Inva Mula, intervista prekëse:
"8 marsi i im i parë pa Ninën"

Inva Mula, intervista prekëse:<br />
TIRANE-Po mundohem t’i jap përgjigje pyetjeve,  por nuk ta fsheh dot sa të vështirë e kam pasi është shumë shpejt për të ringjallur kujtimin e saj, do mundohem.., por nuk di nëse do jem në lartësinë e duhur!” Këto fjalë që vijnë nga Parisi, falë komunikimit virtual, justifikonin ndrojen tonë për intervistën me yllin e operas shqiptare, Inva Mula. Kanë kaluar vetëm tre muaj që nga dita kur Nina Mula, sopranoja e njohur ruse, (por që u bë më shqiptare se shqiptaret), mbylli sytë, ndaj dhimbja është e pranishme. Por  pragfestat e marsit të cilat kanë një domethënie të dyfishtë për Invën  e shtyjnë të kapërcejë ndonëse me vështirësi dhimbjen dhe të bëjë këtë rrrëfim të parë pas ikjes së nënës së saj.  Si për të kujtuar pjesën më të bukur të jetës që kanë kaluar së bashku, për të rrëfyer atë raport të dyfishtë mes të dyjave dhe pse jo për të shkruar një kartolinë të vështirë por të ndjerë… që vetëm një bijë arrin ta shprehë për nënën e saj.

Të gjithë kanë patur fatin ta njohin zonjën Nina. Brezat më të vjetër e kanë dëgjuar në skenë, artistë të rinj kanë mësuar prej saj, ndërsa të tjerë kanë pasur fatin ta kenë mes tyre. Por Ninën, si nënë e keni njohur ju…Si do të na e ndërtonit portretin e saj?
Për  ta portretizuar nënën time do më duheshin të shkruaja libra të tërë. Ajo ishte grua shumë dimensionale, e cila deri në minutat e fundit të jetës së saj më mësoi shumë gjëra të cilat do më mungojnë kaq shumë dhe s’do t’i gjej më kurrë. Lidhja ime me nënën ka qene i dyfishtë- gjatë fëminisë nënë e përkushtuar dhe nga mosha 16 -vjeçare pedagoge e përkushtuar dhe më pas një pëzierje e nënës dhe pedagoges ku mbizotëronte kujdesi, kritika, dhembshuria, meraku, admirimi etj. Kështu për ta portretizuar duhet ...një analizë dhe një reflektim i thellë dhe i distancuar në kohë nga emocionet që ka shkaktuar ndarja me të. Çdo njeri ruan në kujtesë castet më të bukura në familje prindërore.

Mund të ndani me ne disa prej këtyre kujtimeve?
Një gjë është e sigurt që fëminia ime ka qenë shumë e lumtur dhe e ekulibruar. Te ne mbizotëronte një kujdes i veçantë që prindërit, por sidomos nëna ime na kushtonte. Ajo nuk ishte nga ato nënat që sa ngrihej në mëngjes na puthte dhe përqafonte, por dashuria që ajo na jepte ishte shumë kualitative dhe e mbushur me vlera njerëzore dhe përkujdesje shembullore. Ditëlindjet e mia dhe të motrës sime ishin festa të vërteta gjithnjë me surpriza të këndëshme dhe në ato vite kur dyqanet e Tiranës ishin të varfra duart e saj ishin të mbushura me dhurata, lule, ëmbëlsira dhe shumë të ftuar në shtepi. Në vitet që s’kish as lule të freskëta në treg mamaja futej në shtëpi me gladiola të kuqe.Unë e kam datëlindjen në qershor dhe ishin lulet që lulëzonin në atë periudhë, nuk e di ku e kish gjetur burimin, por me zor prisja të hapej dera në 27 qershor dhe të shikoja nënën time me gladiola të kuqe në duar. Tani kudo që shoh gladiolat e kuqe më kujtohen ditëlindjet e lumtura të fëmijërisë sime.

Si ishin fundjavat në shtëpinë tuaj kur ishit një vajzë e re dhe pastaj më pas kur krijuat familjen tuaj?
Shtëpia jonë ka qenë një derë e hapur në çdo ditë dhe çdo orar të ditës, nuk kish ditë mos kishim të ftuar për drekë dhe për darkë dhe nuk ishin vetëm ata që ftonim, por dhe njerëz që kalonin rastësisht nëna ime i ftonte të uleshin në tavolinë me ne. Ishte një traditë në shtëpinë tonë mikpritja dhe me gjithë zemërgjerësinë e babait tim gjithë kjo etje për të patur të ftuar vinte nga nëna ime. Ajo më tregonte se në familjen e saj dera ka qene e hapur dhe shtëpia e mbushur me njerëz ajo sigurisht ka vazhduar traditën e saj familjare duke e gërshetuar me mikpritjen shqiptare dhe bujarinë e bashkëshortit të saj.

Cfarë i pëlqente Ninës, të bënte më shumë në jetën e saj të përditshme jashtë skenës?
Ajo ishte një grua që lexonte shumë dhe kish një kuriozitet të madh për të mësuar dhe për të qenë në korent të gjithçkaje që e rrethonte. Në vitet ku informacioni ishte shumë i limituar e shikoja gjithnjë me një revistë kulturore apo pllaka gramafoni që kish huazuar nga miqtë për të thithur dhe atë pak informacion që depërtonte në Shqipëri në mënyrë clandestine. Ajo kish dhe një bibliotekë të pasur me shumë letërsi ruse, më kujtohet që i mësonte përmendësh poezitë e Pushkinit apo Lermontovit. Gjithashtu kish vëllime të çmuara të enciklopedisë ruse dhe mundohej të na rriste me këshilla të dobishme për shendetin apo mënyrën e shëndetshme të të ngrënit. Ajo nuk dinte të qepte, por duke parë dëshirën tonë për tu veshur mirë në kohë të varfra nxorri nga librat e saj teknikën autodidakte të rrobaqepësisë dhe kështu ndonëse të vogla në moshë ne modifikonim fustanet e saj për të rënë në sy në xhiron e famshme të bulevardit të Tiranës!

Sa kohë kalonte Nina në kuzhinë sidomos gjatë fundjavave? Në familjen tuaj mbizotëronte me shumë kuzhina ruse apo shqiptare dhe cila ishte pjata e saj më e preferuar?
Kuzhina për të ishte jo vetëm një hobi, por dhe një shprehje e dashurisë që kish për familjen e saj. Librat e saj ishin të mbushur me receta nga më të ndryshmet. Guzhina e saj ishte në përgjithësi internacionale. Nga mikeshat e saj italiane ajo mori ç’ishte më e shijshme, por pjatat më të famshme të saj ishin sigurisht ato të kuzhinës ruse. Jo vetëm ne, por dhe shoqet tona vinin në shtëpinë tonë me dëshirën për të shijuar “pirashkitë” e famshme të mamit tim, një lloj petulle e mbushur me mish dhe qepë të cilat të shkrihen në gojë. Me kalimin e kohës ajo u bë specialiste e guzhinës tradicionale shqiptare dhe turlia me zarzavate apo fërgesa tiranase ishin pjata që konkuronin dhe me amvisat më të famshme të kuzhines tonë tradicionale.

Dhe cfarë keni marrë ju nga nëna juaj, jo vetëm në kuzhinë por edhe në jetën e përditshme?
Nuk e di nëse jam në lartësinë e duhur për t’i ngjarë nënës sime pasi ajo ishte një grua vërtetë e Madhe me plotëkuptimin e fjalës, por kam trashëguar vetinë e bujarisë dhe mikpritjes së saj pasi ashtu jam rritur dhe kjo është mënyrë jetese dhe për mua. Gjithashu kujdesi për djalin dhe njerëzve të dashur që më rrethojnë pa harruar dëshirën për të gatuar gjellë të shijshme

Cfarë ju mungon më shumë prej saj?
Gjithçka...pa të jeta qenka ndryshe...sa herë në mënyrë të pavetëdishme marr telefonin për të folur me të, por kujtohem se nuk ka kush përgjigjet në atë numër...

E festonit 8 marsin në shtëpinë tuaj? Çfarë dhurate zgjidhje për nënën?
Kjo festë për mua ishte 7 dhe 8 marsi. Sëbashku i uroja këto dy festa që mishëronin më së miri raportin e dyfishtë që ne kishim, atë të pedagoges dhe nënës. Ky urim në këto 20 vite ka qenë nëpërmjet telefonit për shkak të angazhimeve të mia, por sa herë e telefonoja më thoshte se shtëpia ishte e mbushur me shumë studentë dhe me shumë lule. Asaj i pëlqenin shumë lulet ishte e vetmja dhuratë që e lumturonte.

Ky mars nuk është si vitet e shkuara… mungesa fizike e saj endryshon këtë ditë. Çfarë do të donit t’i kushtonit nënës suaj në këtë ditë, pavarësisht kësaj?
Sigurisht do të më mungojë telefonata e zakonshme dhe zëri i saj për të më shprehur entuziazmin që e karakterizonte sidomos kur e shihte veten të rrethuar nga shoqet dhe studentët e saj...do vazhdoj t’i uroj këto festa s’ka rëndësi telefonata,  unë e ndiej që ajo është pranë meje në çdo çast të jetës sime dhe kështu do vazhdojmë të komunikojmë me njëra-tjetrën në nivelin shpirtëror!
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit