyrimin e vendit tonë artistikisht në botë. Kompozitorët janë pasuri e vendit, ashtu edhe ekzekutuesit e veprave të tyre! Kemi shumë instrumentistë të talentuar, dhe shumë që janë larguar nga Shqipëria. Nuk dua të qortoj, nuk i bëhet dobi askujt qortimi, por një reflektim duhet!

Gjatë pandemisë ju filluat nismën “Unë luaj shqip” (#unëluajshqip). Këtë e bëtë vetë në portalin e medias sociale të Facebook-ut. Vazhdon kjo nismë dhe pati një zhvillim ose po zhvillohet më tej?

Nisma kishte si synim një bashkim artistik të muzikantëve, duke ndarë me njëri-tjetrin regjistrime të veprave nga autorët shqiptar, në mënyrë që të promovonin veprat e kompozitorëve tanë. Gjatë fillimit të saj, artistë të ndryshëm filluan të ndanin me publikun videot e tyre, duke përfshirë edhe inçizime zanore. Në disa raste kishte edhe muzikë që nuk e kisha dëgjuar asnjëhere, si për shembul “De Profundis” e Feim Ibrahimit, që është e para vepër elektro-akustike nga një kompozitor shqiptar. E bija e kompozitorit, Etrita Ibrahimi e ndau në rrjet.

Luajtja e veprave shqiptare ka qenë një dëshirë e kahershme e imja. Doja të ndihesha dhe veproja në mënyrë të dobishme ndaj artit muzikor shqiptar, sidomos t’u shërbeja denjësisht kompozitorëve shqiptarë me ekzekutimin tim artistik. Muzika jonë serioze ka një nxënësi të konsiderueshme, që ka në brendi shumë gjini të mëdha kompozicionale.

Mbaj mend që para se të filloja nismën isha duke sistemuar librarinë time në shtëpi. Pa dashur, gjeta një libër të vjetër me vepra shqiptare, aty gjeta Baladën Nr. 4 të Kozma Larës. Fillova ta riluaja dhe më risolli mallin e mësimit të veprave shqiptare klasike.

Që aty më lindi ideja e “Unë luaj shqip” dhe desha ta ndaja me publikun. Reagimet ishin të shumta, dhe mbi të gjitha filloi kureshtja nga shumë kolegë të huaj. Shumë pianistë që njoh më shkruanin dhe kërkonin më shumë video dhe partitura, u vura në punë! Repertori që kam ndarë deri tani përbën vepra pianistike nga: Kozma Lara, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi, Aleksandër Peçi, Rafet Rudi, Ermir Bejo, Vasil Tole, Albert Paparisto, Thoma Gaqi dhe Thoma Simaku. Të reja do dalin më tej. Gjithashtu, kam filluar të hulumtoj më shumë për muzikën nga kompozitorët e Kosovës.

Tashmë #unëluajshqip po zhvillohet ndryshe pak nga pak, nxënës në ShBA kanë filluar të njihen me vepra pianistike shqiptare dhe po i studjojnë dhe po i luajnë. Një nxënës nga Miami fitoi studimet për të vazhduar në Frost School of Music të Universitetit të Miamit. Në audicionin e tij ekzekutoi Tokatën e Feim Ibrahimit. Kjo gjë më lumturon!

Mendoni se #unëluajshqip j’a doli mbanë të kalojë në veshin e institucioneve shtetërore?

Di që trokiti sigurisht tek artistët dhe kompozitorët sidomos. Mbështetësja kryesore ka qenë Akademia e Shkencave dhe Akademia e Shkencave e të Rinjve. Ata në fakt e promovuan nismën sa më shumë, dhe i falenderoj. Do doja të përmendja që Akademia e Shkencave po mundohet të bëjë sa më shumë për muzikën shqiptare dhe kërkimin shkencor të muzikës. Në fakt, pëpara pandemisë, koncertin e fundit në Shqipëri e dhashë me kolegun tim, violinçelistin nga Argjentina Juan Sebastian Delgado. Ky koncert, i organizuar nga Akademia e Shkencave, ishte i ndarë në dy pjesë, ku pjesa e dytë kishte idenë e shkëmbimit të muzikës së vendeve tona. Luajtëm Piazzolla dhe Nissinman, përkrahë Harapi, Tole dhe Simaku. I falenderoj për atë organizim, ku disa nga veprat ishin premiera botërore, evropiane, dhe shqiptare. Të gjitha në një godinë historike në Tiranë.

Meqë përmendët Akademinë e Shkencave, ju jeni bërë pjesë e njësisë “Academia Albanica” pranë Akademisë së Shkencave. Çfarë roli mund të luaj Academia Albanica për muzikën shqiptare?

-Kjo pyetje në fakt do një përgjigje pak të gjatë.

Academia Albanica u krijua në 2021, për arsye tejmase të rëndësishme për zhvillimin studimor shkencor të veprave të muzikës shqiptare. Pra, ka si synim hulumtimin shkencor të muzikës klasike shqiptare, përditësimin e partiturave muzikore, dhe përqëndrimin serioz në aspektin muzikologjik dhe etnomuzikologjik të muzikës tonë. Kryetari i njësisë, mjeshtri Eno Koço, gjithashtu drejton ansamblin e Academia Albanica, i cili ekzekuton në nivelin më të lartë veprat më të mira shqiptare. Në datën 28 Tetor kjo njësi mbajti kumtesa nga pjesëtarët e saj, të cilët parashtruan çështje të ndryshme që arti jonë muzikor ballafaqon dhe fushat në të cilat ka nevojë për mbështetje. Nuk mund të citoj me përpikëri temat një nga një, por mund të përmend që u diskutua për rëndësinë që shteti duhet të luaj ndaj krijimtarisë muzikore, përkrahjen ndaj saj me zhvillimin e konkurseve profesioniste për krijime dhe premiera, dokumentimin profesional të veprave të muzikës serioze shqiptare, marrëdhënia e krijuesit me interpretuesin, midis të tjerash. 

Unë shpresoj që kumtesat që u mbajtën të merren me shumë seriozitet. Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë nga talentet. Meqë folëm për Meksikën po e marr si shembull. Çfarë pashë atje mund të ndodhë tërësisht në Shqipëri. Academia Albanica mund të shndërrohet në epiqendrën artistike, ku idetë e muzikantëve profesionistë bluhen qartësisht dhe mbështeten nga shteti për lartësimin tonë artistik, ashtu siç na përket si një vend në Europë. E theksova që festivali në Meksikë ishte një krenari kombëtare atje, dhe u shndërrua në festivalin e festivaleve të shtetit të tyre. Academia Albanica mund të shndërrohet në një të tillë, ku të ketë bashkëpunim me grupimet e çdo festivali të muzikës serioze në Shqipëri, mund të jetë motorri kryesor që të nisë përsësi seriozitetin e porosive të krijimeve nga kompozitorët vendas. Gjithashtu mund të përmbledhë tryeza midis krijuesëve dhe intrumentistëve për të zhvilluar sipërmarrjet dhe veprimtaritë e duhura për zhvillimin e muzikës klasike-bashkëkohore shqiptare.

Në çdo vend të botës ka një studim të gjatë dhe të tërthortë për veprat që vendosen si premiera. Për shembull, për veprën Op. 4, unë edhe Bejo patëm një korrespondencë dhe punë të gjatë për të arritur përsosurinë e veprës. Në çdo veprimtari koncetore ku veprat e muzikës serioze luhen dhe bëhen premierë, përcillen gjithashtu me aktivitetin përkatës muzikologjik dhe kritik. Ne i kemi artistët dhe dijetarët për muzikën, duhet vetëm mjedisi i duhur. Një mjedis i shëndetshëm ku muzikantët shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, por edhe artistët e diasporës, të japin maksimumin ndaj artit tonë muzikor.

Më vjen mirë kur shikoj Teatrin e Operas dhe Baletit të restauruar, ose vijimi i restaurimit të sallës së Universitetit të Arteve. Këto duhen padyshim! Ashtu si rimëkëmbja e ndërtesave, duhet risjellja në gjendje e mjedisit muzikor shpirtëror. Ndoshta Academia Albanica mund të shndërrohet në aereoportin kulturor-muzikor të Shqipërisë. Në atë mënyrë shumë shpejt zhvillohet si një pasuri kombëtare dhe tërheq artistë nga e gjithë bota të njohin kulturën tonë jomateriale. Nuk e di, por shpresoj që shteti ta marrë parasysh këtë dhe ta mbështesë fuqishëm. Imagjinoni një mjedis të tillë, kur çdo vit jepen premiera, kompozohen përsëri vepra madhore, shtohet gjerësisht kureshtja ndaj muzikës, kritika e muzikës profesioniste forcohet, hulumtohet dhe bashkëpunohet me kompozitorët dhe instrumentistët më të mirë shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri. Disa nga këto veprimtari kanë qenë më përpara dhe duhen rijetëzuar, por nëse bëhen të vërteta përsëri dhe përmirësohen, vetëm mirësi dhe përparim sjellin për artin dhe vendin tonë.

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja